Qytetet dhe portet shqiptare, qendër e trafikut

113

Raporti i ri nga Nisa Kundër Krimit të Organizuar e cilëson Shqipërinë si qendrën e prodhimit dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës në Evropë. Aktiviteti i bandave kriminale shtrihet edhe në trafikun e qenieve njerëzore, armëve, cigareve, makinave dhe mallrave të konsumit. Ja të dhënat sipas rretheve

Raporti i Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore: “Zonat Problematike të Krimit të Organizuar në Vendet e Ballkanit Perëndimor”

Qytetet dhe portet kryesore të Shqipërisë janë qendra prodhimi dhe trafikimi ndërkombëtar të drogës

Një raport i ri nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Trans/nacional identifikon vendet në Ballkan, të cilat janë pika kryesore për bandat e krimit të organizuar, të përfshira në kontrabandën e drogës, armëve dhe njerëzve. Raporti i ri i publikuar, të hënën, në Vjenë nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Trans/nacional identifikon vende në Shqipëri, Bosnjëdhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi ku krimi i organizuar po lulëzon. Raporti, i bazuar në informacionet e përpiluara nga gazetarë dhe ekspertë vendorë, thotë se “Fushat e qeverisjes së dobët, dobësia ekonomike dhe zonat e vendosura përgjatë rrugëve tranzitore kanë një probabilitet më të lartë për të qenë pika të nxehta për krimin e organizuar”. Ai argumenton se këto pika të nxehta janë mundësuar nga një ekonomi politike e krimit që është thellësisht e rrënjosur në shumicën e vendeve të Rajonit. “Etnia dhe kufijtë nuk i pengojnë kriminelët të punojnë së bashku. Por bashkëpunimi i pakët dhe qeverisja e dobët po pengojnë përgjigjet penale brenda dhe midis shteteve,” tha në një konferencë për shtyp Mark Shaw, drejtor i Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Trans/nacional. Grupet e krimit të organizuar janë përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh të paligjshme, thotë raporti, duke përfshirë:

  • trafikimin e njerëzve,
  • drogës,
  • armëve,
  • cigareve,
  • makinave
  • mallrave të konsumit,.

Është e habitshme se shumica e aktivitetit të paligjshëm në këtë rajon përfshin mallra që kalojnë në ose nga vendet e Bashkimit Evropian,” tha Shaw. BE-ja ka mekanizma të konsiderueshme, një interes vetjak dhe një përgjegjësi të përbashkët për t’i prishur këto tregje dhe për të reduktuar vulnerabilitetin e Ballkanit Perëndimor ndaj krimit të organizuar,” shtoi ai.

Shqipëria

Raporti thotë se vendi ka pika hyrjeje të rëndësishme për kokainën që vjen në Evropë nga Amerika Latine me dërgesa që vijnë kryesisht nëpër kontejnerë në portin e Durrësit, të cilat më pas shpërndahen përmes Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës dhe kontrabandohen drejt Evropës Qendrore. Shqipëria ka qenë prodhuesja më e madhe e kanabisit në rajon. Grupet e organizuara kriminale jo vetëm që e kontrabandojnë produktin në vendet fqinje të BE-së, por gjithashtu e shpërndajnë atë në të gjithë rajonin.

Qytetet dhe portet e Shqipërisë

Të gjithë qytetet dhe portet kryesore të Shqipërisë shërbejnë si qendra për prodhimin ose kalimin e lëndëve narkotike drejt vendeve evropiane. Këto veprimtari kriminale drejtohen nga bandat e çdo qyteti, njohur si ndër bandat më të egra në Evropë. Shumë prej këtyre bandave kriminale shqiptare kanë lidhje të forta me politikën. Ata kanë ndërtuar skema për pastrimin e parave përmes bizneseve të ndërtimit, karburanteve, hoteleve etj. Këto janë disa nga përfundimet kryesore të raportit “Zonat Problematike të Krimit të Organizuar në Vendet e Ballkanit Perëndimor”, publikuar sot nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, si pjesë e Iniciativës Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar (GIATOC). Raporti bën një skanim të qyteteve dhe porteve kryesore në vend që shërbejnë si pika të rëndësishme për trafikimin e kanabisit, kokainës dhe heroinës nga bandat kriminale.

Shkodra

Është zonë problematike për krimin e organizuar si pikë e rëndësishme për trafikimin e kanabisit. Grupet kriminale në qytet janë të përfshira në trafikimin e qenieve njerëzore, para me fajde me interesa të larta, vënia gjobash, si dhe trafikimin e drogave dhe emigrantëve. Ka të paktën katër klane të fuqishme kriminale në këtë qytet, dhe shumica e pjesëtarëve të këtyre grupeve kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin. Këto familje kriminale të stilit mafioz mendohet se kanë lidhje të forta me grupe kriminale në zona të tjera të vendit, si dhe në Kosovë, dhe Mal të Zi. Ato mendohet se janë të lidhura me grupe të diasporës në Evropën perëndimore, si dhe me politikanë e parti politike. Nga fundi i vitit 2018, pesë persona u vranë dhe dy u rrëmbyen në Shkodër, duke shënuar edhe valën më të fundit të dhunës në këtë qytet.

Porti i Durrësit

Është një pikë hyrëse për kalimin e kontejnerëve që vijnë me anije nga Amerika Latine. Drogat kalojnë për në Itali të fshehura në autobusë, makina dhe kamionë, ndërsa ngarkesat e mëdha të drogës arrijnë me kontejnerë. Tani së fundmi, një shofer kamioni u arrestua më 28 mars 2019 me dy kilogramë heroinë të pastër që i kishte fshehur në trup. Në shkurt 2018, policia shqiptare konfiskoi një ngarkesë me 613 kilogramë kokainë që vinte nga Kolumbia në një kontejner plot me banane.

Vlora

Afërsia me Italinë e ka bërë këtë zonë si pikë nisje për skafet e shpejta që përdoren për trafikim, veçanërisht për kanabis, që deri këto kohët e fundit kultivohej në sasi të mëdha në këtë krahinë. Që prej shumë vitesh kriminelë nga Vlora janë transferuar drejt Italisë dhe Spanjës, ku vazhdojnë të merren me aktivitete të paligjshme. Së fundmi, ky qytet është tronditur nga një sërë vrasjesh (duke përfshirë edhe vrasjen e kreut të një grupi kriminal, Edision Harizaj, në nëntor 2018), që duket se kanë ardhur si rezultat i luftës për kontrollin e tregjeve jashtë Shqipërisë, si dhe vrasje për hakmarrje midis grupeve kriminale. Mendohet se aktivitetet kriminale në Vlorë dhe rrethina përftojnë edhe nga bashkëpunimi midis kriminelëve dhe policisë, si dhe nga mbrojtja e disa politikanëve.

Saranda

Thuhet se është qendër trafikimi dhe veprimtarish të paligjshme. Trafikantët përdorin edhe mushka për të kaluar drogë (kryesisht kanabis) përtej kufirit në Greqi. Burime të ndryshme thonë për GI, se policia vendore dhe zyrtarët e policisë kufitare e dinë se cilët janë trafikantët kryesorë, por kanë marrë urdhra nga shefat e tyre që të mos i ndalojnë. 43 Trafikantët mendohet se kalojnë drogë – kryesisht heroinë dhe kokainë – nga kufiri në Qafë Botë / Sagiada, ku mungojnë pajisjet skanuese. Ka zëra se pjesa më e madhe e këtyre drogave shkon drejt portit grek të Igumenicës, dhe më pas i drejtohet Italisë së jugut.

Elbasan

Grupet kriminale janë përfshirë në trafikun e kanabisit, heroinës, dhe kohët e fundit edhe me trafikun e kokainës. Në vitin 2015, në një fshat të bashkisë Elbasan u zbulua një laborator droge që përdorej për përpunimin e kokainës. Policia sekuestroi 115 kilogramë kokainë, 359,000 euro, armë, si dhe u arrestuan 11 persona – përfshi edhe dy kolumbianë. Thuhet se qyteti është baza e dy prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, dhe që të dyja bandat janë të përfshira në trafikun e kokainës drejt Evropës perëndimore dhe Mbretërisë së Bashkuar

Fieri

Lidh Shqipërinë e mesme me Jugun e vendit. Thuhet se grupet kriminale nga kjo krahinë janë të lidhura ngushtë me rrjete kriminale jashtë shtetit (veçanërisht në Evropën perëndimore dhe Amerikën latine), si dhe me politikanë në Shqipëri. Disa nga grupet kriminale karakterizohen edhe nga lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Një burim që e njeh mirë zonën shpjegon: “Këto grupe janë shumë të dhunshëm, kanë një organizim të sofistikuar, dhe kanë lidhje të ngushta me politikën, dhe të gjithë këto faktorë bëjnë që organizatat kriminale në Fier të jenë të paprekshme.’ Aktivitetet kryesore të paligjshme të grupeve kriminale në këtë zonë përfshijnë trafikimin dhe përpunimin e drogës (thuhet se në këtë qytet ka disa laboratorë heroine), shantazh (duke përfshirë edhe foto apo video kompromentuese të politikanëve me prostituta apo duke marrë drogë), dhe pastrim ësh (veçanërisht me pika karburanti, kazino, bare, restorante dhe hotele) në Fier dhe në bregdet.

Zona e Kurbinit

Ndodhet përgjatë autostradës që lidh Tiranën me Lezhën, dhe një nga fshatrat e kësaj zone, Fushëkuqe, ndodhet në bregdetin e Adriatikut. Kjo e bën këtë krahinë një vend ideal për trafikimin e drogës drejt Italisë. Një nga qytetet më problematike në krahinën e Kurbinit është Laçi. Kriminelë nga ky qytet kanë marrë namin si persona të egër dhe të dhunshëm, dhe duket se grupet e tjera të krimit në Shqipëri nuk u zënë besë kriminelëve nga Laçi.

Lezha

Ka dalje në Adriatik, duke përfshirë edhe portin e Shëngjinit. Grupet kriminale nga Lezha kanë qenë aktive në trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e drogës dhe shitjen e armëve. Disa prej tyre janë aktive edhe jashtë vendit, veçanërisht në Itali dhe Holandë. Këto grupe i pastrojnë paratë në këtë zonë, veçanërisht me investime në pasuri të paluajtshme, turizëm, bare, restorante dhe pika karburanti. Kjo zonë njihet gjithashtu edhe për familje të përfshira në aktivitete kriminale dhe të lidhura ngushtë me politikën. Thuhet se disa deputetë nga kjo zonë janë të implikuar me krimin e organizuar, dhe madje njëri prej tyre u përjashtua nga Kuvendi për këtë arsye. Në mars 2018, kryetari i bashkisë së Lezhës dhe 11 zyrtarë të tjerë u arrestuan me akuzën e shitjes së paligjshme të tokave në bregdet, me qëllim përftimin e shumave të mëdha në lekë.

Tirana

Konsiderohet si pikë takimi dhe kontakti, ku grupet kriminale nga zona të tjera të vendit takohen për të krijuar lidhje me njëri – tjetrin apo me zyrtarë nga qeveria dhe forcat e ruajtjes së rendit. Grupet kriminale në Tiranë funksionojnë më shumë si mbështetje për aktivitete kriminale jashtë vendit, kryesisht në Holandë, Belgjikë, Spanjë, Zvicër, Gjermani, Itali, Kosovë, dhe në Mbretërinë e Bashkuar, por kanë edhe lidhje në Turqi dhe Amerikë Latine. Aktivitetet kryesore të këtyre grupeve janë trafikimi i drogës, shantazhi, lojëra fati të palicencuara, pastrim parash, gjoba biznesi dhe vrasje me pagesë.