Qeveria serbe shkakton një përplasje në Tiranë, kërkon përjashtimin e Kosovës nga konferenca

502
Sigal

Qeveria serbe ka shkaktuar një përplasje të rëndë diplomatike në Tiranë, duke kërkuar përjashtimin e Kosovës nga një konferencë e nivelit të lartë rajonal.

Nën organizimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Shqipëria mikpriti këtë të premte, Konferencën mbi Klimën në Ballkanin Perëndimor dhe sigurisht si pjesë e Ballkanit Perëndimor, ishte e ftuar edhe Kosova.

Megjithatë, që në nisje të saj, Delegacioni i Serbisë, i kryesuar nga ministri serb i Mjedisit, nuk ka pranuar që Kosova të jetë në këtë tryeze, e cila përfaqësohej nga vetë ministri i Mjedisit Fatmir Matoshi, i cili u la jashtë konferencës. Pas një sërë debatesh, është vendosur që Kosova të prezantohet nën siglën e UMNIK-ut, ndërkohë që minsistri i saj është lënë jashtë salle.

Vetë zoti Matoshi deklaroi se ftesa për të marrë pjesë në konferencë i është bërë nga homologu shqiptar, ministri Bledi Klosi. Matoshi ka mbërritur prej ditësh së djeshme në Tiranë, dhe siç tregoi ai, një natë më parë kishin pasur takim edhe me ministrin serb të Mjedisit dhe se gjatë një darke me ministrat edhe të Malit të ZI, Maqedonisë dhe Çekisë, ishte rënë dakordësi për prezencën e ministrit të Kosovës në Konferencën për Klimën.

“Ne kemi ardhur dje jemi pritur shumë mirë. Darka e mbrëmshme ka qenë e përbashkët, takim ministrash. Kemi diskutuar që problemet duhet ti zgjidhim së bashku, të mendojmë përtej zhvillimeve të politikë ditore. Jua thash edhe mbrëmë edhe sot, që nëse dëshirojnë të flasim për Ballkanin perëndimor duhet të bashkohen ë gjithë, duhet të jetë edhe Kosova. Nuk k ka askënd tjetër që mund të vendosë për vendin tonë” tha ministri Matoshi jashtë sallës ku nisi të zhvillohej konferenca.

Kosova nuk është pranuar ende me të drejta të plota në OKB dhe mund të marrë pjesë në tryeza të saj vetëm me përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Ministri i Kosovës pohoi se në rast se flitet për samit klime në Ballkanin Perëndimor, nuk ka asnjë kuptim që shteti i Kosovës të jetë i përjashtuar nga ky event. Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi tha se e gjitha ajo që ndodhi në samit, kishte të bënte me protokollin që ka caktuar Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara, që Kosova të jetë e përfaqësuar nga sigla e UNMIK-ut, gjë e cila për Kosovën është e papranueshme dhe nuk do të ndodhë më. Ne e kemi shfrytëzuar këtë takim që të kërkojmë mbështetje nga donatorët e fuqishëm. Ne do të vijojmë që në mënyrë bilaterale me donatorët të bisedojmë dhe të paraqesim projekte konkrete për mjedisin”, tha Matoshi.

Nga ana tjetër, ministri Klosi konfirmoi se pas një sërë përplasjesh, Matoshi është lënë jashtë sallës. “ Kanë qenë rreth dy orë debate”, tregoi Klosi. “ Për faktin nëse duhej apo jo prezanca e minsitrit të Kosovës në Konferencë. Por përfundimi ishte që në sallë, u pranua vetëm delegacioni i Kosovës, pa praninë e ministrit, ashtu siç ka përcaktuar OKB-ja.

“Aktiviteti është i organizuar nga OKB. Shqipëria është vend mikpritës. Unë ftova ministrin Matoshi. Ne do të vazhdojmë bisedimet bilaterale me donatorët. OKB dhe donatorët e pranuan Kosovën si pjesë e këtij diskutimi. Ne bëmë ftesën si ministri shqiptare, se është e palogjikshme që në një aktivitet për Rajonin, Kosova mos të jetë pjesë e diskutimeve. Kishim dakordësi me OKB dhe me Serbinë sa i përket zhvillimit të aktivitet, prezencës së Kosovës si i ftuar special”, tha Klosi.

“Sa i takon aktiviteti është takim i organizuar nga OKB. Ne do të vijojmë diskutimet biletarelae me ministrat e tjerë të rajonit. Konferenca do të diskutojë për problematika që kanë të bëjnë me vendet e rajonit. Grupet tona po vijojnë diskutimin. Kosova e ka grupin dhe përfaqësuesit e saj. Mendoj se për post debatit, që ju keni qejf gjithmonë të ndiqni. Kishim një dakordësi edhe me OKB dhe Serbinë, ajo që nuk u pranua ishte prezenca e Kosovës me të drejta të plota si folës”, tha ai.

Por nuk mbaron me kaq, pasi Serbia është përpjekur të diskreditojë  Kosovën edhe në një samit për teknologjinë që po mbahet në Beograd.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli i cili dënoi provokimet që i janë bërë Kosovës në Samitin Digjital, që po zhvillon punimet në kryeqytetin serb.  Në këtë samit po merr pjesë një delegacion i Kosovës, i kryesuar nga ministri për Zhvillim Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili të enjten, së bashku me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor, nënshkruan marrëveshjen për heqjen e çmimeve të tarifës së romingut.

 Në një konferencë për media në Prishtinë, Pacolli tha se në samitin në Beograd, në dy panele ka pasur “provokime në mënyrë organizative” kundër pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, rasti i parë ka ndodhur gjatë një paneli të diskutimit në nivel ministrash.

“Gjatë këtij sesioni, organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojnë fjalën dikujt në publik. Prapa panelistëve doli një teks tekste kundër Republikës së Kosovës, kundër pavarësisë së Kosovës, kundër njerëzve të Kosovës. Një gjë e tillë është e papranueshme dhe ne e dënojmë fuqishëm”, tha Pacolli, duke shtuar se situatë identike ka ndodhur edhe në një panel tjetër, në kohën kur Qendra Inovative e Kosovës po paraqiste programin e saj.

Zëvendësministri Pacolli i bëri thirrje Bashkimit Evropian, “të disiplinojë Serbinë”, pasi ky samit ishte organizuar nga BE-ja.

“Ftojmë Bashkimin Evropian që të disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe Kosova nuk mund të jetë prezente në konferenca të këtij lloji. E ftojmë edhe një herë BE-në që të sqarojë pozicionin e saj ndaj këtyre agresioneve,”, tha Pacolli.