Qeveria pa platformë për 100 -vjetorin, nuk duhen nënvlerësuar figurat e mëdha

382
Sigal

FORUM/Flasin për “Telegraf”, figura të ndryshme për festimet e 100- vjetorit dhe për shtrembërimet që po i bëhen historisë

Me afrimin e festave të nëntorit në këtë 100 -vjetor të pavarësisë së shtetit shqiptar diskutimet për festimet e këtij viti janë një çështje më vete në ambientet e ndryshme intelektuale. Por normalisht nuk ngelen jashtë as tematika të tjera në këtë 100- vjetor që kanë të bëjnë me rishikimin dhe rishkrimin e historisë, e  cila ka qenë po ashtu një nga temat më të lakuara kohët e fundit. Është hedhur edhe nga zyrtarë të lartë ideja e rishkruarjes me vërtetësi të historisë, emra, ngjarje dhe dokumente të së cilës janë falsifikuar ose lënë në harresë për arsye politike etj.. Nisma duket vërtetë fisnike, pasi dihet që historia nuk është dhënë asnjëherë e plotë dhe pasurimi i saj është domosdoshmëri. Mirëpo, duke u nisur nga një sërë faktesh, bindesh se kemi të bëjmë me një ripolitizim të historisë, madje dhe me përmbysje të saj. Po të shohim kemi edhe ndryshime të emrave të rrugëve dhe shesheve. Një nga rastet më të freskëta është zëvendësimi në Tiranë të rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” me emrin e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Para disa ditësh një segmenti rruge në kryeqytet iu vu emri i heroit kombëtar hungarez, Janosh Huniadit, bashkëkohës dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Duhet nderuar heroi i hungarezëve, por pse t’i hiqet emri i Vaso Pashës nga ajo rrugë? E, është Vaso Pasha ai që ka shkruar vargun lapidar: “Feja e shqiptaria është Shqiptaria!”. Në lidhje me këto çështje kanë folur për “Telegraf”Besim Ndregjoni, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve, Mehdi Pogaçi, kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve të Liruar dhe në Rezervë. Pedagogia e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës Majlinda Keta.

PYETJET PËR FORUM

1-Si i shikoni përgatitjet që po bëhen nga qeveria në kuadër të festimeve të 100 vjetorit?

2-A është e drejtë që festimet të bëhen në Tiranë në këtë 100 vjetor dhe jo në Vlorë?

3-Shumë prej rrugëve po u hiqen emrat e dëshmorëve të luftës dhe po zëvendësohen me emra të tjerë. Si e shikoni këtë veprim?

4-Në shumë raste po lartësohet figura e Ahmet Zogut dhe po lihet në hije figura e Ismail Qemalit. Çmendim ndani për këtë?

MEHDI POGAÇI, kryetari i shoqatës së ushtarakëve të liruar dhe në rezervë

1-Për mendimin tim, festimet për 100- vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar duhet të kishin filluar që në 1 janar të këtij vitit dhe të kurorëzoheshin me 28 Nëntor, ditën e ngritjes së flamurit. Vlora duhej të shpallej, qoftë edhe për një javë, minimumi për një ditë, kryeqyteti i Shqipërisë. Atë javë ose atë ditë, duhet të mblidheshin nga të gjitha trevat e Shqipërisë, përfaqësuesit më në zë dhe të krijonin një qeveri të përbashkët provizore, në mënyrë simbolike, por me një domethënie të madhe për te tashmen dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Politika shqiptare do të duhej të ishte më bashkëpunuese midis të majtës e të djathtës, të bënin kompromise dhe të gjenin zgjidhje për të gjitha problemet e kohës, duke realizuar eventin më të madh të viteve të fundit, pas pranimit në NATO, fillimin e negociatave për të hyrë në BE.

2-Lidhur me këtë pyetje, mendoj se festimet kanë të bëjnë me dy elementë themelore: Së pari, me ditën e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe së dyti, me 100 vjet shtet shqiptar, gjë e cila ka të bëjë më tepër nga momenti i krijimit të qeverisë së re e deri më sot. Nëse do të flasim për pikën e parë, epiqendra e festimeve duhet të jetë dhe do të jetë Vlora. Ngritja e flamurit në Vlorë nuk u bë thjesht se ishte qyteti i lindjes së burrit trim e të mençur, Ismail Qemali, por ishin kushtet gjeopolitike të kohës, aty ku shovinizmi i fqinjëve ishte më i dobët se në qytetet e tjera. Prandaj, jo thjesht simbolika, por pikënisja dhe gjithçka  rrodhi më vonë për krijimin dhe zhvillimin e shtetit bashkëkohor shqiptar ishte 28 Nëntori, prandaj festimet e kësaj dite duhet të përqendrohen në Vlorë. Historia e shpalljes së Pavarësisë është e qartë dhe Meka e saj është sheshi i Flamurit. Festa për 100- vjetorin e shtetit shqiptar mund të vazhdojë dhe të finalizohet në Tiranë deri ditët e para të dhjetorit, kur u krijua qeveria e parë shqiptarë.

3-Nuk jam dakord me një veprim të tillë, nëse ai bëhet qëllimisht. Sot, askush nuk është kundër asaj që Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e rreshtoi Shqipërinë në anën e Aleatëve të mëdhenj, aleatë me të cilët sot jemi në NATO dhe për të cilën jemi krenarë. Për më tepër, jemi ne vetë që e ideologjizojmë luftën tonë në një kohë që shumica e dëshmorëve, për mos të thënë të gjithë ata, ende nuk dinin se çfarë ishte komunizmi.

4-Ky është gabimi që ka bërë dhe vazhdon të bëjë politika jonë, e cila, sipas pikëpamjeve të saj, të djathta apo të majta, mohon vlera dhe periudha të tëra të historisë, jo vetëm të shkuar, por edhe të sotme. Merret pushteti nga e djathta dhe mohohet çdo element pozitiv i qeverisjes së majtë, merret pushteti nga e majta mohohet gjithçka e krijuar nga qeverisja e djathtë. Vlerat e Ismail Qemalit janë vlera të një patrioti të madh, pa veprimin e të cilit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, do të ishte shtyrë, kush e di se për kur edhe Pavarësia e vendit edhe krijimi i shtetit shqiptar, sidomos në kushtet e një shovinizmi të egër të vendeve fqinje të asaj kohe. Të krijosh diçka nga e para është shumë herë më e vështirë se sa ta ndryshosh atë gjatë rrugës. Përpos krijimit të një shteti relativisht modern, mbi Ahmet Zogun, rëndojnë edhe disa veprime jo të denja për një drejtues  shteti, siç janë marrja e pushtetit me ndihmën e mercenarëve serbë e ruse të bardhe, vetëshpallja mbret, si dhe largimi nga Shqipëria ditën e pushtimit nga Italia fashiste. Megjithatë le t’i njihen edhe atij ato merita që ka në drejtimin dhe konsolidimin e shtetit, krahas meritave të pakrahasueshme  të Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Sotirit e gjithë patriotëve të tjerë të mëdhenj të ditës së Flamurit.

BESIM NDREGJONI, sekretar i Shoqatës së Integrimit të Burgosurve Politikë

1-Festimet e 100 -vjetorit të Pavarësisë, janë obligim i shtetit shqiptar dhe shqiptarëve kudo që ndodhen. Sigurisht që qeveria ka peshën përgjegjësinë kryesore të merret me përgatitjen e këtyre festimeve. Me thënë  të drejtën unë jam kundra politizimeve të festës, siç po veprohet. Dhe kjo tregon si maxhoranca edhe opozita këtë festë duan ta kthejnë në modelin e konfliktit politikë dhe aspak vendin që zë kjo festë kombëtare tek shqiptarët. Ne kemi një bilance të kompleksuar të këtyre 100 viteve. Kemi 50 vite mbijetese, luftëra, e 50 vite diktature e dalje në liri. Shikoj se po bëhen shumë përgatitje, por duke anashkaluar ata patriotë dhe familja që i vrau diktatura komuniste. Duhet të jemi të qartë e të pastër, se duke harruar apo mënjanuar 50 vitet e diktaturës ne nuk i shërbejmë të vërtetës.

2-Festimet nuk do të bëhen vetëm në Tiranë, por në Shkup, në Prishtinë, në Vlorë. Sigurisht Tiranës i takon se është Kryeqyteti edhe i Vlorës. Me sa kam parë programin qeveritarë në Vlorë do të filloi festa që më datë 27 nëntor dhe dita e 28 Nëntorit do t’i gjejë të gjithë shqiptarët në Vlorë, në ngritjen e flamurit tonë kombëtar, në nderim të Plakut të Vlorës Ismail bej Kemal Vlora dhe të Dom Nikoll Kaçorrit, të Lef Nosit, të Mustafa Krujës, të imam Vebi Dibrës, e të Luigj Gurakuqit, pa lënë këtu heroin e Kosovës e të shqiptarëve Isa Boletinin. Në Filadelfia është nënshkruar karta e Pavarësisë amerikane, por festimet bëhen në Uashington të gjitha qytetet shqiptare kanë Tiranën Kryeqytet. Dhe nderimi mbas ngritjes së flamurit në Vlorë i takon Tiranës, se ai flamur ka vulosur kryeqytetin, Kushtetutën, shtetin. Unë nuk shoh ndonjë padrejtësi jo më ndaj Vlorës, as ndaj Shkupit, Ulqinit, Prishtinës.

3-Nuk kam të dhëna për heqjen e emrave të rrugëve. Por me sa kam parë unë shumë rrugë, shkolla, kanë një emër dëshmori të luftës së dytë botërore. Për shembull Vasil Shanto apo Qemal Stafa, janë emrat e tyre në shumë rrugë e në shumë institucione këto emra, dhe kjo është e lënë nga diktatura komuniste për të përjetësuar luftën e tyre se sa kontributet e tyre. Sigurisht që ata që kanë dhënë jetën për kombin pavarësisht nga bindjet politike duhen nderuar. Por unë shoh shumë pak emra nga ata që u vranë nga diktatura komuniste, nuk besoj se Qemal Stafa ka dhënë kontribut më shumë për luftën më shumë se Hysni Lepenica, nuk besoj se, Vasil Shanto ka dhënë kontribut më shumë se Preng Cali për kombin. Prandaj pa përfshirë interesa politike të partive politike, pa përfshirë historian të ideologjizuar që fatkeqësisht ne i kemi me shumicë.

4-Realisht unë nuk shoh që po lartësohet figura e shtetformuesit të parë shqiptar Ahmet Zogut dhe po lihet në hije figura e Babait të Pavarësisë Ismail bej Kemal Vlonës. Unë mendoj se po t’i heqim Ymer Prizërenin, e Abdyl Frashërin a do të kishim Lidhje të Prizrenit. Dhe këto ishin nga dy skaje të Shqipërisë, po t’i heqim Pavarësisë Ismail Qemalin e Isa Boletinin a do të kishim pavarësi? Po t’i heqim Ahmet Zogun, a do të kishim shtet shqiptar, pra këta burra në kohë të ndryshme në momente deçisive kanë dhënë emrin Shqipërisë dhe ne sot krenohemi si për  lidhjen e Prizrenit, si me pavarësinë, si me krijimin e shtetit shqiptar. Këto figura janë të çimentuar në historinë e kombit dhe sado të mundohet politika, a po antikombëtarët shqiptarë këto ngelen simbole të pavdekshme të këtij kombi. Dhe do të nderohen si Ismail Qemali, si Ahmet Zogu. Lartësimin këto dy figura e kanë në kontributet që i kanë dhënë Shqipërisë, Isamil Qemali pa Ahmet Zogun do të ishte në hije.

MAJLINDA KETA, Pedagogia e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës

1-Në këtë 100 vjetor të shtetit shqiptar NE, shqiptarët kudo që jemi, nuk kishim nevojë të dëgjonim në këto ditë të NËNTORIT 2012 axhendën e Qeverisë, ne kishim domosdoshmëri të kishim një platformë të shtrirë 1 vjeçare të Shqiptarëve e marrë nën siguri të respektimit nga 2 shtetet dhe gjithë faktorët politikë shqiptarë nëpër botë. Fakti që edhe ne të dyja ende flasim për përgatitje të qeverisë do të thotë që ne afrimit të DITËS nuk i kemi kuptuar thelbin identitar dhe fuqizimin që DITA qëndrimi i gjithë shqiptarëve, pa dasi politike dhe territoriale jetese. Me pak fjalë FESTA IDENTITARE nuk ka mbërritur në qelizë të identitetit tonë si shtet, pra tek institucionet demokratike dhe shtetasit e tij. Jam mbështetëse se çdo institucion duhet të kishte konsumuar një vit të veçantë ku refleksioni institucional duhet të përbënte boshtin e së veçantës. Kështu institucionet qendrore duhet të përfshinin edhe axhendën e integrimin nën një fuqi tjetër të ideimit e kërkesës për sjelljen e tyre shtetformuese dhe shtet-kontribuuese. Ministritë e Arsimit dhe Shkencës në Tiranë, Prishtinë duhet të ishin promotorët e aktiviteteve që duhet të synonin strategji të ndërtuara dhe analizuara në atë se çfarë ka kontribuar Edukimi për sjelljen shtetformuese dhe shtet-kontribuuese këto 100 vite, por në mënyrë të veçantë sot për Shtetin identitar drejt familjes BE. Kush nga ne të dyja e di axhendën e Muzeut Historik Kombëtar, Akademisë së Shkencave apo të Arkivës së Shtetit këtë 100- vjetor. Kush e mori përsipër t’u flasë brezave të të rinjve dhe studentëve nën një siguri të lartë shkencore mbi 100 vite shtet, arritje dhe sfidë ? Ne i kemi lënë në mungesë përkundesje dhe përfshirje në proces trashëgimtarët e Shqipërisë dhe shqiptarizmës dhe shtetformimit për 100 vitet e tjera. Ky politizim i tejskajshëm i historisë nga politikanët e “marrë” është me shumë dëme edukative për fëmijët e të rinjtë.

2-Populli i falet historisë së vet në ditë, në ngjarje, vende e figura atje, ku ja ka sjellë historia e gojëdhanur e letërshkruar. Vlora nuk mund të mohohet nga askush se është vetë Historia, por kjo nuk do të thotë që filozofisë së kësaj historie mos t’i bashkëngjiten të gjithë qytetet shqiptare nga Tirana, Prishtina, Ulqini, Tetova dhe shqiptarët nëpër botë kudo që janë e në mënyrë të veçantë aty ku kemi përmendore të Skënderbeut, Nënë Terezës apo figurave të tjera nëpër botë. Tirana zyrtare, figurat e larta të shtetit, atë ditë quhet e tillë vetëm në Vlorë sikurse zyrtarisht TIRANA është sipërmarrësja më e madhe e rrëfimit historik i 100 viteve shtet, arritje dhe sfidë dhe e drejta e menaxhimit të saj i takon Kryebashkiakut Basha. Zoti ka bërë 24 orë, autostrada lehtëson komunikimin jo për qeveritarët nën këtë koncept, por dhe për ne shtetasit e thjeshtë që të jemi në Vlorë dhe Tiranë njëkohësisht. Të vetmen gjë që nuk duhet të humbim të gjithë bashkë është Emocioni Kombëtar i orës që do zhvillohet ngritja zyrtare e flamurit nga një FIGURË e Mbarëshqiptarëve….gjë për të cilën duhet të ketë patur kohën e nevojshme Presidenti i Republikës t’ja ketë ofruar zyrtarisht dhe nën kompromis të faktorëve shqiptarë, kudo, ku ndodhen.

3-Kjo tregon për një miopi konceptuale të faktit që ANTIFASHIZMI është vlerë historike mbarëbotërore dhe ato që kanë patur atë ideal janë vlera që duhen përjetësuar . Ne duhet t’u përkulemi deri në tokë këtyre figurave që atdhedashurinë e treguan përmes një qëndrimi që ishte dhe është vlerë mbarëbotërore dhe në të gjitha kohërat. Kush vepron ndryshe duhen vlerësuar në vlerë ose mosvlerë të tyre ndaj kombit nën këtë prizëm.

4-Nuk ka lindur dhe nuk do lindë një burrë a një grua që të besohet nga mendjet e shqiptarëve kudo janë me një tezë të tillë. Kontributi i Ismail Qemalit është gjigandi veprim i shqiptarëve në shekuj dhe po kështu edhe figura e tij. Çdo shtet që të fillojë të shkruajë historinë e shtetformimit së pari duhet të ketë të ligjëruar pavarësinë e tij e këtë ne e kemi të njehsuar tek figura e Ismail Qemalit dhe mbështetësve të tij në atë ditë. Pra 100- vjetori kërkon BABAIN e shtetit shqiptar së pari dhe në piedestal.