Qeveria paguan qiranë e banesës së kryeprokurores

92
Qeveria vendosi t’i paguajë qiranë e banesës prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku, e cila duket se do të zhvendoset nga Shkodra në Tiranë. Me një vendim të posaçëm, Këshilli i Ministrave vendosi kompensimin, në masën 35 mijë lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. “Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme”, thuhet në vendimin e qeverisë. Aty nënvizohet se shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme. Përpara marrjes së detyrës së kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku ushtronte detyrën e prokurores në Shkodrës, ku edhe banonte. Tashmë asaj do t’i duhet të zhvendoset drejt Tiranës, ndërsa ende mbetet e paqartë se sa do të zgjasë detyra e saj e përkohshme.