Qeveria, ministrat përgatisin programin dhe kalendarin e vendimeve

428
Ministrat e rinj të qeverisë “Rama 2” janë duke shkruar pjesët e programit të ekzekutivit për sektorët që do të mbulojnë, së bashku me kalendarin e vendimeve që pritet të merren për çdo dikaster. Pas mbledhjes jozyrtare në Llogara, secili nga anëtarët e kabinetit të ri po përgatit pjesën e tij të programit, që do të grumbullohet në zyrën e kryeministrit Rama. Më parë pritet të zhvillohet edhe një takim tjetër i të gjithë qeverisë, sërish në formë jozyrtare. Do të jetë shefi i qeverisë që pritet t’i japë dorën e fundit programit, duke përfshirë në të edhe objektivat politikë të mandatit të dytë. Më pas, më 11 ose 12 shtator, Rama do ta shpalosë programin përpara Kuvendit për të kërkuar votëbesimin. Ndërkohë një grup i posaçëm po trajton edhe çështjen e bashkimit të disa ministrive, që tashmë do të kenë nevojë për një strukturë të re. Kjo strukturë pasi të hartohet do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave, duke i hapur rrugë edhe plotësimin me njerëzit e nevojshëm. Gjithashtu, një sfidë tjetër për qeverinë e re mbeten postet e zëvendësministrave. Vetë Rama ka deklaruar se numrat dy të ministrive do të marrin një rol të veçantë në strukturën e re organizative. Deri më tani është deklaruar se do të ketë një zv/ministër të posaçëm për çështjen e integrimit për shkak të shkrirjes së ministrisë përkatëse. Pritet që në ministritë e bashkuara të ketë një shtim të numrit të zv/ministrave, duke bërë edhe ndarjen e sektorëve që do të mbikëqyrë secili prej tyre. 

Seanca e parë e Kuvendit do të zhvillohet të shtunën më 9 shtator, ndërsa ende nuk është përcaktuar se cili prej deputetëve do ta çelë atë. Për shkak të moshës, seanca duhet të drejtohet nga Sali Berisha, por edhe 4 vite më parë ish-kryeministri refuzoi ta bënte një gjë të tillë. Një emër tjetër i mundshëm është ai i Tritan Shehut. 
Sigal