Qeveria rrit shpenzimet për argëtim, pakëson arsimin dhe shëndetësinë

484
Deri në shtator 2015 të ardhurat e buxhetit të shtetit pësuan një rënie progresive, duke krijuar një humbje prej 4,2 miliardë lekë, ku vetëm në muajin shtator u mblodhën 2,4 miliardë lekë më pak, ndërsa deri në nëntor 2015, deficiti u thellua me 14 miliardë lekë më pak. Qeveria, për të përballuar humbjet e të ardhurave shkurtoi 14 miliardë lekë shpenzimet e planifikuara, me një ligj ekspres, ndërsa vetëm për shtatorin, shkurtoi 3,6 miliardë lekë nga shpenzimet e planifikuara.
Qeveria shpenzon miliona euro për argëtim
Shkëlqimi pas fasadës, mund ta largojë vëmendjen për disa çaste nga problemet reale të ekonomisë: shpenzimet e ulëta kapitale, tkurrjen e fondeve për arsim dhe shëndetësi, që po ndikojnë negativisht në mirëqenien e qytetarëve…Shpenzimet buxhetore të ndara sipas 10 funksioneve kryesore të qeverisjes arritën gjatë periudhës janar-shtator në 298.5 miliardë lekë me një rritje vetëm 0.4 për qind në krahasim me një vit më parë dhe 10 për qind më shumë se në vitin 2012. Banka e Shqipërisë publikon disa zëra për shpenzimet e bëra gjatë muajve të fundit të 2015 nga qeveria. Në tabelën e publikuar nga Banka e Shqipërisë bie në sy, se dy vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të qeverisë për argëtim, ndërsa janë ulur fondet për arsimin dhe shëndetësinë. Pjesa më e madhe e fondeve buxhetore ka shkuar për Mbrojtjen Sociale. (pensione, pagesa për invalidët, pagesa e papunësisë) Rreth 95 miliardë lekë shpenzime në aspektin sociale zënë 30 për qind të totalit të fondeve. Për shërbimet që ofron ndaj qytetarëve qeveria ka shpenzuar një shume prej 65 miliardë lekësh në nëntëmujor, por këto fonde kanë qene 4 për qind më të ulëta se një vit më parë. Për çështjet ekonomike të vendit u shpenzuan 32 miliardë lekë. Në këtë zë përfshihen kryesisht investimet. Ato rezultuan 16 % më të larta se nëntëmujori i 2014, por vetëm 0.8% më të shumë se 2012. Shpenzimet në funksion të strehimit dhe komoditetit të komunitetit kanë pësuar rënie. Në janar-shtator ato ranë me 5.2%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Gjithashtu, shpenzimet për shëndetësinë kanë pësuar rënie me 3.6 për qind në raport me vitin e shkuar dhe ato për arsimin me 1 %. Shpenzimet për argëtimin, kulturën dhe çështjet fetare janë rritur me 10 % krahasuar me 2014 dhe 35 % krahasuar me 2012. 
15 milionë euro më shumë në 2016, për udhëtime jashtë shtetit
Qeveria ka shtuar edhe buxhetin e 2016 për shpenzime qeveritare, për udhëtime jashtë shtetit, në vlerën e 15 milionë euro më shumë se 2015. Qeveria e “Rilindjes”, as për vitin 2016 nuk parashikon rritje të pagave, të cilat janë në ngrirje prej 2 vjetësh edhe pse çmimet e konsumit rriten progresivisht. Qeveria nuk parashikon për 2016, as rritje të ndihmës sociale edhe pse treguesit e papunësisë dhe të varfërisë janë në rritje. Qeveria parashikon ulje të fondit të pagave në Arsim dhe Shëndetësi për 2016, ndërkohë që ka rritje të fondeve për Shëndetësinë, por për të paguar 30 milionë euro në 2016 vetëm për koncesionet që ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, ndërkohë që do të shkurtojë në 2016 edhe 1.200 infermierë dhe mjekë nga shërbimi shëndetësor publik. 
Shpenzimet e argëtimit të qeverisë, në shifra
-Shpenzimet për argëtimin, janë rritur me 10 % krahasuar me 2014 dhe 35 % krahasuar me 2012
– Për shërbimet që ofron ndaj qytetarëve qeveria ka shpenzuar një shumë prej 65 miliardë lekësh në nëntëmujor, 4 për qind më të ulëta se një vit më parë
– Shpenzimet në funksion të strehimit dhe komoditetit të komunitetit kanë pësuar rënie 5.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014
Sigal