Qeveria miraton projektligjin “Për dhënie amnistie”. Përfitojnë 2094 të dënuar

618
Sigal

Në kuadrin e 100 -vjetorit të Pavarësisë. Ja kategoritë përfituese dhe ligji i plotë

Këshilli i Ministrave miratoi dje, projektligjin “Për dhënie amnistie”.  Kryeministri Berisha tha se, amnistia merret në kuadrin e 100- vjetorit të Pavarësisë. Qëllimi i projektligjit është dhënia e amnistisë, të gjithë personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, për vepra penale me rrezikshmëri shoqërore të ulët apo për kategori të caktuara të personave të dënuar. Projektligji “Për dhënie amnistie” është iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë. Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga ndjekja penale, nga vuajtja tërësisht ose pjesërisht e dënimit ose të bëjë zëvendësimin e dënimit me një lloj dënimi më të butë për të gjithë personat që plotësojnë kriteret sipas dispozitave të këtij ligji. Dhënia e amnistisë udhëhiqet nga parimet e humanizmit, arritjes së qëllimit të dënimit, rrezikshmërisë së ulët të personave që amnistohen, si dhe mbrojtjes së interesit publik. Të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas pikës 1, të këtij neni, u zbritet ¼ e dënimit të mbetur, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Në rastin e personave të dënuar për shkak të përsëritjes së të njëjtës vepër penale, nuk do të aplikohet zbritja sipas këtij paragrafi.

Kriteri ndalues për përfitimin e amnistisë

Nuk përfitojnë nga kjo amnisti personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74 e 75, të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76 , 77, 78 dhe 79, të Kodit Penal, dhe vrasje të mbetur në tentativë, si dhe neni 77 i Kodit Penal Ushtarak;

c)vepra penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara në nenet 86, 87 dhe 89/a, të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 106 dhe 108, të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, paragrafi i dytë dhe i tretë,  109/b, 110, 110/a dhe 111, të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, të parashikuara në nenet 114, 114/a, 114/b, të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në nenet 128/a  dhe 128/b, të Kodit Penal;

ë) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 135, 136, 138, 138/a, 139, 140, 141, 141/a, 143/a, në paragrafin e tretë, të nenit 152, të Kodit Penal dhe në paragrafin e dytë e të tretë, të nenit 59, të Kodit Penal Ushtarak;

f) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;

g) krime, që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, të parashikuara në nenet 226 e 228, të Kodit Penal;

gj) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a e 234/b, të Kodit Penal;

h) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 245, 245/1, 248, 259, 259/a, 260, 270, paragrafin e i parë dhe të katërt, të nenit 278, 278/a, 279, 282/a, 283, 283/a, 283/b, 284, 284/a, 284/c, 284/ç, 286, 287, 287/a, 288, 290 e 298, të Kodit Penal;

i) vepra penale kundër drejtësisë, të parashikuara në nenet 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh e 319/e, të Kodit Penal;

j)vepra penale të kryera nga banda e armatosur dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

Pushimi i ndjekjes penale

Pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetim, për çështjet e pashqyrtuara nga gjykatat dhe për kallëzimet, që ndodhen në këto organe dhe në organet e rendit publik, për veprat penale të kryera deri në datën 31 gusht 2012, për të cilat Kodi Penal parashikon dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë.

Kriteret për përfitimin e amnistisë

Plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas këtij ligji:

a)Personat e dënuar me burgim deri në 2 vjet, pavarësisht kohës së mbetur nga dënimi, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

b)Personat e dënuar ndaj, të cilëve aplikohet një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

c)Personat e dënuar me gjobë, për pjesën e pashlyer të saj, pavarësisht masës së gjobës, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

ç)Personat e dënuar me burgim, të cilëve, në datën 28 nëntor 2012, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 1 vit, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

d) Të dënuarat femra, që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji;

dh)Të dënuarit meshkuj, që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji.

e)Të dënuarit me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për vepra penale, të parashikuara në nenet 77, 78, 79 e 101, të Kodit Penal.