Qeverisja e dobët, shkaku i emigracionit

453
Sigal

Prof. Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET

Emigracioni i lartë, rezultante e qeverisjes së dobët

Zhvillimet në borxhin publik për shkak të kontratave të Partneritetit Publik-Privat do të vazhdojnë të mbeten rrezik potencial serioz, jo thjesht për vitin 2019, por në një perspektivë më afatgjatë. Interesante do të jetë ndikimi i fuqizimit të paprecedentë të monedhës kombëtare, lekut, mbi sektorët e ndryshëm të ekonomisë, veçanërisht mbi eksportet

Varfëria e përhapur gjerësisht dhe gjendja e rënduar sociale, së bashku me cilësinë e dobët të qeverisjes së vendit, në gjykimin tim, do të vazhdojnë të joshin qytetarët drejt emigracionit, tha Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET. Xhepa parashikon se rreziqet e brendshme mbeten të pranishme në trajtë më të shtuar gjatë 2019-s. Klima politike e tensionuar do të vazhdojë të mbajë peng ecurinë e investimeve private, veçanërisht atyre të huaja.

Si e parashikoni ecurinë e ekonomisë në vitin 2019 dhe si do të ndikojnë faktorët e brendshëm dhe të jashtëm në stabilitetin ekonomik të vendit?

Nuk mendoj se viti 2019 na rezervon ndonjë surprizë befasuese; atë e shoh si një zgjatim të natyrshëm të zhvillimeve që janë në vetë natyrën e shoqërisë, në prirjen e vet të brendshme për të lëvizur më përpara. Rritja ekonomike do të vazhdojë të ndjekë një rrjedhë normale, por pa mundur të bëjë ndonjë diferencë në standardet e jetesës së pjesës më të madhe të shoqërisë. Rreziqet e jashtme për ekonominë tonë tashmë kanë pushuar së ndikuari. Edhe Greqia më në fund e ka kapërcyer emergjencën dhe që prej këtij viti ndjek politikat e veta kombëtare të zhvillimit, pa nevojën e asistencës nga fondet e BE-së apo të FMN-së. Rreziqet e brendshme mbeten të pranishme në trajtë më të shtuar. Klima politike e tensionuar do të vazhdojë të mbajë peng ecurinë e investimeve private, veçanërisht atyre të huaja. Asnjë projekt me rëndësi në fushën e manifakturës deri më tani nuk është planifikuar të ndodhë. Po kështu, zhvillimet në borxhin publik, për shkak të kontratave të Partneritetit Publik-Privat, do të vazhdojnë të mbeten një rrezik potencial serioz, jo thjesht për vitin 2019, por në një perspektivë më afatgjatë. Interesante do të jetë ndikimi i fuqizimit të paprecedentë të monedhës kombëtare, lekut, mbi sektorët e ndryshëm të ekonomisë, veçanërisht mbi eksportet.

Cilat janë shanset dhe sfidat me të cilat do të përballen politikëbërësit dhe qytetarët shqiptarë më 2019?

Varfëria e përhapur gjerësisht dhe gjendja e rënduar sociale, së bashku me cilësinë e dobët të qeverisjes së vendit, në gjykimin tim do të vazhdojnë të joshin qytetarët drejt emigracionit. Politika duhet të kuptojë se dialogu qytetar nuk duhet zhvilluar vetëm kur populli del në rrugë, por duhet të jetë një tipar i vazhdueshëm për një shoqëri demokratike, ku llogaridhënia nuk mund të barazohet me sloganin e ‘qeverisjes me qytetarët’. Raportet e pozitës dhe opozitës nuk duhet të jenë ato të denigrimit të kundërshtarit, por të krijimit të një klime bashkëpunimi institucional, siç janë standardet e një shoqërie demokratike perëndimore. Romuzet, barsoletat, shpotitë nuk janë mënyra e duhur për të qeverisur dhe për të dialoguar me popullin në tërësi, dhe atë opozitar në veçanti. Qytetarët do të rifitojnë besimin te vendi i tyre vetëm kur të ndiejnë se klasa politike po bëhet më e përgjegjshme, më transparente, po lufton korrupsionin dhe po merret seriozisht me përmirësimin e ekonomisë.

Ku duhet të fokusohen politikat ekonomike (modeli ekonomik) në periudhën afatmesme?

Politikat ekonomike të vendit duhet të kenë vetëm një objektiv themelor: krijimin e një klime biznesi konkurruese dhe të parashikueshme, ku investitorët të eksperimentojnë me riskun. Fakti që Shqipëria është në disavantazh edhe se vendet e rajonit në tërheqjen e investimeve në manifakturë është shumë shqetësuese. Manifaktura është me rëndësi themelore për të krijuar një strukturë ekonomike me tipare moderne, pasi vetëm ajo krijon punësim cilësor dhe integron vendin në zinxhirin global të prodhimit dhe të vlerës së shtuar. Një klimë biznesi që nuk krijon deformime në vendimmarrjen e biznesit, përvijon dhe strukturën më të përshtatshme në aspektin sektorial të ekonomisë. Për momentin, turizmi dhe agroindustria po luajnë rol udhëheqës në rritjen ekonomike të vendit dhe besoj se do të mbeten të tilla dhe në të ardhmen e afërt. Nga ana tjetër, mendoj se qeveria duhet të mbetet më aktive në një prioritizim më të mirë të investimeve publike dhe në rritjen e eficiencës së përdorimit të fondeve të investimeve.

Cilën konsideroni ju si emergjencë në aspektin ekonomik dhe social mbi të cilën qeveria duhet të ketë fokus të veçantë në vitin 2019?

Ka shumë gjëra që duhen ndryshuar në mënyrën e qeverisjes së vendit, përfshirë qeverisjen e saj ekonomike. Shkurtimisht, do të nënvizoja së pari, rishikimin e menjëhershëm të praktikës së prokurimeve publike në vend, duke analizuar çdo hallkë institucionale të përfshirë në proces. Kjo bashkë me ndalimin e çdo projekti të pakërkuar, të cilët është provuar se janë thjesht klienteliste dhe thellësisht të korruptuara.

Së dyti, lufta ndaj informalitetit mbetet një betejë e pafituar. E konceptuar në forma aksionesh dhe pa arritur të krijohet një qasje strukturore për adresimin e këtij problemi, informaliteti ekonomik është sëmundja që do të gërryejë shëndetin e shoqërisë dhe të ekonomisë së vendit. Sot studentët kërkojnë dyfishim të buxhetit për arsim; në fakt buxheti duhet dyfishuar për çdo sektor të ekonomisë: edhe shëndetësia po rrënohet dhe po mbetet pa mjek; bujqësia është pothuaj pa asnjë mbështetje, me vetëm 0.5% të PBB-së investime; pensionet dhe të gjithë programet e mirëqenies sociale janë në gjendje të mjerueshme. Zgjidhja nuk mund të jetë rialokimi nga një sektor te një tjetër, sepse kjo do ta përkeqësonte gjendjen sociale të vendit. E vetmja rrugë për të rritur investimet në arsim dhe shëndetësi, është rritja e të ardhurave të buxhetit. Ka hapësira shumë të mëdha për të rritur të ardhurat, pa rritur ndjeshëm barrën fiskale. Fakti që norma efektive e tatimit për biznesin është sa 40-45% të fitimeve, kur në fakt norma nominale e tatimit është 15%, do të thotë se fitimet fshihen në mënyrë masive. Duke qenë se konsolidimi fiskal edhe në planin makroekonomik trevjeçar deri në vitin 2021 është parashikuar të mbështetet te shkurtimi shpenzimeve qeveritare, mendoj se kjo qasje duhet ndryshuar, duke e kaluar atë nga krahu i rritjes së të ardhurave. Një burim i rëndësishëm në këtë aspekt duhet të jetë dhe administrimi më i mirë i pasurive natyrore të vendit. Të gjitha kontratat koncesionare në shfrytëzimin e pasurive natyrore duhet të bëhen transparentë në mënyrë që ndarja e përfitimeve midis investitorëve dhe publikut të jetë në dritën e diellit./Monitor