Qytetarë, mos heshtni për të drejtat tuaja!

745
Sigal

INTERVISTA/ Akademik Rexhep Qosja shpalos pikëpamjet e tij për vitin 2012 dhe çfarë pritet në vitin që sa kemi hyrë

(Vijon nga numri i kaluar)

 Nëse në pjesën e parë të intervistës së tij, Akademik Rexhep Qosja i bënte një analizë zhvillimeve të vitit jubilar 2012, se çfarë duhej të mbanim mend dhe duhet të harrojmë prej vitit që sapo kemi lënë pas, në këtë pjesë të dytë, ai përqendrohet në aspiratën e bashkimit kombëtar të shqiptarëve dhe më së shumti në zhvillimet e pritshme të 2013-s. Me këtë rast ai u përgjigjet akuzave të Kryeministrit të Shqipërisë dhe përcjell mesazhin e tij për shqiptarët kudo që ndodhen.

 – Profesor Qosja, si e shihni ju bashkimin kombëtar?

– Togfjalëshi, bashkim kombëtar tash është bërë një togfjalësh që thotë shumë, por në mendjen e disave, mund të mos thotë gjë. Domethënë bashkimi kombëtar është bërë togfjalësh shumë, shumë i lakueshëm. Shumë konkret dhe shumë abstrakt. Dhe porsi sa e sa ide të tjera, sa e sa togfjalësha të tjerë, sa e sa nisma të tjera, ashtu abstrakt, ashtu mosdomethënës e bëri pikërisht deliriumi i kryeministrit shqiptar.

Për të gjitha këto arsye është e nevojshme që togfjalëshi bashkimi kombëtar të merret në shqyrtim prej intelektualëve, prej historianëve, prej sociologëve dhe politikologëve, prej diplomatëve, prej politikanëve të përgjegjshëm. Të merret në shqyrtim serioz shkencor, historik, gjeografik, politik, kombëtar. Të merret në shqyrtim e të hetohen tradita  e tij dhe historia e tij. Dhe, të caktohen kuptimi dhe përmbajtja e tij sot. Domethënë të shihet roli i tij në historinë kombëtare deri sot dhe të bëhen përpjekje të parashihet roli i tij në historinë e ardhshme shqiptare.

Ideja e bashkimit kombëtar sot, ndërkaq, nuk e nënkupton gjithë përmbajtjen që kishte në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit apo në Kuvendin e Vlorës më 28 Nëntor 1912. Unë them se ideja e bashkimit kombëtar si ide që e ka lëvizur historinë shqiptare dhe, më në fund, ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, mbetet ide që do ta lëvizë këtë histori edhe më tej.

Krijuesit, intelektualët, historianët e studiues të tjerë duhet ta shpëtojnë idenë e bashkimit kombëtar prej komprometimit që mund t’i sjellin çiftat e deliriumxhinjve e mashtruesve si Sali Berisha. Ideja e bashkimit kombëtar, nuk mund të rrëgjohet në rrugën pa dyshim të rëndësishme Durrës-Kukës-Merdare. Ideja e bashkimit kombëtar nuk mund të rrëgjohet në idenë e bashkimit të shqiptarëve nën kësulën e Bashkimit Evropian, sepse kjo do të thoshte bashkim i Kosovës me Shqipërinë njësoj si bashkim me Greqinë a me Serbinë, me Maqedoninë a me Malin e Zi në Bashkimin Evropian!

Mbas trajtimeve me shkrim, me artikuj, me studime, me vepra, intelektualë, studiues, diplomatë e të tjerë do të duhej të mblidheshin në një konferencë shkencore në të cilën në një tekst të përbashkët do t’i paraqisnin qëndrimet e tyre për çështjen shqiptare sot, domethënë për kuptimin, përmbajtjen, rolin e idesë së bashkimit kombëtar.

Për më tepër, kjo do të thotë se shqiptarët sot gjenden para një sfide të re historike kombëtare e që është: e para, ripërkufizimi i interesit kombëtar sot dhe, e dyta ndërtimi i një vetëdijeje moderne kombëtare, shoqërore, demokratike, të liruar prej folklorizmit, bajraktarizmit, patriarkalizmit, që vetëm sa na cenojnë në sytë e evropianëve e amerikanëve. Dhe kjo vetëdije duhet të shprehet me gjuhë të re politike, me kulturë të re politike.

– Kohëve të fundit po flitet për shkëputjen e një partie të re nga Partia Demokratike në Kosovë. Çfarë mendoni për këtë?

– I dëgjoj me dëshpërim dhe shqetësim këto fjalë. Partia Demokratike është partia më e fortë, me autoritetin më të lartë moral, të fituar me luftën çlirimtare dhe me potencialin më të madh intelektual partiak sot në Kosovë. Është në interesin e Kosovës, të së sotmes dhe ardhmërisë së saj, ta ruajë unitetin. Unë i ftoj Jakup Krasniqin, Hashim Thaçin e Fatmir Limajn që ta vazhdojnë bashkëpunimin e tyre që ka traditë të gjatë dhe i ftoj për këtë bashkëpunim për të mirën e tyre dhe për të mirën e Kosovës. Dua t’i pyes ata: a e dini ju se kujt krejt ia bëni qejfin me mosmarrëveshjen mes jush? Si mik i tyre, shumë më i moshuar se ata, unë, madje i lejoj vetes të kërkoj prej Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt, si tri figura kryesore të PDK-së dhe si figura historike të UÇK-së, të jenë bashkë. Përgjegjshmëria e partisë së tyre, prandaj vetvetiu edhe e tyre, për Kosovën është historike. Mos ta harrojnë këtë.

– Në një bisedë me gazetarët, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në kritikën ndaj teje, përpos të tjerash, tha se ti nuk ke lejuar që në shtëpinë tënde në vendlindje, në Vuthaj, të vendoset ndonjë refugjat nga Dukagjini që kishin kaluar në Plavë e Guci.

– Kjo është një prej gënjeshtrave të radhës së këtij gënjeshtari, i cili jeton dhe bën politikë duke urrejtur e duke rrejtur. Në shtëpinë time në Vuthaj ishte i vendosur Cen Krasniqi nga Lugu i Baranit, me bashkëshorten, me dy djemtë dhe me të bijën. Rrena që kësaj radhe tha kryeministri për mua nuk është aq e pistë sa ishin të pista e të poshtra rrenat e tij për Fatos Nanon, Ilir Metën, Edi Ramën, për figura të vdekura politike e shtetërore, për njëmendësinë e djeshme e të sotme të Shqipërisë!

– Çfarë mund të presin lexuesit nga Ju gjatë vitit 2013?

– Në qoftë se do të jem shëndoshë e do të kem jetë besoj që gjatë vitit 2013 do të botoj një vepër të re të cilën, meqenëse nuk jam në gjendje ta stis në një vëllim, do të jem i shtrënguar ta botoj në dy vëllime.

– Çfarë do t’i këshillonit krerët e institucioneve dhe qytetarët e Kosovës e të Shqipërisë për Vitin e Ri në të cilin sapo kemi hyrë?

– As të parët e as të dytët nuk do t’i këshilloj sepse nuk e çmoj veten si farë këshilldhënësi. Por të parëve, krerëve të institucioneve, do t’ua tregoja një bashkëbisedim të shkurtër midis një perandori romak dhe këshilltarit të tij.

       -Cezari im i dashur! Ti mund ta mënjanosh secilin prej jetës politike dhe shtetërore, por njërin prej tyre nuk do të mund ta mënjanosh kurrë, do t’i thotë një ditë këshilltari sundimtarit të tij.

       -E kënd nuk do të mund ta mënjanoja unë, ashtu? e pyet sundimtari.

       -Atë që do të vijë pas teje, do t’i përgjigjet këshilltari i mençëm.

Krerët e institucioneve shqiptare nuk duhet të harrojnë se pas tyre do të vijnë të tjerë: do të vijnë  pas një viti, pas pesë vjetësh, pas dhjetë vjetësh, pas njëzet e pesë vjetësh dhe disave prej tyre një ditë do t’u mbushet mendja të hetojnë punën e paraardhësve, t’i dekorojnë për të mirat e të kërkojnë llogari ligjore për të këqijat, që kanë bërë sa ishin në pushtet.

Atyre të dytëve, qytetarëve, do t’u thosha çka qytetarëve u kanë thënë gjithmonë predikuesit e të drejtave njerëzore dhe të demokracisë: mos heshtni! Mos heshtni! Kërkojini të drejtat tuaja, çmaskojini padrejtësitë e të këqijat e tjera të ndryshme të pushtetarëve dhe çmaskojini vetëm me të vërteta e kurrë me thashetheme e me rrena! Të vërtetat i bashkojnë e i forcojnë njerëzit, kurse gënjeshtrat i ndajnë e i dobësojnë.

 Intervistoi: Burim Etemaj

“Epoka e Re”, Kosovë