Qeveria përshëndet arrestimet për skandalin e barnave: Fund korrupsionit

371
Qeveria përshëndeti arrestimet për skandalin e rimbursimit të barnave përmes koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Çuçi, tha se ky rast është dëshmi e qartë e vendosmërisë së qeverisë për të luftuar korrupsionin në çdo nivel të tij.
Çuçi: “Në cilësinë e kordinatorit kombëtar kundër korrupsionit jam këtu për të përshëndetur arrestimet e bëra nga policia me urdhër të Prokurorisë. Aksioni është dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për të luftuar korrupsionin, ndaj kujdo dhe këdo që ai përfaqëson. Dëshiroj të përgëzoj Prokurorinë, e cila çoi deri në fund një hetim të nisur nga Departamenti antikorrupsion pranë Kryeministrit”.
Çuçi inkurajoi Prokurorinë t’i japë të njëjtën përgjigje edhe denoncimeve të tjera të bëra nga qeveria.
Çuçi: “Inkurajojmë Prokurorinë të veprojë në të njëtën mënyrë me të gjitha denoncimet e bëra nga qeveria qoftë për zyrtarë të këtyre 18 muajve qeverisje, qoftë për zyrtarë të qeveverive të kaluara cfarëdo pozicioni dhe niveli qeverisës që ata kanë qenë”.
Duke theksuar se kultura e pandëshkueshmërisë nuk do ketë vend në qeverinë Rama, Ministri Çuçi theksoi se vetëm përmes kordinimit të organeve ligjzbatuese do mund të kemi rezultate konkrete.
Çuçi: “Kultura e pandëshkueshmërisë nuk do të ketë vende në qeverinë tonë dhe ky fenomen do të marë fund njëherë e përgjithmonë. Ne mbetemi më të vendosur se kurrë për të luftuar korrupsionin, këtë fenomen që ka ngërthyer shoqërinë tonë dhe tenton ti vërë fre zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë. Ky rast tregon edhe njëherë se vetëm përmes një bashkërendimi të mirë dhe të frytshëm të institucioneve ligjzbatuese do të kemi rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit”.
Sigal