Qosja: Skena politike ka nevojë për parti të reja!

58
Akademiku i njohur prof. Rexhep Qosja në intervistën e djeshme për gazetën “Epoka e re”, i pyetur fillimisht për vlerësimin e 100 ditëve të para të qeverisë Mustafa, thotë ndër të tjera se kjo periudhë e qeverisë së re në Kosovë kujtohet për shpërnguljen e një numri të madh të shqiptarëve në vende të ndryshme të Europës ku arsyet e saj janë papunësia, pashpresa, dëshpërimi në sjelljet e klasës politike, të shprehura aq papërgjegjshëm, sidomos gjatë gjashtë muajve të luftës së egër e të paskrupullt të partive për pushtet. 
Gjithashtu thotë ai kjo qeverisje kujtohet për protestën e 27 janarit që kërkonte zgjidhjen ligjore të statusit të Trepçës dhe largimin na qeveria e ministrit serb, Jabllanoviq, i cili kishte fyer nënat dhe motrat gjakovare. 
E treta, thotë prof. Qosja njëqind ditët e kësaj qeverie do të mbahen mend sidomos, për arsye të ofensivës së Ministrisë së re të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kundër disa institucioneve e manifestimeve kulturore dhe, rrjedhimisht, kundër atyre që punojnë në to. 
I pyetur rreth marrëveshjes së PDK-së dhe LDK-së ku parashihet që Hashim Thaçi të jetë president në vitin 2016, prof. Qosja thotë se “Nuk mund ta di a do ta votojnë a nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për kryetar të Kosovës ata deputetë të LDK-së, që paskan thënë se nuk do ta votojnë. Por e di ç’është demokracia. Dhe, e di, si edhe ju që ma bëtë këtë pyetje, se në një shtet vërtet demokratik institucioni i kryetarit të shtetit as nuk mund të merret as nuk mund të jepet dy vjet përpara; dhe asnjë ditë përpara. Më pyetët edhe se si e shoh të ardhmen e PDK-së nëse Thaçi bëhet kryetar? Albin Kurti duhet të jetë shembull se sa gjatë duhet të mbetet kryetar partie i njëjti person. Stërzgjatja në krye të partisë e të njëjtit person e bën partinë – parti private”.
Edhe me rolin e opozitës së re, profesor Qosja nuk është shumë entuziazt. “Opozita e sotme në Kosovë, thotë prof. Qosja është shumë e hollë, prandaj edhe roli e ndikimi i saj janë më modestë se ç’dëshirohet. AAK është treguar më vepruese se Vetëvendosja dhe Nisma. Vetëvendosja, në të cilën ishin të përmbajtura besime dhe shpresa të shumë qytetarëve të Kosovës, pothuajse gjithnjë e më pak po i arsyeton ato besime e shpresa. Mjerisht. Opozita, sipas mendimit tim, nuk do të duhej të harronte: roli dhe ndikimi, frytet politike e shoqërore të saj, më shumë se prej numrit të anëtarëve, varen prej risisë, cilësisë, ardhmërisë së ideve, mendimeve të saj. Në jetën tonë politike mbizotëron mungesë e madhe, me fjalë të huaj e thënë, deficit i madh, sa u përket ideve që i ndërrojnë, vërtet, i ndërrojnë gjendjet”.
I pyetur për formimin e Gjykatës Speciale dhe transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, prof. Qosja shton se “formimi i Gjykatës së Veçantë është një padrejtësi politike që i bëhet Kosovës prej atyre që kanë vendosur ta formojnë, në të vërtetë që po urdhërojnë ta formojmë vetë, me Kushtetutë, këtë Gjykatë! 
Në ish-Jugosllavi është bërë luftë, prej disave e quajtur etnike, prej disave qytetare, prej disave fetare e prej disave luftë njëkohësisht etnike, qytetare, fetare, në të cilën kanë marrë pjesë serbët, kroatët, sllovenët, myslimanët e Bosnjës, malazeztë dhe shqiptarët. Për luftën e asnjërit prej këtyre popujve nuk është krijuar, në të vërtetë nuk është kërkuar të krijohet Gjykatë e Veçantë, përpos për luftën mbrojtëse që kanë bërë shqiptarët! Serbët kanë marrë pjesë në luftërat kundër sllovenëve, kundër kroatëve, kundër myslimanëve dhe kundër shqiptarëve e, megjithatë, nuk është kërkuar dhe nuk po kërkohet të bëhet Gjykatë e Veçantë për luftërat e tyre. Shqiptarët, krahas myslimanëve të Bosnjës, janë populli më i dëmtuar në luftën e bërë në fund të shekullit të kaluar: të dëmtuar sa i përket numrit të të vrarëve, të të masakruarve e të të plagosurve; të dëmtuar sa i përket numrit të të zhvendosurve dhunshëm prej vendit të tyre; dhe të dëmtuar sa i përket shkatërrimit të kushteve jetësore të shqiptarëve. Çka do Gjykata e veçantë për luftën e shqiptarëve, të cilët nuk ishin pushtues, sulmues, po mbrojtës prej pushtuesit, prej sulmuesve? Dënim i sërishëm?! Kush i nxiti, kush i frymëzoi për këtë dënim tonin të sërishëm ata që po e kërkojnë krijimin e kësaj Gjykate? Serbia? Po. Ndonjëri prej shteteve europiane që ende nuk është liruar prej paragjykimeve të dikurshme ndaj shqiptarëve? Mund të jetë. Ndonjëri prej shteteve europiane të cilin ne me sjelljet tona të përtashme e kemi pajisur me paragjykime të reja ndaj nesh këtu, dhe ndaj nesh atje – në Evropë? Është e mundshme! Por, mund të thuhet se as Serbia, as ndonjëri prej atyre shteteve që mund të kenë edhe më tej paragjykime ndaj nesh, as ai Dik Marti nuk do të kenë ndikuar në krijimin e disponimit për formimin e Gjykatës së Veçantë sa kemi ndikuar vetë ne. Është Lidhja Demokratike e Kosovës, janë grupe të saj, që prej luftës dhe prej viteve të para të pas luftës kanë bërë betejën për fajësimin e disa kuadrove drejtuese, në të vërtetë për fajësimin e shumëkujt në këtë luftë. Është folur që në kohën e Kushnerit, se prej ndonjë grupi të kësaj partie është dërguar material komprometues mbi drejtues të UÇK-së në ndonjë kancelari evropiane e ndërkombëtare. Mjafton të lexohet gazeta e Lidhjes Demokratike të Kosovës “Bota sot” për t’u parë se sa figura të shquara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se sa pjesëmarrësi në luftën çlirimtare, se sa kush është pagëzuar kriminel: kriminel i luftës, kriminel i pas luftës, madje ndonjëri edhe kriminel i para luftës! E ndërkombëtarët që ushtrojnë detyra në Kosovë, gjithsesi i lexojnë këto shkrime denoncuese të gazetës “Bota sot” dhe, mund të besohet, se të dhënat e saj i trajtojnë në shërbimet e tyre të veçanta. Pavarësisht se sa do ta shtrijë gjerë punën e saj kjo Gjykatë, formimi i saj është shumë i dëmshëm për ne. Dhe, me pasoja. Lejohem të them se qëllimi i saj mund të jetë rrëgjimi (reduktimi), zvogëlimi, mënjanimi i rolit të njerëzve të UÇK-së në qeverisjen e sotme e të ardhme të Kosovës”! 
Ndërsa në pyetjen për krijimin e Forcave të Armatosura, prof. Qosja thotë se me krijimin e këtyre Forcave Kosova fiton atributin më të rëndësishëm shtetëror dhe për këtë kemi arsye të gëzohemi të gjithë.
I pyetur rreth perspektivës së Kosovës me forcat aktuale politike, prof . Qosja thotë se “Përpos prej Vetëvendosje!-s, prej asnjë partie tjetër nuk mund të priten ndryshime thelbësore në gjendjen në të cilën është Kosova sot. Dhe nuk mund të priten sepse këtë gjendje e kanë krijuar ato vetë, njëra pas tjetrës apo njëra me tjetrën, prej viteve të para të pas luftës e deri sot. Të gjitha ato veç e veç dhe bashkërisht e kanë ushtruar pushtetin, nuk po them kanë qeverisur sepse qeverisja nënkupton zbatimin e parimeve demokratike. Të gjitha ato, pra, e kanë ushtruar pushtetin jo vetëm joprofesionalisht, domethënë në mënyrë amatore, por shpesh duke shkelur parime, rregulla, ligje! Secila prej këtyre partive kur ka ardhur në pushtet është kujdesur jo ta forcojë Shtetin, po ta forcojë vetveten, Partinë. Dhe forcimi i partisë e jo i shtetit ka sjellë të keqen e quajtur nepotizëm, të keqen e quajtur korrupsion, të keqen e quajtur krim i organizuar, të keqen e quajtur privatizim, fillim e fund korruptiv, lulëzim i krimit të organizuar, kapje e prokurorisë dhe e gjyqësorit, nënshtrim i llojllojshëm i medieve, shpërdorime të ndryshme në shëndetësi, në arsimin e lartë, në mënyrë të veçantë në Universitetin Publik. E të tjera e të tjera!
Kosova ka njerëz të përgatitur, të ngritur, të ditur, të gatshëm të marrin pjesë në qeverisjen e vendit, por atyre nuk u është dhënë mundësi të kontribuojnë në qeverisjen e Kosovës. Jo. Shikoni kujdesshëm kujt krejt i kanë bërë të mundshme të trenohet nga privilegjet e luksi në politikën dhe në pushtetin e Kosovës LDK-ja e PDK-ja dhe kë krejt e kanë shpërfillur dhe do të bindeni se sa dëmin ia kanë sjellë Kosovës me pushtetin e tyre amator dhe partiakisht lokalist. Natyrisht unë kur them kështu nuk mendoj për shpërfilljen e tetëdhjetëvjeçarëve, as të shtatëdhjetëvjeçarëve, po për shpërfilljen e të tjerëve, në të vërtetë për drojën prej dijes, prej profesionalizmit, prej autoritetit të një numri të madh intelektualësh të tjerë, të cilët si zyrtarë do të mund të bënin shumë për mirëvajtjen e punëve shtetërore të Kosovës. Forcimi pushtetor i partive në vend të forcimit të Shtetit ka sjellë edhe mjaft sjellje të vrazhda, jonjerëzore në jetën shoqërore, në të vërtetë ka sjellë cenime të shpeshta e të mëdha të të drejtave sociale të njerëzve. Sot kemi shumë e shumë familje të shtresës së mesme, pa farë biznesi, pa farë toke, që nuk e kanë askënd të punësuar. Të drejtat e tyre sociale janë uzurpuar prej partiakëve, prej familjarëve, prej ilakave, prej shokëve të partiakëve! Pas vitit 1981 udhëheqësit shqiptarë, para së gjithash Fadil Hoxha, Veli Deva, Xhavit Nimani, Ymer Pula, Ismail Bajra, Azem Vllasi bënin çmos që asnjë familje të mos mbetej pa së paku një të punësuar. Kur një arsimtar, mësues a profesor përjashtohej prej punës për shkak të gjoja rolit të tij në indoktrinimin e nxënësve e ai ishte i vetmi në familje që kishte rrogë, udhëheqësit shqiptarë i gjenin vend pune jashtë arsimit vetëm e vetëm që familja e tij të mos mbetej pa një rrogë. E ç’bëjnë sot Isa Mustafat e dikurshëm, Hashim Thaçat, Ramush Haradinajt dhe Jakup Krasniqat e pasluftës! I lënë shumë e shumë familje pa asnjë të ardhur, i detyrojnë ta lypin shpëtimin në rrugët e Europës! Lëvizja Vetëvendosje! e filloi mirë, me ndërgjegje të zgjuar politikën e saj, por erdhi duke e rrëgjuar dhe duke harruar! Tani nuk e dëgjojmë më duke folur sa duhet e ku duhet as për të drejtën sociale, si një prej të drejtave themelore të njeriut, as për luftën kundër murtajës së quajtur korrupsion dhe krim i organizuar. Edhe ajo po shikon t’i punësojë partizanët e vet, pavarësisht sa do të jetë numri i të punësuarve në familjet e tyre”!
I pyetur rreth domosdoshmërisë së krijimit të një formacioni të ri politik, prof. Qosja shton:
“E quaj të rëndësishëm krijimin e një partie të re, me program që do të ndryshonte thelbësisht prej programeve të partive të tjera, madje me një pjesë të madhe të tij, edhe prej programit të Vetëvendosje!-s. Kjo do të duhej të ishte parti: që do të kishte për qëllim mospajtimin me kapitalizmin e egër, shfrytëzues, të pakontrolluar, që e kanë legalizuar partitë që ishin deri tani dhe janë sot në pushtet në Kosovë, që do të përpiqej për ndarje të drejtë, të ndërgjegjshme të pasurisë kombëtare, duke pasur parasysh gjithë popullin e jo vetëm klasën politike si tani, që të drejtën sociale do ta konsideronte çka edhe është ajo: e drejtë themelore njerëzore, prandaj do të angazhohej për realizimin e saj, që do ta kërkonte rishikimin dhe riprivatizimin e të gjitha privatizimeve të bëra, duke u privilegjuar pamatshëm blerësit e tyre të parë, çka do të konstatohej prej institucionit që do të merrej me hetimin e këtyre privatizimeve, që do të bënte betejë vendimtare kundër korrupsionit, duke kërkuar nacionalizimin e të gjitha pasurive të krijuara në mënyrë të paligjshme, që do t’i ndalonte privilegjet dhe lukset e zyrtarëve në institucionet shtetërore, që do të angazhohej për hulumtimin e të gjitha të këqijave që janë bërë dhe po bëhen në shëndetësi e në arsimin e lartë, duke përfshirë këtu sidomos qendrat kryesore shëndetësore dhe universitare në kryeqytet, që do ta mbronte sovranitetin e popullit prej sulltanizmit të derisotëm dhe të sotëm të udhëheqjeve partiake, që do ta komprometonte rolin e oligarkive në rrënimin e institucioneve demokratike, që do ta komprometonte politikën e atyre partive që flasin për shtimin e numrit të të punësuarve, por në të vërtetë papunësinë e konsiderojnë kusht për parandalimin e inflacionit, që do të përpiqej për rehabilitimin e inteligjencisë së shpërfillur plotësisht prej partive të sotme dhe të shpërfillur për shkak të drojës prej rolit kritik të saj në politikë dhe në shoqëri në përgjithësi, që do ta parandalonte kontrollimin, në të vërtetë pushtimin e medieve prej pushtetit, partive e biznesit”.
Tjetër vlerësim ka prof. Qosja rreth deklaratës së ish-kryetarit të Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, Azem Vllasit, për protestat e vitit 1981, ku thotë se në atë kohë nuk është kërkuar Republika e Kosovës, por është brohoritur për ideologjinë komuniste e staliniste të Enver Hoxhës. Në përgjigje të saj ai thotë se “Biseda e Azem Vllasit për ‘Telegrafin’, me disa konstatime, më ka befasuar dhe më ka befasuar për arsye se as 33 vjet pas demonstratave të vitit 1981 nuk e ka ndryshuar aspak mendimin për to dhe për vendin e tyre në historinë e Kosovës. Po ka disa kundërshti në konstatimet e tij. Që në fillim të bisedës ai thotë se në ato demonstrata, që ai i quan protesta, ‘nuk është kërkuar formalisht republika, sepse organizatorët dhe bartësit kryesorë të atyre protestave kanë qenë ideologjikisht të mbështetur në marksizëm – leninizëm’. Është e vërtetë se ideologji e organizuesve të demonstratave ishte marksizëm-leninizmi, kurse idhull i tyre kombëtar ishte Enver Hoxha, por kjo ideologji ishte strategjia e tyre revolucionare për liri e jo ideologji shtetërore. Azem Vllasi do të duhej ta dinte, si bashkëkohës i demonstruesve, se parulla qendrore e tyre ishte ‘Kosova Republikë’. ‘Kosova Republikë, ja me hatër ja me frikë’, thoshin ata bashkërisht a, edhe veç e veç, në demonstrata. Këtë parullë të rinjtë kosovarë e shkruanin shumëkund, ku mbërrinin dhe ku nuk mbërrinin sytë e policisë serbe, jugosllave dhe kosovare. Azem Vllasi ka të drejtë kur thotë se para demonstratave ne ‘Nuk ishim pa vetëdije kombëtare. Në bazë të asaj vetëdije kemi arritur të institucionalizohemi’. Por, ai nuk ka të drejtë kur e mohon rolin e atyre demonstratave në pasurimin e asaj vetëdije kombëtare që kishim. Ajo vetëdije e jona kombëtare filloi të pasurohet gjatë bashkëpunimit arsimor, shkencor dhe kulturor me Shqipërinë, por atë pasurim e rritën dhe, në disa pikëpamje, e përcaktuan ato demonstrata. Para atyre demonstratave prej çdo zyre partiake e administrative e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mendohej se Kosova është tokë jugosllave, e bashkuar vullnetarisht me Serbinë e Jugosllavinë, kurse djemtë e ilegalitetit dhe organizuesit e demonstratave të vitit 1981 treguan, ua bënë të qartë politikanëve, që s’deshën ta pranojnë këtë, se Kosova është tokë shqiptare e pushtuar prej Serbisë. Azem Vllasi ka të drejtë kur thotë se ‘Republikën e kemi diskutuar haptas edhe në kohën kur kanë qenë ndryshimet kushtetuese, në vitet ’68 dhe ’69’. Por, ai, megjithatë, nuk e thotë se ata, që atëherë diskutuan për republikën, hoqën dorë shpejt e shpejt prej saj kur ashtu u kërkua prej udhëheqjes jugosllave dhe natyrisht serbe. Dhe këta politikanë jo vetëm se e harruan atë diskutim që bënë në vitin 1968, por shumë zjarrtë u ngritën kundër idesë së Kosovës republikë pas demonstratave të rinisë studentore dhe shkollore në mars dhe në prill të vitit 1981 dhe u ngritën duke i dënuar me burgje qoftë edhe ata që vetëm e shqiptonin togfjalëshin Kosova republikë. Procesi i të ashtuquajturit diferencim ideologjik dhe politik në të vërtetë ishte një proces tragjik i vetëmohmit tonë, të cilin e zbatuan udhëheqjet politike, duke i përdorur në këtë proces edhe shumë intelektualë, gjysmintelektualë dhe çerekintelektualë. Azem Vllasi thotë se ‘asokohe të gjithë kanë vlerësuar se demonstratat e dhunshme nuk kanë qenë zgjidhja më e mirë’. Sipas bindjes sime, ato demonstrata nuk ishin të dhunshme: ato ishin demonstrata të fuqishme, të forta; ato ishin një revolucion kombëtar, që LKJ-ja e quajti kontrarevolucion! Sot mbi tridhjetë e tri vjet pas mbajtjes së tyre është e qartë se sa i madh ishte roli i tyre në historinë e Kosovës. Ato e filluan ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi. Ato e filluan ndërtimin e lëvizjes kombëtare që nuk u ndërpre derisa u arrit pavarësia e Kosovës. Ato, demonstratat e vitit 1981, i bënë të ligjshme, të paharruara kërkesat kur për Kosovën republikë e kur për bashkimin kombëtar. Ato, me krijimin e UÇK-së, u bënë ngjarja më e madhe, më frytdhënëse në historinë e Kosovës pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me gjithë qëndrimin e tij të padrejtë, historikisht të gabuar ndaj demonstratave të vitit 1981, unë nuk mund të mos e them sot se Azem Vllasi, pas një pune disavjeçare ndëshkuese ndaj demonstratave, dikur u lirua prej politikës që bënin Serbia e Jugosllavia në Kosovë dhe luajti rol kombëtarisht të arsyeshëm ndaj çështjes së Kosovës. Për këtë arsye Sllobodan Millosheviqi edhe e burgosi. Ky rol i tij, besoj, në masë të madhe u detyrohet lidhjeve që kishte me politikanë të lartë kroatë, sllovenë dhe boshnjakë”.
Ndërsa për rezultatet e mbledhjes së radhës së dy qeverive në Tiranë, e qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë, prof. Qosja thotë se “kam folur për këtë çështje në disa raste, prandaj nuk do të doja t’i përsëris ato që kam thënë. Këtë herë po mjaftohem ta them vetëm një fjali: do të dëshiroja që dy qeveritë të kenë kujdes. Mosideja e madhe e krijimit të hapësirës gjithëkombëtare politike, ekonomike, arsimore, shkencore, kulturore, shëndetësore të mos bëhet estradë, që do të tregohet e bukur me retorikë, por e varfër me përmbajtje”.
Në fund profesor Qosja flet edhe për gjendjen e mediave. Sipas tij “Media të lira, plotësisht të lira, mendoj se nuk kemi sot për sot. Disa prej gazetave janë sadopak të lira, të pavarura, kurse disa aspak. E media elektronike të pavarura nuk kemi fare. Është salduar lidhja pushtet – media – biznes! Me gjuhë të huaj e thënë: pushteti po i kontrollon mediet tona në vend se ato ta kontrollojnë pushtetin. Pushteti po arrin t’i pushtojë kështu mediet nëpërmjet obligimeve tatimore, nëpërmjet hapësirës së shpalljeve, nëpërmjet donacioneve e në mënyra të tjera. Fryt i zi i përdorimit të këtillë të medieve prej partive e pushtetit është prodhimi i tipit të gazetarit i cili, duke pasur parasysh dëshirat e punëdhënësit sulmon, përgojon, kërcënon, fyen, cenon integritetin vetjak dhe familjar të atij që e kritikon pushtetin, të atij që e kritikon punëdhënësin e tij. Ne flasim për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. Dakord. Nuk arsyetoj askënd dhe asgjë që do ta kufizonte lirinë e gazetarit, të gazetarit informues e të gazetarit hulumtues. Por, ka gazetarë dhe gazetare që, pa u përmbajtur fare, pa ngurruar fare, shkelin të drejtat, nderin e dinjitetin e vetjeve të ndryshme. Prej tyre sot nuk të mbron gjyqi dhe nuk të mbron ligj! Po ndodh që një gazetar të tillë ta mbrojnë institucionet, siç e mbrojtën para do kohe prej kritikës një gazetar të tillë edhe kryetarja e Kosovës, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës! Disa gazetarë, të përdorur prej udhëheqjeve të partive ose prej drejtorëve a kryeredaktorëve – vartës partiakë, e kanë pësuar keq: e kanë humbur jetën para disa vitesh. Mjerisht. Kam drojë, kam shumë drojë, se kjo mund të përsëritet, madje edhe më keq, në këtë kohën tonë, të ashtuquajtur kohë e demokracisë. Ka disa rezoluta të Parlamentit Europian për të drejtat dhe obligimet e gazetarëve. Edhe gazetarët, edhe ata që po bëhen ‘objekt’ i tyre, do të duhej t’i lexojnë ato rezoluta”.