Qeveria pranon se ka shtyrë privatisht kontratën e koncesionit të Kolaudimit

560
Sigal

Në një njoftim për shtyp të shpërndarë në mënyrë selektive në një numër të kufizuar mediash, por të papublikuar në faqen e vet të internetit, Ministria e Infrastrukturës pranoi se ka shtyrë afatin e kontratës së koncesionit të kontrollit të detyruar teknik të automjeteve, ndërsa nuk ofroi argumente se nuk u pa e arsyeshme rikthimi i aseteve të koncesionit te autoriteti publik.

Pas muajsh të tërë heshtjeje dhe në përfundim të atyre që duket se kanë qenë bisedime sekrete, Ministria e Infrastrukturës pranoi të mërkurën se ka vendosur të shtyjë afatin e kontratës kontroverse të koncesionit të kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve, një koncesion që i kushton shqiptarëve miliona euro në vit.

Shtyrja e kontratës pritet t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë disa milionë euro fitime të munguara për periudhën nga shtatori 2019 deri në dhjetor 2020, fitime që do t’i kishin kaluar buxhetit të shtetit në rast se qeveria do të merrte asetet e koncesionit pas, siç është parashikuar në kontratën fillestare.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, parashikimet e Kontratës bazë të Koncensionit si dhe kërkesën e shoqërisë “SGS Automotive Albania”, përfaqësuesit e MIE kanë zhvilluar disa takime negociuese me përfaqësuesit e kompanisë koncensionare, në lidhje me shtyrjen e afatit të kontratës,” thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në disa media, por të papublikuar në faqen zyrtare të internetit të ministrisë.

Sipas njoftimit, kontrata është shtyrë deri në vitin 2020 ndërsa ministria nuk jep shpjegime se për çfarë arsyeje është vendosur shtyrja e kontratës dhe jo kthimi i koncesionit nën pronësinë publike.

Njoftimi vjen një ditë pasi kontrata fillestare dhjetëvjeçare e nënshkruar nga qeveria paraardhëse e qendrës së djathtë, skadoi. Shtyrja e afatit të kësaj kontrave vë në pah gadishmërinë e qeverisë për të negociuar në mënyrë private dhe pa kurrfarë transparence publike kontratat koncesionare, të cilat rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve.

Koncesioni i kontrollit teknik të automjeteve u dha në vitin 2009 me afat dhjetëvjeçar.

Marrëveshja e koncesionit parashikon detyrimin e kompanisë për të investuar 561 milionë lekë (afro 4.3 milionë euro). Në shkëmbim të këtij investimi, qeveria shqiptare i kalonte të drejtën të arkëtonte tarifën e kontrollit vjetor teknik të automjeteve, tarifë e cila deri në atë kohë ishte pjesë e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Të dhënat e bilanceve të kompanisë, të para nga BIRN tregojnë se kompania realizoi përgjatë periudhës nëntëvjeçare nga viti 2009 deri më 2018 të ardhura totale prej 6.3 miliardë lekësh, fitim operativ prej 1.3 miliardë lekësh dhe fitime neto pas taksave prej 842 milionë lekësh.

Përfitimet totale të kompanisë mëmë nga koncesioni mund të jenë më të larta se sa kaq. Për shembull, kompania duket se zgjodhi ta kryejë investimin prej 561 milionë lekësh që kishte detyrim kontraktor pjesërisht duke marrë hua nga kompania mëmë dhe pjesërisht përmes një injektimi kapitali në masën në 190 milionë lekë (afro 1.3 milionë euro) në vitin 2011 me financim nga kompania mëmë. Përgjatë viteve, SGS Automotive Albania sh.p.k pagoi interesa për kredinë që mori nga kompania mëmë.

Gjatë vitit 2018, kompania koncesionare SGS Albania pati 192 milionë lekë fitime neto dhe një kthim në masën 100% mbi kapitalin aksioner të kompanisë, i cili ishte 190 milionë lekë.

SGS është një nga shumë koncesionet kontroverse të nënshkruara nga qeveria e kaluar e Partisë Demokratike dhe ajo e qeverisë aktuale të kryeministrit Edi Rama, koncesione që kanë krijuar më së shumti monopole me kosto prej qindramiliona eurosh në vit në një nga vendet më të varfra në Europë.