Qeverinë e pret vetëm kapitullimi

813
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nard Ndoka, deputet, kryetari i PDK në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se nuk mund të ketë qeveri teknike, këto janë skenarë nga kryeministri Rama, pasi ky nuk është i aftë që të përgatitë shtratin për kompromis të gjerë. Zoti Ndoka pohon se do të ketë përballje të opozitës me Mazhorancën. Zoti Ndoka thotë se ndryshimi i Kodit Zgjedhor, është garancia për Opozitë të Bashkuar, duke hedhur poshtë zërat që PD-ja ka bërë kompromis me PS-së për të mos u ndryshuar sistemi elektoral.  Zoti Ndoka jep lajmin, që së shpejti do të kemi zgjedhje të parakohshme, pasi negociatat në qershor 2019 hapen vetëm me qeveri të re.

-Zoti Ndoka sipas jush, ku bazohet Kryeministri Rama, kur deklaroi se në shtator do ta gjej me opozitën konsensusin per të votuar p/ligjin “Për magjistraturën”?

– Rama bazohet në demagogji dhe në metodat e tij; “tërhiq e moskëput”. Ai nuk ka informacion për thelbin e gjësë, deri tashti po mendon Xhafa e Manja edhe për të. Në shtator të shpresojmë se do dalë nga kllapia politike dhe do çlirohet nga i nxehti. Rama nuk besoj se do dijë të ngrihet në lartësinë e një Lideri, për të përgatitur shtratin për kompromis dhe konsensus të gjerë. Rama tenton vetëm presionet, shantazhet dhe pazaret; kjo ka qenë axhenda e tij politike. A mund të ndryshojë? Të shpresojmë.

–  Thuhet se Rama e Basha e kanë gjetur kompromisin për një qeveri teknike. Keni diçka ju të dëgjuar?

– Nuk është e vërtet, Rama e ka humbur të drejtën për bashkeqeverisje me Opoziën. Ka vetem një rrugë; largimin me turp. Rama përhap lajme të rreme nëpërmjet kazanit të tij, se ndodhet në agoni politike. Ai sajon dhe ndërton skema, duke u përpjekur të fusë opozitën në axhendën e vet, kjo është filozofi komuniste; shpif, mashtro, shkel dhe ec përpara. Tashmë skemat e tij janë qepur me “pe të bardhë”, dallohen qartazi nga të gjithë, ndaj fundi i tij do jetë ndoshta më i keqi, që një lider ka patur në këto vite.

–  A është zgjidhje e konfliktualitetit një Qeveri teknike e Cila do të zbatojë kushtet që ka vënë BE për hapjen e negociatave?

– Një qeveri thellësisht politikë i duhet vendit, qeveritë teknike janë për të shtyrë kohën dhe afatet. Negociatet hapen vetëm nga një qeveri e re, që do dalë nga zgjedhjet, që do i kemi të shpejta. Europa ka humbur besimin te kjo qeveri, ja ka bërë të qartë; është detyrë e Opozitës për të ndryshuar këtë realitet.

– A janë kushtet që të krijohet koalicioni qeverisës PS – PD?

– Nuk ka kushte, as terren, por vetëm përballje. Rilindja ka dështuar kudo; ekonomi, infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi, borgj publik, investime dhe në çdo fushë tjetër. Sistemi i drejtësisë është në kolaps të plotë, pa Gjykatë Kushtetuese, pra pa shtet fare. Nuk është momenti që PD-ja të ndajë përgjegjësitë dhe fajet, por të marre përgjegjësi para qytetarëve dhe institucioneve.

– Çdo të thotë për Opozitës Nëse Basha pranon kompromis me Ramën (duke ndjerë edhe presionin e ndërkombëtarëve) pa plotësuar Rama 7 kushtet e PD?

– Basha i ka dhënë mundësinë njëherë Ramës, duke i ofruar konsensus dhe bashkëpunim, rezultoi një dështim dhe arrogancë nga ana e Ramës. Kjo histori nuk mundet të përsëritet sërish, përballja dhe lufta politike është e pa shmangshme. Rama po kërkon mënyrat që të dorëzohet, por vetëm kapitullimi e pret.

– Kur Basha deklaroi se do prishë kullat nëse gremisin Teatrin Kombëtar, ju e besoni apo e thotë për konsum politik?

– Basha po tregon përgjegjësi politike dhe institucionale, duke i bërë publike ato që Opozita po i konstaton si veprime korruptive dhe antiligjore. Basha do t’i realizojë ato çfarë ka deklaruar, nuk janë deklarata emocionale, por përgjegjësi institucionale e Opozitës së Bashkuar.

– A është gati PD të jetë alternativë qeverisëse?

– PD-ja dhe aleatët e saj janë të gatshëm, që të drejtojnë vendin, duke marrë përgjegjësi programore, duke garantuar rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe rikthimin e shpresës për çdo qytetar dhe sipërmarrës shqiptar.

– Ju çfarë do bëni, nëse PD pranon Reformë zgjedhore me PS pa ndryshuar Kodin Zgjedhor?

– Është kusht dhe garanci për Opozitën e Bashkuar, standardet vlejnë për të gjithë.