Qeveria miraton vendimin për projektligjit për vlerësimin e gjyqtarëve

44
Ditën e sotme, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për propozimin e projektligjit “Për sistemin e vlerësimit të veprimtarisë së gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.
Ky projektligj është një ndër masat e kërkuara në kudër të Prioritetit nr. 2 të Udhërrëfyesit për zbatimin e reformave të nevojshme për 5 prioritetet kyçe për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë fazës përgatitore të këtij projektakti, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtësisht me aktorët e përfshirë në procesin e vlerësimit, përvoja e të cilëve ka qenë një vlerë e shtuar gjatë hartimit. Për këtë qëllim u ngrit një grup i përbashkët pune me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Unioni i Gjyqtarëve, kryetarë gjykate, gjyqtarë si dhe përfaqësues të misionit të BE “Konsolidimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri (EURALIUS IV), që kanë asikstuar në çdo fazë të hartimit të tij. Projektligji iu nënshtrua fazës së konsultimit me të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë, grupet e interesit, si dhe me ekspertë vendas dhe të huaj.
Risitë:
➢ Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i veprimtarisë së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale dhe etike të veprimtarisë së gjyqtarit.
➢ Synimi i këtij ligji është të përmirësojë në mënyrë të vazhdueshme aftësitë dhe kapacitetin e gjyqtarëve, duke përcaktuar standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve.
➢ Objektivat e këtij ligji janë përcaktimi i parimeve, kritereve dhe procedurava për vlerësimin profesional dhe etik të gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit.
➢ Vlerësimi profesional dhe etik do të shërbejë për të informuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë në procesin e vendimmarrjes në lidhje me ngritjen në detyrë dhe transferimin e gjyqtarëve duke siguruar një proces zhvillimi të karrierës së tyre të bazuar në meritokraci dhe kritere objektive.
➢ Ky vlerësim do të informojë KLD-në dhe Shkollën e Magjistraturës në lidhje me nevojat për trajnim dhe për të lehtësuar planifikimin për trajnim.
➢ Ky projektligj do të lehtësojë identifikimin e gjyqtarëve që mund të kenë aftësi të veçanta profesionale dhe do të kontribuojë në përmirësimin e strukturës organizative të gjykatave, të kushteve të punës të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor.
➢ Ky projektligj nuk prek çështjet institucionale në lidhje me vlerësimin, por ndjek strukturën institucionale aktuale sipas të cilës Këshilli i Lartë i Drejtësisë është organi përgjegjës për vlerësimin. Aspekti institucional do të shqyrtohet në kuadër të reformës së sistemit të drejtësisë që është duke u hartuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën në Sistemin e Drejtësisë”.
➢ Sistemi aktual i vlerësimit bazohet në vendimin nr. 261/2, datë 14.04.2010, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon se vlerësimi përgatitet në formë përshkruese dhe statistikore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe bëhet nga vetë Këshilli.
Sistemi aktual i vlerësimit bazohet kryesisht në veprimtarinë që kryejnë inspektorët e KLD-së për të mbledhur të dhëna në lidhje me performancën e gjyqtarëve. Aktualisht kriteret dhe procedura i ofrojnë relativisht Këshillit të Lartë të Drejtësisë një hapësirë të gjerë diskrecioni.
Sipas progres raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë vlerësimi i gjyqtarëve përbën një kriter vendimtar për një proces të bazuar në meritë dhe transparent të transferimit dhe ngritjes në detyrë. Nevoja e rregullimit të sistemit të vlerësimit me ligj përbën garanci dhe parakusht për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur zbatimit të tij.
➢ Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm.
➢ Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit i cili bëhet i detyrueshëm duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit duke siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.
➢ Kriteret e vlerësimit janë të përcaktuara qartë dhe janë të matshme, bazuar në tregues të caktuar. Vetvlerësimi është i detyrueshëm dhe përbën pikënisjen e procedurës së vlerësimit.
➢ Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj: jep garanci për objektivitetin e procesit duke qenë se kriteret janë të përcaktuara dhe me tregues të matshëm.
Një ndër qëllimet e këtij projektligji është të përcaktojë standarde të qëndrueshme për cilësinë dhe sasinë e veprimtarisë së gjyqtarëve.
Vlerësimi kryhet, duke i dhënë rëndësinë më të madhe vlerave profesionale dhe cilësisë në punë në funksion të zhvillimit të karrierës profesionale.
➢ Çdo gjyqtar vlerësohet së paku një herë në 3 vjet. Kryetari i gjykatës vlerësohet së paku një herë në 4 vjet, sipas kritereve dhe procedurave të parashikuara në këtë ligj. Në çdo rast veprimtaria e tij vlerësohet brenda kohëzgjatjes së mandatit, por jo më vonë se 3 muaj nga mbarimi i mandatit të tij.
➢ Projektligji parashikon shprehimisht se në procesin e vlerësimit zbatohen rregullat e parashikuara në legjislacionin për papajtueshmërinë e ushtrimit të detyrës dhe për parandalimin e konfliktit të interesave.
➢ Projektligji parashikon dhe procedurën e vlerësimit me kërkesë/ të përshpejtuar për të shmangur situatat e mungesës së një vlerësimi në rastet e ngritjes në detyrë dhe transferimit.
➢ Vlerësimi kryhet nëpërmjet një procesi të shpejtë, me anë të procedurave të thjeshta dhe në afate kohore të arsyeshme për të siguruar të dhëna në kohën e duhur për karrierën e gjyqtarit.
➢ Procedura e vlerësimit respekton standardet e procesit të rregullt ligjor për gjyqtarin, duke përfshirë të drejtën për t’u njohur me aktet, të drejtën e aksesit në dosjen e vlerësimit, të drejtën për të marrë pjesë në proces, të drejtën e kontradiktoritetit, të drejtën për t’u dëgjuar, të drejtën për t’u mbrojtur, të drejtën për të patur një akt vlerësimi të arsyetuar dhe të drejtën për t’u ankuar mbi aktin e vlerësimit.
➢ Subjektet e ngarkuara me detyrën e vlerësimit janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin e të dhënave të gjyqtarit që vlerësohet, si dhe të dhënat e tij personale sipas legjislacionit në fuqi.
➢ Kryetarët e gjykatave vlerësohen gjithashtu për veprimtarinë e tyre si kryetar gjykate, mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga ky projektligj.
➢ Gjithashtu parashikohet se gjyqtarët, të cilët janë rekrutuar në struktura të tjera juridiko-profesionale dhe ruajnë statusin e gjyqtarit, vlerësohen sipas rregullave të vlerësimit në strukturën ku ata janë rekrutuar.