QSUT-ja në 8 vjet ka ndërruar 8 drejtues

683
Sigal

Drejtuesit e spitaleve publike denigrojnë shërbimin mjekësor, por askush nuk është vënë përpara përgjegjësisë

 Paradisa ditësh, ministri i ri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj  ka prezantuar  drejtoreshën e re të komanduar të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, zj. Ogerta Manastirliu.

Drejtuesit shkojnë e vijnë, problemet shtohen

Mirëpo, në këto 8 vjetët e fundit, drejtoresha e re është e 8-ta që emërohet, ndërsa problemet në shërbimin mjekësor ndaj pacientëve, vetëm shtohen, aq sa sot nuk ka as ilaçe për të shtruarit.  Nga menaxhimi, informatizimi apo çlirimi i hapësirave publike, qendra më e madhe spitalore në vend ka kaluar tetë vite, pa një vizion të qartë dhe afatgjatë drejtimi. Dhe pasoja është lehtësisht e dukshme dhe e prekshme. Të shtatë drejtorët i lënë stafetën njëri-tjetrit secili me nga një prioritet të vetin, por nuk arritën të zgjidhnin gangrenën e kahershme, mungesën e medikamenteve. Edhe pse në këto 8 vjetët e fundit, shërbimi shëndetësor sa vjen dhe përkeqësohet, zgjidhja që është menduar nga ministria e Shëndetësisë, është të ndërrojnë, çdo vit drejtuesit, pa u thelluar te shkaqet dhe, ca më shumë, që të nxjerrin edhe përgjegjësitë dhe përgjegjësit e problemeve.

Ministri Beqaj, mungesën e ilaçeve e justifikon me …financat

 Ministri i Shëndetësisë i pranishëm në aksionin për heqjen e kioskave nga territori i QSUT-së,  pranoi mungesën e medikamenteve, por parashtroi edhe situatën e vështirë financiare, me borxhe miliona dollarësh, të mbartura ndër vite tek të tretët. Por ministri Beqaj, e anashkaloi tërësisht problemin, nuk premtoi zgjidhje, por indirekt, u kap te justifikimi, te mungesa e financave, te borxhi i krijuar, ndër vite,nga të tjerë.

Prioritet duhet të jetë sigurimi i ilaçeve, pastaj të  zgjidhen problemet e tjera

Ky qëndrim i ministrit Beqaj, të krijon përshtypjen e rreme, se mungesa e ilaçeve dhe e gjithfarë materiali të domosdoshëm dhe parësor në spitale, lidhet vetëm me mungesë fondi, thua, se buxheti është tërësisht i bardhë, për ilaçe. Pacientët dhe spitalet kanë nevojë urgjente për medikamente, kjo duhet të jetë politika parësore, kurse ministri Beqaj, u mundua të japë prioritet lirimin e ambienteve të spitaleve publike nga aktivitetet jospitalore, duke mos premtuar zgjidhje emergjente për ilaçet. Në sytë e pacienteve pastrimi i QSUT-së nga kaosi i kioskave dhe trafikut është një iniciativë e mirë, por nëse do të shoqërohet me nisma për të zgjidhur dhe problemet e tjera.