RAI 2: Provat, si janë blerë votat nga trafikantët

588
Sigal

Reportazhi i emisionit “Dossier” pasqyron situatën e rënduar politike dhe çështjen e trafikut të drogës

RAI 2: Shqipëria, vendi i trafiqeve, blerjes së votave dhe protestave

Pas publikimit të një kronike të shkurtër në edicionin e lajmeve të RAI Due disa javë më parë, televizioni prestigjioz italian ka transmetuar një reportazh të plotë prej 47 minutash ku pasqyrohet me pamje filmike situata e rënduar politike dhe ajo e drogës në Shqipëri. Gazetari Leonardo Zelino ka transmetuar në emisionin “Dossier” në Rai2 reportazhin e titulluar “Shqipëria, rajoni 21-të i Italisë”. Në material tregohet biseda e grupit të xhirimit italian me trafikantë të lëndëve narkotike. Gjithashtu reportazhi trajton dhe situatën e protestave masive të opozitës e shitblerjes së votës, ndërsa nuk mungojnë dhe deklaratat e aktorëve të politikës shqiptare, që nga Sali Berisha tek Kryeministri Edi Rama.

Pjesë nga Reportazhi

Reportazhi nis në Shijak nga biseda me Iglin, një trafikant droge dhe armësh. Igli i rrëfen se mban pak drogë në shtëpi për ta provuar klientët dhe pjesën e tjetër e mban në një magazinë. Më pas i tregon edhe një kallashnikov për të cilin thotë se “mbron parcelat dhe mallin. Ku do të shkojë kjo drogë? Do vijë te ju në Itali” – thotë Igli. Reportazhi bën më pas një histori të shkurtër të Shqipërisë që pas rënies së komunizmit nisi në fillim të çonte emigrantë në brigjet italiane. Më pas do të nisin trafiqet, fillimisht ai i cigareve dhe më pas trafiku i drogës. “Nëse kontrabanda mori një goditje të fortë në vitet 2000, trafiku i drogës nuk është ndalur asnjëherë madje Adriatiku është bërë autostrada e trafikantëve. Sipas raportit të Europol 2017, Shqipëria është laboratori kryesor për kultivimin dhe trafikimin e marijuanës. Për kontinentin e vjetër ajo është një lloj Kolumbie e drogës” – thuhet në reportazhin. Aty përmendet operacioni për hyrjen në Lazarat, por edhe se si trafikantët u shpërndanë më pas në të gjithë vendin.

Flasin Sali Berisha dhe Ardi Veliu

Më pas në reportazh flet drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Ardi Veliu, sipas të cilit shifrat e 2018-s janë më të mirat e 30 viteve të fundit. Veliu thotë se janë gjetur vetëm pak plantacione, ndërsa janë bërë qindra orë fluturime së bashku me GDF. Më pas flet ish-kryeministri Sali Berisha që hedh poshtë shifrat e kreut të policisë. “Importi i bananeve është rritur me 10 fish. Brenda kontejnerëve ose ka banane, ose ka diçka tjetër” – thotë Berisha që shton se “nëse plantacionet në fusha të hapura janë pakësuar janë shtuar ato në sera, pasi çdo javë tonelata të tëra shkojnë në Itali, ose në Turqi për t’u shkëmbyer me heroinë” – thotë Berisha. Gazetari Leonardo Zelino citon më pas autoritetet policore italiane, sipas të cilave grupet kriminale shqiptare kanë hyrë në marrëveshje me kartelet kolumbiane të drogës njëlloj si Ndragheta.

Blerja e votave dhe protesta e opozitës

Më pas gazetarët rikthehen në Shijak, të cilin e konsiderojnë se “qendrën e Avdulajve” të cilët u goditën pak pas zgjedhjeve të 2017-s. Dokumentari nxjerr edhe përgjimet e prokurorisë. Igli trafikanti i drogës thotë se me drogë bëhen para dhe me para blihen vota. “A ndodhi kështu në zgjedhjet e fundit? Kështu do të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme” – thotë Igli. Dokumentari flet më pas protestat e opozitës, largimet e ministrave të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj për shkak të problemeve të familjarëve të tyre me drogën. “I blenë zgjedhjet. Raporti i ministrave teknikë përpara zgjedhjeve të fundit, thotë këtë gjë. Tani ka prova të prokurorisë që këtë e bëri qeveria e Partisë Socialiste. Nuk mund të ketë stabilitet pa demokraci dhe shtet të së drejtës” – thotë Lulzim Basha. “Rregullat në demokraci janë të qartë. Është sovrani, populli që është ligji, ka një mandat për ta respektuar dhe nuk mund të vihet në diskutim nga minorancë që ka të gjitha të drejtat të diskutojë se çfarë mendon, or nuk ka të drejtë të imponojë asgjë” – i përgjigjet kryeministri Edi Rama. “Blerja e votës. Po ka ekzistuar ashtu siç ka në Itali, apo në vende të tjera, por që blerja e votës të vendosë zgjedhjet, kjo nuk ekziston” – thotë Rama.