Qeveria miraton Planin Kombëtar për Integrimin Europian

513
Sigal

KM: 139 mln lekë për shpronësimet nga punimet në rrugën “11 Nëntori” në Elbasan

Qeveria miratoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave Planin Kombëtar për Integrimin Europin 2014-2020. Në bazë të këtij vendimi, Ministria e Integrimit Europian, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës. Gjithashtu, Ministria e Integrimit raporton çdo tre muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014-2020. Po ashtu, në bazë të këtij vendimi ministritë dhe institucionet e tjera duhet të raportojnë çdo tre muaj në Ministrinë e Integrimit Europian për realizimin e detyrave. Plani Kombëtar për Integrimin Europian është përpiluar në të njëjtën linjë me Planin Legjislativ Vjetor të qeverisë, si dhe me Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim. PKIE-ja është hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht.

Ja vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Europian, Këshilli i Ministrave vendosi:

1. Miratimin e Planit Kombëtar për Integrimin Evropian, 2014 – 2020, (PKIE, 2014 – 2020), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së, 2014 – 2020, për çdo kapitull, nga grupet ndërinstitucionale të punës (GNP), të ngritura me urdhrin nr.107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, “Për ngritjen, përbërjen dhe funksionimin e grupeve ndërinstitucionale të punës për integrimin evropian”.

3. Ministria e Integrimit Evropian raporton çdo 3 (tre) muaj në Këshillin e Ministrave për ecurinë e zbatimit të PKIE-së, 2014 – 2020.

4. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave raportojnë pranë Ministrisë së Integrimit Evropian, çdo 3 (tre) muaj (java e tretë e muajit të fundit), për realizimin e detyrimeve, që rrjedhin nga PKIE-ja, 2014 – 2020.

5. Ngarkohet Ministria e Integrimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, të monitorojë përfshirjen, nga ministritë dhe institucionet e tjera qendrore, në programin buxhetor afatmesëm, të nevojave financiare për zbatimin e përparësive afatshkurtra dhe afatmesme, të parashikuara në PKIE, 2014 – 2020.

6. Plani Kombëtar për Integrimin Europian është përpiluar në të njëjtën linjë me Planin Legjislativ Vjetor të qeverisë, si dhe me Strategjinë për Zhvillim dhe Integrim. PKIE-ja është hartuar në gjuhën shqipe dhe anglisht.

7. Vendimi nr.486, datë 25.7.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, 2012 – 2015, dhe përcaktimin e përgjegjësisë institucionale për përafrimin në legjislacionin shqiptar të çdo akti të legjislacionit të Bashkimit Evropian”, shfuqizohet.

8. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore në varësi të Kryeministrit, për të cilat në PKIE, 2014 – 2020, janë përcaktuar detyra të veçanta, për zbatimin e këtij vendimi.

Qeveria miraton procedurat për legalizimin e ndërtimeve pa leje nga shoqëria “Hawai Alb”

Qeveria ka miratuar procedurat për legalizimin e ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi të ndërtuara nga shoqëria “Hawai Alb”, Sh.p.k të cilat kryhen në favor të poseduesve të apartamenteve dhe ambienteve me funksion social – ekonomik. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, në tejkalim të projektit të miratuar, do të kryhen në dy faza: Faza e parë, legalizimi dhe regjistrimi pranë ZVRPP-së i objektit bazë, së bashku me shtesat eventuale anësore dhe/ose në lartësi të kryera nga vetë shoqëria “Hawai-Alb”, sh.p.k. Faza e dytë, legalizimi i shtesës anësore dhe/ose në lartësi si ndërtim i  bashkëngjitur ndaj objektit bazë, të kryera nga vetë subjektet poseduese. Sipas këtij vendimi ndërtimet pa leje, shtesat anësore apo ndërtimet në lartësi, u nënshtrohen procedurave të legalizimit edhe nëse për to nuk është kryer procedura e vetëdeklarimit apo nuk është paraqitur kërkesa për legalizim sipas afateve të parashikuara në ligjin Vendimi i qeverisë parashikon që ALUIZNI brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, evidenton, harton dhe publikon listën e ndërtimeve pa leje të ndërtuara nga kjo shoqëri si dhe listën emërore të poseduesve të apartamenteve të banimit dhe ambienteve me funksion social – ekonomik, më pas këto publikohen në faqen zyrtare të ALUIZNI-t.

Besnik Dervishi propozohet për Komisioner të Mbrojtjes të të Dhënave Personale

Këshilli i Ministrave vendosi për propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së z. Besnik Dervishi për Komisioner të Mbrojtjes të të Dhënave Personale.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33, të ligjit nr.9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi Propozimin Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të kandidaturës së z. Besnik Dervishi për Komisioner të Mbrojtjes të të Dhënave Personale”,- thuhet në vendimin qeverisë. Besnik Dervishi ka mbajtur më parë postin e Prefektit të Qarkut të Vlorës.

139 mln lekë për shpronësimet nga punimet në rrugën “11 Nëntori” në Elbasan

Këshilli i Ministrave vendosi sot shpronësimin e pronarëve të tokave, që preken nga hapja dhe sistemimi i disa segmenteve në rrugën “11 Nëntori”, në qytetin e Elbasanit.

Sipas vendimit të sotëm, shpronësimet për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken punimet në rrugët “11 Nëntori”, (sot rruga “Qemal Stafa”), segmenti nga shkolla “Jorgji Dilo” deri tek “Rotonda tek Posta”, gjithashtu dhe segmenti nga kthesa e stadiumit deri në bashkim me unazën Jugore në lindje të qytetit të Elbasanit.

Shuma totale e shpronësimeve është 139 milionë lekë, shumë, e cila do të përballohet nga të ardhurat e bashkisë së Elbasanit. Sipas vendimit, afati përfundimtar i shpronësimit është tre muaj pas miratimit të projektit.