Ralf Gjoni: Për Ramën shqetësim është tepsia e vendeve të punës, për mua ajo e drogës

464
Kandidati për deputet në Qarkun e Tiranës, Ralf Gjoni ka shigjetuar Edi Ramën. Ai është shprehur se kundërshtarët tremben nga forca e LSI-së dhe programi i saj
Ndërsa kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Qarkun e Tiranës, Ralf Gjoni, i ftuar në një studio televizive tha se, nëse për Edi Ramën shqetësim është tepsia për vende pune, për të, shqetësim është tepsia e drogës. Sipas tij, droga mbetet shqetësimi kryesor në vend dhe këtë shqetësim Partia Demokratike e harroi brenda tri orësh. “Sepse ne kemi programin tonë, ndërsa ata kanë vetëm xhelozinë. Tremben nga rritja e LSI-së. Çdo shqiptar e kupton që kur sulmon dikë do të thotë se e ke frikë. Janë shumë të shqetësuar nga rritja e LSI-së, sepse kjo u shkakton disa dëme të frikshme këtyre forcave

politike. Shqiptarët duhet ta kuptojnë sot, po flasim për institucionalizimin e një shteti oligark në Shqipëri nëse shqiptarët nuk votojnë programin e LSI më 25 qershor. Nëse Kryeministri flet për tepsi vende pune, unë kam shumë dëshirë të flas për tepsi droge.

Shqipëria duhet të eci përpara përmes punësimit të njerëzve dhe jo përmes punësimit sezonal agro-kulturor me mbjelljen dhe kultivimin e hashashit. Fatkeqësisht, Shqipëria po shkon përpara përmes kësaj skeme. Jo pa qëllim, LSI-a mbështeti tezën dhe shqetësimet e Partisë Demokratike gjatë kohëve të protestës, të tendës, të çadrës së lirisë. E mbani mend besoj? Edhe mua më kujtohet. E mbani mend se si ne mbështetëm kauzën e

votës së lirë dhe shqetësimin e drogës dhe parave të pista që qarkullojnë, shqetësim që PD e harroi brenda tre orëve. Unë e kam ende këtë shqetësim. Unë ende shoh që shqetësimi i drogës është ende një nga shqetësimet e ekonomisë dhe mund të prekë edhe zgjedhjet më 25 qershor. Më besoni që është me përmasa të frikshme çfarë po synohet të instalohet në Shqipëri”, është shprehur në lidhje me këtë çështje kandidati për deputet i LSI-së në Qarkun e Tiranës, Ralf Gjoni. Por Gjoni nuk ka qenë i vetmi ai që ka folur kundër deklaratave që kryeministri Edi Rama ka hedhur ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pothuaj të gjithë kandidatët e kësaj force janë të angazhuar për të dyfishuar votat dhe për të marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh për parlamentin e ardhshëm. LSI ka dalë në terren me një program të qartë dhe të punuar me shumë kujdes. Në qendër të tij janë ulja e papunësisë dhe shtimi i vendeve të punës për të rinjtë. 
Sigal