Qeveritarët milionerë të kromit, harrojnë 66- vjetorin e minierës dhe 420 viktimat

445
Sigal

Dje, në përvjetorin e çeljes së minierës, asnjë ministër, deputet apo kryesindikalist. Minatorët përkujtuan viktimat në hyrje të galerisë

Në ditën e 66- vjetorit të nisjes së punës së minierës së Bulqizës, më të njohurës në vend e ndër minierat më me emër në kontinent, rreth 150 minatorë, janë grumbulluar në grykën e galerisë në zonën ‘D’ për të përkujtuar 420 shokët e tyre që në këto dekada, humbën tragjikisht jetën qindra metra nën tokë. Për paradoks, dje mes tyre nuk ishin as ministra, as deputetë, as funksionarë të lartë apo ish të tillë, që janë bërë milionerë me djersën e këtyre njerëzve të varfër. Të kontaktuar nga gazeta, minatorët na thanë se u ishte thënë se, në këtë përvjetor të 66-të të minierës do të shkonte mes tyre dhe Kryeministri Edi Rama, por kjo nuk ka ndodhur. Për paradoks, në këtë ditë mes minatorëve, minimalisht në shenjë respekti për viktimat që humbën jetën nën dhe, nuk kanë qenë as kryesindikalistët që çirren, vënë dhjamë e majmen ekonomikisht po me paratë e këtyre njerëzve të varfër.

PËRVJETORI

I zymtë, në një ditë shkurti, me diell por të ftohtë, ka aguar dita e djeshme në qytetin minator të Bulqizës. Ndryshe nga ditët e tjera, minatorët nuk janë future nën tokë për të nxjerrë krom, në kushte si ato të mesjetës, por kanë qëndruar në hyrje të galerive të nëndheshëm. Mund të ishin rreth 150 vetë. Askush nuk bëri apelin e viktimave në dekada, por ata në heshtje, përkujtuan martirët. “Ka mes nesh dhe djem e nipër të viktimave të minierës në vite. Ata lanë kockat nën dhe, duke u lënë fëmijëve varfërinë, skamjen dhe harresën e shtetarëve, pronarëve që u bënë milioner nga pasuritë e nëntokës së Bulqizës. Nuk ka këtu as ministra, as deputetë as zyrtarë të tjerë. Nuk dimë çfarë të themi, por është përçmim, është fyerje, është turp”,- pohuan minatorët. Mes tyre, në dhimbjen e këtij përvjetori, është dhe një i moshuar. Ai quhet Mustafa Tollja dhe është 75-vjeç. Ka humbur një djalë këtu në minierë, pikërisht atë ditë që niste dasmën për ta martuar. “Mua më është vrarë djali, në këtë minierë, Dashamiri, Dashamir Tollja. U vra në galeri në vitin 1994. Ka shpirtin këtu nën dhe… Iku nga kjo botë për të siguruar bukën e gojës, për të siguruar një lek. Iku në lule të rinisë e la pas dhe për ne të tjerët varfëri e skamje, la mjerim e shpresë të venitur për një ditë më të mirë për ne të varfrit. Jemi të harruar, të braktisur, të shfrytëzuar deri në palcë nga shtetarë që ikin e vijnë në ato karrige”,- pohon mes të tjerave 75-vjeçari Tollja. Po sa drama të tilla kujtojnë bulqizakët në këtë ditë!? Janë me dhjetëra, me qindra…

KREU I KONFEDERATËS

Taf Koleci, kreu i Federatës së Sindikalistëve, lidhur me situatën në minierën e Bulqizës, në prononcimin për “Telegraf” pohoi: “Hapja e minierës është një ndër evenimentet më të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Kanë kaluar shumë breza minatorësh që nga hapja e saj. Në këtë minierë, kanë lënë jetën mbi 400 minatorë gjatë viteve. Është hapur në 1948 dhe ka qenë forca kryesore mbështetëse për ekonominë shqiptare. Por problematikat e saj të herëpashershme kanë rënë në vesh të shurdhër. Pronari aktual Zamir Mane nuk është se ka bërë ndonjë investim deri më tani. Shumë pak janë përmirësuar kushtet e punonjësve të minierës. Gjithashtu janë dhënë licenca kompanive edhe për nivelin1, 2 dhe 3. Shikojmë njerëz që punojnë dhe habitemi, sepse nuk kemi asnjë të dhënë për këta pronarë të rinj. Kësaj miniere në vend që t’i jepet rëndësia e duhur, po shkon drejt rrënimit. Megjithatë, mendoj se me investimet e premtuara, jeta e Bulqizës do të përmirësohet dukshëm. Nëse z. Mane arrin të hapë pusin ashtu siç edhe është shprehur, nga niveli 5 në të 21-n do të shtohet numri i punonjësve, rendimenti pasi teknologjia që do të përdoret do të jetë shumë e zhvilluar dhe gjithashtu do të rritet në maksimum siguria për punonjësit, pikërisht problematika kryesore që ka shoqëruar hap pas hapi këtë minierë. Thellësia e këtij pusi do të jetë 35 metra nën nivelin e detit. Ne si sindikatë kemi kërkuar gjithmonë sigurinë e personave që punojnë në miniera. Gjithashtu, kemi përgatitur dhe draftin për uljen e moshës së pensionit në 55 vjeç për minatorët aktualë. Në kuadër, të kësaj ne si sindikatë, vetë pronari i minierës z. Mane në bashkëpunim me Karitasin (në varësi të Vatikanit) dhe Ministrinë e shëndetësisë kemi bërë një marrëveshje para 10 ditësh për të futur në eficensë dushet e vjetra, ngjitur me galeritë, për të bërë respirimin e mushkërive të minatorëve që sapo dalin nga nëntoka dhe më pas futjen e tyre në dush. Gjithashtu, në këtë marrëveshje është dhe rikonstruksioni modern i katiti të parë të spitalit të Bulqizës, ku do të vizitohen falas minatorët dhe familjarët e tyre, duke kontribuar vetëm 500 lekë në muaj”.

PËRTEJ NJË PËRVJETORI

Për zyrtarët, atje ku janë, për pronarët e galerive të nëntokës së Bulqizës, përvjetori i 66-të i nisjes së punës në minierë, është thjeshtë një datë, një kuriozitet, pasi për ‘ta ka rëndësi paraja… Ajo (paraja) u vjen aty ku janë, në Tiranë apo dhe kryeqytete të tjera të Europës. Ndërsa minatorët e Bulqizës, banorët e varfër të kësaj treve minerare, deri dhe fëmijët e vegjël që kanë braktisur shkollën për të ngopur barkun me bukë, nga që nuk kanë se ku të shkojnë, nga që nuk i dëgjon kush, i janë nënshtruar ritualit sfilitës të përditshëm: Të futen nëntokë e të nxjerrin një dorë mineral, aq sa për të mbajtur frymën. Pa çka se nën tokë futen, por dhe mund të mos dalin  më. Ishte një përvjetor i zymtë ai i djeshmi, një përvjetor i zymtë që duhet të shkundë shtetin!