Qeveria shpërfilli gjigandët kinezë dhe “licencoi” firmën turke të hotelerisë e HEC-ve të vegjël, për të ndërtuar Skavicën!

664
Në shtator të vitit 2014, kryeministri Edi Rama u takua në Pekin me drejtuesit e kompanisë më të madhe hidroenergjitike në botë “Power China” (http://www.powerchina.cn/), kompani e cila zotëron rreth 53 për qind të tregut botëror të hidroenergjisë. Kompania “Power China” është gjithashtu, “fuqia” që ndërtoi hidrocentralet e mëdha të Kaskadës së Drinit dhe ndihmoi në gjetjen e rrugë-zgjidhjeve më të mira inxhinierike për ndërtimin e plotë të kaskadës së Drinit.
Ekspeditat kërkimore-studimore të “Power China” në vitet 2014-2015 dhe projektet për financim të KESH
Pas disa ekspeditash në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit, në te cilat morën pjesë 36 inxhinierë kinezë e disa inxhinierë vendas dhe pas studimeve të thelluara inxhinierike në Kinë, ku ekzistojnë studimet dhe dokumentacioni i plotë i Kaskadës së Drinit, i hartuar e miratuar në 1960-të, i bërë me kontributin kinez, kompania “Power China” propozoi të hartonte falas një masterplan kombëtar për hidroenergjinë dhe të financonte KESH-in në disa projekte e konkretisht 
1. Ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës me pronësi e menaxhim 100 për qind të KESH-it, përfshi ndërtimin e një qendre dispeçerie elektronike qendrore për menaxhimin e gjithë Kaskadës së Drinit dhe të gjithë sistemit elektro-energjitik (çka rrit efektivitetin 5-10 për qind). Vlera e përafërt e financimit 1 miliardë euro. Propozimi është dorëzuar në Ministrinë e Industrisë dhe të Energjisë, më 30 tetor 2014.
2. Ndërtimin e plotë të kaskades së Vjosës. Vlera e përafërt mbi 1 miliardë euro. Propozimi është dorëzuar në MEI, më 5 shkurt 2015. 
3. Rinovimin total të OSHEE-së, pasi rrjeti i shpërndarjes është tejet i amortizuar (mbi 50-vjeçar). Vlera e përafërt mbi 600 milionë euro. Propozimi është dorëzuar në MEI, më 30 tetor 2014.
Ndërkohë, kujtojmë faktin privilegjues të investitorëve gjigand kinezë në energji, se për financimet nuk kërkohej garanci sovrane, por garanci dytësore mbi bazën e energjisë së prodhuar, garanci këto që janë normale në energjetike, ose më saktë që janë metoda inovative të financimit të projekteve. 
Investitorët e interesuar kinezë, me projekte gati, por ende pa asnjë përgjigje 
Më 10 shtator 2014, kryeministri Edi Rama u takua në Tianjin, me kompaninë e dytë të hidroenergjisë në botë “GeZhouBa” (http://www.cggc.ç/), që ka ndërtuar hidrocentralin më të madh në botë, me fuqi të instaluar 23000 MË (Three Gorges Dam). Sikurse edhe me kompaninë “Power China” edhe me këtë kompani u firmos një “Marrëveshje Mirëkuptimi” për HEC Skavicën. Më 20 tetor 2014, kryeministri Edi Rama u takua në Paris dhe ftoi në Tiranë disa javë më vonë një nga grupet industriale më të fuqishme në Kinë me emrin “NORINCO” (http://www.norincogroup.com.cn), i cili i propozoi qeverisë shqiptare që të financonte KESH-in me 100% të kostos së hidrocentralit të Skavicës (1 miliardë euro) dhe projekte të tjera, me një kredi të butë me afat 35 vjet, nga të cilët 7 vjet periudhë mos pagimi dhe në vazhdim, me 2% interes në vit. Qeveria shqiptare ftoi 3 kompani gjigande, por edhe pas më shumë se 1 viti nuk i ka kthyer asnjë përgjigje asnjërës prej kompanive kineze, që harxhuan kohë dhe asete për analizat dhe propozimet e tyre. Dy prej tyre hapën edhe “zyrë aktiviteti” në Tiranë. 

Qeveria “licencon” firmën turke të hotelerisë dhe HEC-ve të vegjël, të ndërtoj Sakvicën!
Lajmi, që qeveria shqiptare ia kishte premtuar konçensionin e hidrocentralit të Skavicës një firme turke e bëri publik fillimisht prodhuesi më i madh i turbinave në Gjermani (partner potencial me kompaninë “Power China” për Skavicën). Por askush në sektor, nuk e morri seriozisht këtë lajm, pasi firma turke pavarësisht që është firmë serioze në sektorin e hotelerisë, në fushën e energjisë ka ndërtuar vetëm dy hidrocentrale të vegjël, me fuqi deri në 10 MË e 60 MË. Për shkak të vështirësisë dhe madhësisë së veprës hidro-energjitike të Skavicës ishin tërhequr më parë kompanitë më të mëdha europiane, si ENEL, RËE, EVN, etj. u duk e pabesueshme që kjo sipërmarrje t’i besohej një kompanie më pak se modeste në fushën e energjisë. Dikush mund do të mendonte se qeveria nuk i preferoi kompanitë shtetërore kineze për të mos rivalizuar interesat e kompanive amerikane apo europiane. Për të mos pasur asnjë hije dyshimi, “Power China” bëri bisedime partneriteti dhe ra dakord në parim me dy firmat më të mëdha përkatësisht të SHBA e Gjermanisë, për bashkë-ndërtimin e Skavicës. Por kjo gjë, duket se pati efekt të kundërt, pasi një ministër, për të mos u dukur vetë anti-amerikan dhe për t’ia faturuar shefit të tij, na e tha hapur se Kryeministri Rama e kishte urdhëruar specifikisht “t’i mbyllte çdo derë” kompanisë më të madhe ndërtimore amerikane, që po bashkërendonte me “Power China” për Skavicën. Ndërsa kompanitë kineze u injoruan krejtësisht, në mbështetje të kompanive turke ishte vetë Ministri Ahmetaj, i cili ka qenë i angazhuar plotësisht në ndihmë të tyre, së bashku me gjithë stafin e tij. Madje, Ministrit Ahmetaj nuk ju duk fare shkelje flagrante e etikës dhe madje edhe e ligjit që të më “këshillonte” të mos merresha më me Skavicën. Përsëri fantazia jonë konspirative, do të mendonte që Edi Rama ka pasur presion nga zoti Erdogan që të favorizonte 2 kompanitë turke. Por nga disa burime profesionale e zyrtare, u konfirmua që në asnjë rast zoti Erdogan nuk ka ndërhyrë për të favorizuar këto 2 firma, të cilat në fakt nuk janë në një raport shumë të mirë me të.
Qëndrimi shqiptar ndaj firmave kineze, farsë që zgjati 2 vjet
Është e qartë, se linja zyrtare e qeverisë ndaj kompanive kineze, ka qenë një farsë mashtruese, pasi “pazaret” ishin ndarë që më parë në Stamboll. Ndërkohë Kryeministri Rama, që është takuar 4 herë me kryeministrin kinez, i lutej atij me hipokrizi, që “në emër të miqësisë së vjetër”, të investonte në Shqipëri, pasi “Kina e kishte Shqipërinë një kokërr orizi”. Apo, ndoshta bënte “të indinjuarin” në Takimin e Beogradit “për padrejtësinë se si Kina i kishte dhënë kaq financime Serbisë, ndërkohë që “Shqipërisë motër” nuk i ka dhënë asgjë”. Por politika zyrtare e qeverisë Rama ka qenë krejtësisht klienteliste dhe kjo i nxori jashtë loje kompanitë kineze, amerikane e gjermane. Përtej Skavicës, Kryeministri Rama e copëtoi kaskadën e Vjosës dhe ja dha hidrocentralin e Poçemit një kompanie turke, me procedurë praktiksht krejtësisht sekrete. Koncesionarët miq turq, patën rreth 2 vjet kohë që të përgatisin propozimet gjoja “të pa kërkuara”, ndërkohë që çdo firmë tjetër nuk është lejuar të marrë pjesë as tek Skavica dhe as tek Vjosa. Tani, Ministria e Energjitikes mund të bëje tenderat përkatës e pa shqetësuar dhe “brenda ligjit”. Çudia është se vlera e secilit projekt (HEC Katundi i Ri, apo HEC Poçemi) nuk është as 10% e vlerës së projekteve të plota të propozuara. Nga ky fakt lindin dyshime të forta mbi aftësitë matematikore, se si mund të neglizhojnë 3 miliardë euro, për të përfituar potencialisht nga 100 milionë euro investime. Por shpjegimi është më se i thjeshtë. Jashtë çdo teorie konspirative e matematikore, vendimmarrësve “është preferuar më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot”, pasi që të bëhen të dy projektet e plota inxhinierike, duhet së paku 1 vit dhe 5 vjet që të ndërtohen. Plus duan edhe shumë “punë bindëse” për rrugë-zgjidhjen sociale të të shpërngulurve. Pra, zgjidhja e plotë inxhinierike kërkon dy mandate qeverisëse, ndërsa skema me 2 kompanitë turke, mbyllet shumë shpejt. Pra është më “fitimprurëse” të bathorizoj dy potencialet më të mëdha hidrike të vendit, duke hedhur në koshin e plehrave gjithë punën kolosale për dekada të brezave të tërë shkencëtarësh e punonjësish të hidro-energjitikës dhe duke e degraduar potencialin më të madh hidrik e energjitik kombëtar… në një Katund të Ri-lindur! Me këtë mënyrë nga “Kaposhi i Kuq” kryeministror (piktura me pëlqyer e Ramës në ekspozitën e Hong Kongut) nuk mbetet më as edhe një thelë!

Gent Selenica
Sigal