Qeveria, Rama në dilemë për largimin e LSI-së

445
Kryeministri këmbëngul dhe shprehet se largimi i mundshëm i LSI-së e komplikon situatën, por PS nuk do të tërhiqet. Shefi i qeverisë flet për kërkesat e opozitës dhe takimin me Nanon 
Kryeministri Edi Rama u shpreh se ai dhe Partia Socialiste nuk do tërhiqen nga përgjegjësia e qeverisjes, pavarësisht veprimeve të aleatit kryesor. Ai komentoi për “Report TV” një largim të mundshëm të LSI-së nga qeveria dhe ofertën e bërë nga Ilir Meta për të lënë mandatet si mundësi për zgjidhjen e krizës. Rama pranoi edhe një takim me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano, pa dhënë detaje të mëtejshme.

I pyetur për deklaratën e Metës se LSI është e gatshme të lërë mandatet, Rama tha, se “ne flasim hapur dhe jo gjithmonë jemi dakord”. “I ballafaqojmë programet tona, të thuash po ikim t’i japim mundësi zgjidhje, është ta komplikosh situatën, është në natyrën dhe profilin e Metës. Është Ok, s’ka problem, s’është opsion heqja e përgjegjësisë, do të dëmtonte qëllimin në këtë detyrë të bëjë gjithçka çdo ditë dhe për të luftuar për drejtësinë, për të rritur ekonominë, për të rritur punësimin, për të bërë shtet”, tha Rama. Ai pranoi se me Metën nuk kishte dakordësi. “S’kemi rënë dakord për asgjë sepse e vetmja pikë për cilën diskutojmë është kjo që po diskutojmë, nuk kemi pasur nevojë për të rënë dakord për asgjë”, u shpreh kryeministri. Më tej ai tha se nuk preferonte të fliste me nëse për një largim të mundshëm të ministrave të LSI-së. “Nuk dua ta besoj dhe nuk flas me ‘nëse’. Por çdo gjë të paktën sipas meje duhet komentuar atëherë kur ndodh”, tha Rama, ndërsa shtoi: “PS dhe unë nuk tërhiqemi nga përgjegjësia. Kemi detyrim të përbashkët si koalicion për të bërë deri në ditën e fundit punët që na kanë ngarkuar dhe dua të besoj që do ta përmbushim së bashku”.

Ndërsa për protestën dhe kërkesat e opozitës, Rama tha se “është e drejta e popullit të na tregojë se kush do na qeverisë në 4 vitet e ardhshme”. “Unë nuk shoh asnjë krizë që PD sheh dhe kërkon të na i faturojë të gjithëve. PS është në të drejtën e saj për t’u paraqitur para zgjedhësve sesa shumë ka për të bërë, sa duhet të bëjë. Jemi në një proces historik reformash. Reforma në drejtësi është jetike, jemi në një udhëkryq ku paraqitet e ardhmja e Shqipërisë si një mundësi reale apo në një afat të pacaktuar. Lërë se çfarë thonë, zgjedhjet do të bëhen, kush do të paraqitet le të paraqitet, kush nuk do, mos të paraqitet”, tha Rama. Ai këmbënguli se vendi nuk do të mbetet kurrë pa opozitë

“Për fat të keq, përveç PD e disa satelitëve të saj, unë nuk shoh rrugë tjetër vetëm dialogun, jam i gatshëm për një dialog pa kushte, duke shpresuar se në tryezë do të gjendet filli i arsyes, jemi të gatshëm të pranojmë çdo gjë, që përmirëson, kuadrin ligjor të zgjedhjeve dhe çdo mekanizëm që mund të përbëjë një garanci më shumë për opozitën, por nuk jemi të gatshëm ta kthejmë Shqipërinë mbrapa dhe në fund të fundit shteti që ne duam të ndërtojmë është një shtet që bazohet në Kushtetutë, në respektin për qytetarin, ndaj Kushtetutës, sesa të thuash: O kështu, o rashë vdiqa nuk ka”, u shpreh Rama.

Lidhur me çështjen e presidentit, kryeministri Rama tha se nuk ka asgjë që nuk negociohet për aq kohë sa janë në dorën tonë. “Në dorën tonë nuk është mandati i shqiptarëve, qeveria dhe të shtyhen zgjedhjet. Të tjerat janë të ndryshueshme. Duan të ndryshojmë Kodin Zgjedhor e ndryshojmë, duan të diskutojmë për presidentin, e bëjmë. Por këto nuk mund të zgjidhen në çadër me këngë, valle dhe fjalime halucinante. Edhe datën e zgjedhjeve e diskutojmë edhe qeverinë teknike, por nuk biem dakord”, tha Rama. Ai shtoi se për president konsensual ishte i interesuar.
Sigal