“Qeveria zvarrit p/ligjin për median, pasi ka interesa klienteliste

421
Sigal

INTERVISTA/ Alfred Dalipi, deputeti i PS-së: “Në Shqipëri nuk respektohet e drejta e pronësisë intelektuale!”

Deputeti i PS-së , Alfred Dalipi, anëtari i Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, në intervistën për “Telegraf”, pohon se, zvarritja e p/ligjit për Median, është e qëllimshme nga maxhoranca, për shkak të raporteve të  saj klienteliste me media të caktuara. Sipas zotit Dalipi, në Shqipëri është krijuar tradita e mediave të varura nga politike e biznesi. Më keq, Shqipëria nuk respekton pronësinë intelektuale.

– Zoti  Dalipi, ligji për mediat sipas jush pse zvarritet nga maxhoranca?

– Në historikun e parlamentarizmit 22-vjeçar është ligji që ka përshkruar sagën më të gjatë. Prej vitit 2007 Kryetarja e Kuvendit ka nënshkruar një plan veprimi me autoritetet e BE-së për miratimin e një ligji mbi mediat elektronike në Shqipëri. Plan veprimi që parashikonte aprovimin e ligjit në 2007-ën. Jemi në 2012-ën dhe ende nuk ka filluar diskutimi për një draft që shëtitet prej vitesh nga njëra kancelari në tjetrën brenda dhe jashtë vendit. Sigurisht që për një ligj që do të sanksiononte rregulla të reja loje brenda standardeve demokratike europiane  pengues mund të jetë vetëm pala që dëmtohet. Dhe pala që dëmtohet nga standarde dhe nga rregulla loje të njëjta me ato të vendeve europiane është vetëm maxhoranca, e cila ka ngritur një mekanizëm klientelist në çdo strukturë të shtetit për të blerë fjalën, në televizion dhe gazeta.

A ka kuadër ligjor të kontrollojë  shpërndarjen  e reklamave?

– Në tetë vjet janë shpërndarë rreth 15 milionë dollarë publicitet për mediat e shkruara dhe ato elektronike. Bilanci i shpërndarjes të çon te konkluzioni se qeveria dhe çdo strukturë e varur prej saj që ka administruar fonde publike ka pasur një strategji të qartë: të ushqejë një media – të shkruar dhe elektronike- që është tërësisht nën kontrollin  e saj. Sigurisht që për të dhënë llogari ka ditë dhe llogari  mund të japësh kurdo kur mbrapa kë lënë veprime që bien ndesh me ligjin. Veprimet e një tabori ministrash për të ushqyer një realitet mediatik abuziv dhe në shërbim të pushtetit sigurisht që janë të kundraligjshme, ndaj dhe shqetësimi i ndërkombëtarëve lidhur me këtë pikë  ka qenë permanent duke e futur në çdo raportim vjetor si një element të rrezikshëm që deformon tregun  dhe cenon lirinë e medias.

– Sipas jush mediat dhe shtypi sot sa janë të pavarura dhe a mund të lozin rolin e tyre në jetën politiko shoqërore të vendit?

– Në Shqipëri prej vitesh është krijuar kultura e medias të varur nga biznesi dhe medias të varur nga pushteti. Kjo ka shërbyer për konturimin e një tregu të deformuar që rolin e vet si pushtet ta ketë jo në sensin që do të kërkonte një vend me sfida si Shqipëria. Duke thënë këtë nuk mohoj aspak që zërat e pavarur dhe të paepur ndaj çdo pushteti të majtë apo të djathtë kanë qëndruar dhe krijuar një profil që i kanë dhënë tonin zhvillimeve politiko-shoqërore të vendit.

– Cila është strategjia politike e PS-së, për të dhënë një pavarësi mediatike?

– Ligji dhe hapësirat ligjore për të sanksionuar rregulla të reja të raporteve midis pushtetit dhe medias nuk do të jenë të parat. E para do të jetë krijimi i një fryme tërësisht të re të raporteve që do të krijojë ekzekutivi dhe në tërësi gjithë pushteti me paranë publike, të mirën publike dhe rolin që do të luajë media për ta mbrojtur këtë në interes të të gjithë qytetarëve.  Rregullat e tregut, audienca, shikueshmëria dhe tirazhi i shitur i mediave të shkruara do të jenë ato që do t’i krijojnë një frymë dhe pavarësi në tërësi medias. Heqja e konceptit të selektivitetit për shkak të rreshtimit politik por kur nuk përfaqëson realitet mediatik, kur nuk të lexojnë dhe nuk të shikojnë do të jetë edhe kjo një ndër ato pikat për krijimin  e kësaj fryme. Sanksionimi i një institucioni të besueshëm  për audiencë mbi bazën e të cilit jo vetëm paratë publike por çdo biznes që kërkon të dijë se cili operator kontakton më shumë shikues-blerës  do të jetë një prioritet i qeverisjes së një institucionalizimi të një mekanizmi që sot është baza e rregullave të tregut në botën e qytetëruar.

– Në Shqipëri,  cili është realiteti i pronësisë  intelektuale dhe të  drejtat  e  autorësisë?

– Shqipëria është anëtare e konventave ndërkombëtare që sanksionojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, të drejtat e autorit prej mëse 20 vjetësh. Po të pyesësh krijuesit, autorët që nuk respektohen apo paguhen për atë që i japin shoqërisë por edhe ndërkombëtarët për monitorimin që i bëjnë gjithë spektrit Shqipëria është më keq se dhjetë vjet më parë dhe se e drejta e autorit për krijues dhe ndërkombëtarët që shkruajnë raporte qëndron vetëm në letra. Për të firmosur marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit, e drejta e pronësisë intelektuale ka qenë një pikë kyçe që ka angazhuar përfaqësi diplomatike, të dërguar speciale, premtime qeveritare, iniciativa ligjore dhe në fund kemi mbetur tek riti ynë tradicional, të gënjejmë edhe këtë radhë për të kaluar klasën.