Qeveria shpronëson objekte dhe pasuri të patundshme në vijën bregdetare Ujë i Ftohtë- Tuneli

396
Sigal

Vendimi i djeshëm i qeverisë, krijon kushtet për prishjen e kompleksit turistik “Jon”, buzë detit në Vlorë

Qeveria ka ndërmarrë vendim për shpronësimin e banorëve që kanë blerë apartamente në kompleksin ‘Jon’ në qytetin e Vlorës. Qeveria ka vendosur të shpronësojë familjet që preken nga prishja e ndërtimeve të hoteleve e banesave buzë detit, ndërsa do të ndjekë të njëjtën praktikë dhe për kompleksin e shumë diskutuar të quajtur ‘Jon’ që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë. Sipas vendimit të qeverisë, pronarët do të kompensohen me vlerën e plotë që kanë shpenzuar për banesat, ndërsa shtohet se afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është marrë vendimi për shpronësimin për interes publik të objekteve të pasurive të paluajtshme, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare Uji i Ftohtë- Tuneli, bashkia Vlorë. Ky vendim shpreh vullnetin e Qeverisë shqiptare për të garantuar pasuritë e qytetarëve, të cilët në mirëbesim kanë blerë prona private që ndodhen në këtë vijë bregdetare.

Ja vendimi i plotë i qeverisë

V E N D I M

Për shpronësimin për  interes publik, të pasurive të paluajtshëm, pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë – Tuneli, Bashkia e Vlorës

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 8, shkronjat  “ç” e “ë”, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të vendimit nr.1, datë 8.10.2013, të Këshillit Kombëtar të Territorit, “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të planit të integruar sektorial për brezin bregdetar”, dhe të vendimit nr.1, datë 23.6.2004, të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë (KRRTRSH), “Për miratimin e planit të qendrës së Vlorës”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban e Turizmit dhe të ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë – tuneli, bashkia e Vlorës.

2.     Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Vlorës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

3.     Pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen e përgjithshme 8396 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 ndërtim, të vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh.

4.     Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 362 919 230 (treqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 000 000 (njëqind milionë) lekë nga fondi i kontingjencës.

5.     Pronarët e ligjshëm të pasurive të shpronësuara të kompensohen, për efekt të këtij shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor të pronësisë.

6.     Afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013.

7.     Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe bashkia e Vlorës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.