Qytetarët kërkojnë se ku kanë shkuar paratë e tyre

478
Sigal

Kamza, Bathorja dhe Zall-Herri, në protestë masive për ujin e pijshëm

Megjithë ndërhyrjen e Entit Rregullator të Ujit, se ndërprerja masive e ujit të pijshëm është shkelje e të drejtave të njeriut që dënohet nga konventat ndërkombëtare, për  shkak të një mosmarrëveshje ndërmjet Bashkisë së Kamzës që pretendon se i ka paguar detyrimet ndaj ujësjellësit dhe nga ana tjetër Drejtoria e Ujësjellësit që kërkon arkëtimet, banorët e Kamzës, të Bathores dhe të Zall-Herrit kanë katër ditë pa ujë. Mungesa e ujit të pijshëm ka detyruar ata të bllokojnë rrugën kryesore për rreth 90 minuta. Dhjetëra familje të kësaj zone, të cilat kanë paguar faturat, akuzojnë Kryetarin e Bashkisë Kamzë për mos arkëtim të parave të tyre në ujësjellës. Shumë qytetarë me fatura në duar i kanë kërkuar bashkisë se çfarë i ka bërë ajo paratë e tyre. Ata paguajnë për të patur ujë në shtëpitë e tyre e jo për të “mbyllur vrimat” dhe hallet e bashkisë. Lidhur me konfliktin midis Bashkisë Kamzë dhe Drejtorisë së Ujësjellës kanalizimeve ka nisur dhe një proces gjyqësor për mos përmbushjen e akt-marrëveshjes për çmimin e ujit, ku janë zhvilluar dy seanca gjyqësore, më datë 13.6.2012 dhe 16.7.2012, dhe seanca tjetër do të zhvillohet më datë 2.10.2012, por edhe me veprime të tjera brutale të mëparshme ndaj popullatës së Kamzës, me mbifaturime, gjoba etj.. Pavarësisht nga kjo, qytetarët nuk presin as gjyqe as veprime te tjera burokratike, ata duan fajtorin që i lë pa ujë. Në fund të fundit ata duan ujë në rubinetet e tyre.