Qeveria të gjejë para për të shpërndarë në mënyrë urgjente këstet për të burgosurit Politikë

449
Sigal

INTERVISTA/Flet kreu i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Burgosurve Politikë, Adem Allçi: “Qeveria t’i vërë gishtin kokës, në këtë fund mandati!”

Pas nisjes së një greve urie të një grupi ish të përndjekurish dhe të burgosurish politikë, kreu i Shoqatës Mbarë Kombëtare të të Burgosurve politikë Adem Allci, në një intervistë për “Telegraf” tha se qeveria, e djathtë e drejtuar nga Sali Berisha duhet të shpërndajë urgjent këstin e dytë për këtë shtresë, në të kundërt do të përballet me ish të burgosurit që e kanë votuar dhe mbajtur në pushtet  të djathtën. Allçi thotë, se nuk ka më asnjë ditë kohë për të humbur në shpërndarjen e plotë të këstit të dytë, por edhe të këstit të tretë.

-Zoti Allçi disa prej të dënuarve politikë kanë nisur një grevë urie, me kërkesa ekonomike sociale dhe shpërndarjen e parave të këstit të dytë. A do t’i mbështesni edhe ju si shoqatë mbarëkombëtare?

-Ata e kanë nisur këtë grevë urie pa pyetur krerët e shoqatës, duhet të theksoj se kërkesat e tyre janë shumë të drejta dhe qeveria duhet ti marrë parasysh. Ata kërkojnë dëmshpërblimin, këstin e dytë të dëmshpërblimit për vitet e burgut, dhe kjo është një kërkesë e cila duhet të dëgjohet nga qeveritarët të cilët i kemi votuar dhe besuar. Unë e mbështes grevën e tyre, për kërkesat që kanë paraqitur, por nëse bëjnë lojën e Partisë Socialiste e kanë shumë gabim, sepse po erdhi PS në pushtet të majtët nuk kanë për ti dhënë asnjë para nga dëmshpërblimi kësaj shtrese të vuajtur e të persekutuar.

-Si po shkon deri tani dëmshpërblimi i ish – të dënuarve politikë? Pse nuk po vijon kësti i dytë për të gjithë të burgosurit e të dënuarit?

-Deri tani kësti i dytë është dhënë pjesërisht, dhe ky është një turp i madh. Unë i bëj thirrje qeverisë që në mënyrë urgjente të shpërndajë të plotë këstin e dytë dhe të nisë këstin e tretë për ata të burgosur që po ndahen nga jeta. I kanë mbetur edhe pak muaj kësaj qeverie, dhe në fund të mandatit duhet të kishte shpërndarë të gjitha paratë për këtë shtresë, e cila i mbështetur, i ka votuar dhe i voton, për këtë shtresë, e cila e ka fituar me ligj pafajësinë, por që nuk po dëmshpërblehet.

-Në çfarë kushtesh janë ish – të përndjekurit, familjet e tyre, pas 22 vjetësh, që kanë dalë nga burgjet?

-Sa për të mos na lënë në harresë fare, ata   të japin dëmshpërblimin e viteve të burgut. Vihet re një lloj talljeje me ish të përndjekurit, sepse shteti nuk i është përmbajtur premtimeve të bëra për afatin kohor të këtij likuidimi. Nga ana tjetër kësti i dytë është i vonuar., ndërsa nuk bëhet fjalë për këstin e tretë, ndërkohë që ditë për ditë po vdesin ata që vuajtën në regjimin komunist. Minimalisht vetëm në Durrës për çdo vit, vdesin deri në 10 prej atyre ish të burgosurve politikë, qëndrestarë të antikomunizmit. Fëmijët e tyre janë deri në 16 vjeç dhe janë në mjerim të plotë, në listat e veresieve janë emrat e familjarëve të ish të përndjekurve politikë. Trashëgimtarëve të tyre duhet tu jepet dëmshpërblimi i menjëhershëm! Kemi ankesa shumë të mëdha. Këta të vdekur i kanë lënë fëmijët të vegjël. Fëmijët e tyre janë pa bukë e të pastrehë, sepse në 20 vjet nuk është bërë asnjë gjë. Asnjë lloj përparësie nuk u është dhënë si ish të dënuar.

-Midis të tjerave shqetësimi kryesor i ish të përndjekurve politikë ka të bëjë me vonesën e këtij procesi. Në mënyrë kategorike asnjë i dënuar politik nuk është punësuar në shtet.  Cilat janë kërkesat tuaja si shoqatë mbarëkombëtare?

-Kërkesa është që të nisë menjëherë dëmshpërblimi i këstit të dytë, e të tretë, sepse në këtë mënyrë PD humb besimin që ka kjo shtresë për qeverisë. Nëse PS vjen në pushtet ish të përndjekurit politikë ta harrojnë se kanë për të marrë ndonjë para, sepse ata janë shprehur kundër edhe kur dëmshpërblimi i diskutuar në Parlament. Gjithashtu, unë kërkoj respektimin e premtimit qeveritar për afatin kohor, sepse vonesa është shumë e madhe. Kurse deri tani vonesa ka qenë e pashpjegueshme. Do të bëjmë presion deri në minutën e fundit ndaj qeverisë demokratike. Për PS  nuk do të votojmë kurrë, por nga të djathtët kërkojmë garanci në zgjedhjet e 2013, për ish të përndjekurit.