Qeveritë paguajnë administratë të dyfishtë, gjoja në emër të reformave

471
Sigal

Ministrja e Administratës Publike pohon se do të zbatojë ligjin, duke ripranuar nëpunësit e zbuar

Ligji  për nëpunësin civil, është bërë llastik nga qeverisjet e deritanishme, të cilat, sapo vijnë në pushtet, punën e parë që bëjnë, është të zbojnë nëpunësit e administratës publike, që i ka emëruar qeveria e mëparshme, duke i zëvendësuar me militantët e tyre, si shpërblim që dhanë në fushatë elektorale, thua se administrata publike është torta që ndahet pas fitores.

Ministrja Harito: Do zbatojmë ligjin

Edhe pse në maj të 2013-s, parlamenti votoi me konsensus (të detyruar nga BE-ja) ligjin “Për Nëpunësin Civil” dhe atë “Për Administratën Civile”, duke sanksionuar në ligj (edhe një herë) të drejtat dhe detyrimet e nëpunësve civilë, qeveria e re, e shtyu gati 1 vit zbatimin e këtij ligji, sepse i duhej hapësirë dhe boshllëk ligjor, për të bërë (edhe kjo qeveri) spastrimet në administratën publike. Pas 19 muaj qeverisjeje, më në fund ministrja e Administratës Publike, (sepse “Inovacion” nuk e kemi marrë vesh, përse u cilësua kjo ministri, pasi asgjë nuk ka bërë deri tani) detyrohet të pranojë, që qeveria do të zbatojë vendimet e gjykatave për punonjësit e zbuar nga administrate publike.

Kostoja politike, i kushton taksapaguesit të paguajë 2 administrata publike njëherësh

Nëpunësit e larguar nga administrate publike, janë zbuar me urdhër politik, ku urdhëruesit politikë e dinin që shkelnin në mënyrë flagrante ligjin, por këtë ligj ata më parë e kishin shkruar në këpucët e vjetra, ngaqë asnjëherë ligji nuk i prek, pikërisht këta, si abuzues të ligjit. Edhe pse gjykatat marrin vendime të qarta, që nëpunësit e shtetit janë zbuar duke u shkelur ligji nga drejtuesit e administratës publike, kostoja ekonomike i është faturuar kurdoherë taksapaguesit. Kështu, ligji u jep dëmshpërblime ekonomike, u jep rrogën e plotë, edhe pse këta nuk janë më në administratë. Kështu, sipas të dhënave që ka “Telegraf”, kanë fituar të drejtat e tyre, deri tani, 9.000  padi nga të larguarit e periudhës 2007- gusht 2013, ku të gjithë këta, ose do të rikthehen në punë ( pasi do t’u paguhet nga buxheti i shtetit koha që kanë qenë deri tani pa punë), ose do të jenë në listat e pritjes, duke u paguar 100 % të rrogës që kishin. Pra, shteti paguan kështu 2 administrata publike. Atë që punon dhe administratën publike që e ka zbuar me urdhër politik, por këta kanë fituar të drejtën në gjykatat.

Gjykatat, përse nuk e faturojnë koston ekonomike te urdhërdhënësi i shkeljes së ligjit?

Edhe pse gjykatat u japin të drejtë nëpunësve që zbohen, ato japin vendime gjysmake. Derisa gjykatat pranojë që nëpunësi i administratës civile është larguar nga drejtuesit e institucioneve shtetërore në kundërshtim me ligjin, atëherë përse nuk marrin edhe vendime që faturën e kostos ekonomike ta paguajnë urdhëruesit dhe urdhërzbatuesit e zbimit të nëpunësve nga administrate publike në kundërshtim me ligjin? Përse ende këtë luftë të spastrimit politik të administratës publike, gjykatat ta faturojnë te taksapaguesit shqiptarë? A nuk shkel vetë gjykata ligjin, me këto vendime të politizuara që merr? Nëse urdhërdhënësi dhe urdhërzbatuesi do të paguajnë nga xhepi çdo dëmshpërblim të nëpunësve që zbojnë nga shteti, atëherë, askush nuk do të guxojë të abuzojë me ligjin. Ose, meqë shteti, kësisoj, paguan dy administrate publike, me dëmshpërblimet që vendosin gjykatat, përse bëjnë shkurtime të administratës publike? A nuk do të ishte më mirë, që derisa i paguajnë duke ndenjur nëpunësit e zbuar, që ata të punësohen dhe të kontribuojnë në një shërbim më të shpejtë për qytetarët?

Petraq Barjami