Qindra tonelata të mishit dhe të pulave me salmonelë të importuara nga Brazili

666
Sigal

Pardje AKU sekuestroi në Portin e Durrësit 20 ton mish pule me salmonelë, të importuar nga Brazili. Ishte një kontroll rutine, por AKU nuk bëri të ditur analizat, nuk zbardhi nëse salmonela është marrë gjatë transportit apo është infektuar që në vendin e origjinës. AKU nuk publikoi, as emrin e biznesit dhe as emrin e pronarit që importoi 20 ton mish pule me salmonelë. AKU nuk publikoi, nëse bëri padi penale ndaj atyre që importojnë dhe tregtojnë mish pule me salmonelë në Shqipëri. Para disa muajsh, sërish AKU sekuestroi në Durrës dhjetëra kontejnerë me qindra ton mish të importuar nga Brazili, por të infektuara me salmonelë. Edhe atëherë AKU heshti dhe nuk zbardhi emrat e biznesit dhe të pronarëve që importuan këto sasi të mëdha mishi me salmonelë. AKU mundohet të justifikohet, se nuk mund të publikojë emra sepse prish… imazhin e biznesit. Pra, AKU, si institucion shtetëror “përkujdeset” më shumë për imazhin e biznesit dhe nuk shqetësohet aspak për shëndetin publik, për sëmundjet dhe epidemitë që mund të përhapeshin për njerëzit, nëse mishi i infektuar me salmonelë do të mundte të tregtohej. Ligji e detyron AKU-në dhe institucionet e specializuara, që në të tilla raste të publikojnë emrat e atyre që vënë në rrezik të madh shëndetin publik, për qëllime fitimi. Pyesim drejtuesit e AKU: Mos vallë fshihen interesa të tjera, ekonomike, personale, partiake, të një konkurrence jo të ndershme në mospublikimin e emrave të bizneseve dhe pronarëve që importojnë dhe tregtojnë mish me samonelë, vaj me preparate kimikate kancerogjene?!