Qeveria me dy skenarë buxheti për 2013-n

458
Sigal

 EKSKLUZIVE/ Prof.Dr. Ermelinda Meksi, Anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë analizon Buxhetin e vitit 2013-s

Një nga personalitetet më të shquara të financave, Prof. Dr. Ermelinda Meksi, anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, në këtë intervistë të gjatë, ekskluzivisht për “Telegraf” analizon dhe “zbërthen” buxhetin e vitit 2013, diskutimi i të cilit fillon sot në Parlament. Prof. Meksi trajton këtu atë që deri tani askush nuk e ka prekur dhe që del qysh te pyetja e parë se: Ministria e Financave paraqiti dy skenarë buxhetore, me një qasje krejt të ndryshme nga njeri tjetri dhe me pasoja që sollën ndryshimin e ligjit mbi tavanin e Borxhit etj. Në fund, gjithashtu si askush tjetër, trajton rolin e Bankës së Shqipërisë, si një institucion i pavarur që duhet të vlerësohet për mesazhet që jep. Këto janë mesazhe të ftohta jopopuliste si një institucion serioz duhet të sigurojë në çdo vend të zhvilluar. Ka fokus për qëndrimin e BE në dy progres-raportet e fundit mbi performancën e borxhit dhe politikat prociklike të ndjekura në Shqipëri, të cilat për shkak të vëmendjes në vetëm 12 rekomandimet kanë qenë jashtë vëmendjes. Këto e probleme të tjera do i gjeni të trajtuara me një kompetencë profesionale në këtë intervistë.

 – Prof. Meksi, shpenzimet në projekt-buxhetin e vitit 2013 janë parashikuar 409.6 miliardë lekë, nga të cilët shpenzimet për investime 71.2 miliardë lekë. A mendoni se kanë një shpërndarje të drejtë te tyre, apo duhet rikonceptim i tyre për të shmangur probleme?

– Para se të flasim për shpenzimet e buxhetit duhet të shohim si janë programuar të ardhurat dhe si ka qenë ecuria e tyre vitet e fundit. Tipar i përgjithshëm është se ky buxhet si rëndom ka ndodhur më parë është i mbivlerësuar si në të ardhurat dhe shpenzimet. Pyetja juaj që i referohet shpenzimeve është me interes, nëse kujtojmë se Ministria e Financave  paraqiti  dy buxhete sipas dy skenarëve në Qeveri. Sipas skenarit të pare, buxheti ishte parashikuar të respektonte kuadrin makroekonomik të viteve 2013-2015, ku shpenzimet programoheshin në mënyrë të matur. Konkretisht: shpenzimet totale qenë 386 miliardë lekë dhe jo 409 miliardë lekë sipas buxhetit që po diskutohet në Kuvend, pra shumë të matura me një rritje vetëm 5 miliardë lekë. Ky programim ndiqte  tendencën e rritjes së një viti më parë, ndryshe nga buxheti që po diskutohet që programon shpenzimet me një rritje prej 30 miliardë lekë, ose 6 herë më të lartë se  skenari i parë i buxhetit. Po kështu, investimet ishin programuar 49 miliardë për të mbajtur në nivel të ulet deficitin buxhetor 28,9 miliardë lekë, kushtëzuar kjo nga tavani i borxhit 60 % të PPB. Ndërsa në skenarin e buxhetit që po diskutohet, investimet janë 71,4 miliardë lekë, ndërsa deficiti shkon në 48,7 miliardë lekë. Në këto kushte dhe borxhi publik nga 856miliardë lekë në buxhetin që po diskutohet arrin  895 miliardë lekë ose me një shtesë rreth 400 milionë $ kundrejt variantit tjetër, duke e çuar nivelin e tij përtej kufirit të deritanishëm në 62,7 %. Fondi i kontigjencës për ruajtjen e deficitit është ulur nga 3 miliardë lekë në 800 milionë, sepse me këtë qasje nuk i jepet rëndësi  uljes dhe ruajtjes së kontrollit të deficitit. Pra, duket qartë se tashmë me këtë buxhet ka ndryshuar vizioni i qeverisë që jepej në dokumentin e aprovuar prej saj në 1.8. 2012, sipas të cilit ruhej tavani i borxhit publik deri në  60 % të PPB dhe deficiti deri 3 % të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (PPB) dhe investimet parashikohej të arrinin deri në nivelin e deficitit.

– Mund të na sqaroni, zonja Meksi, se ku shkon shtesa e shpenzimeve buxhetore, konkretisht në cilat zëra të buxhetit?

– Në shpenzimet shtesë prej 30 miliardë lekësh kundrejt 2012, shkojnë 18 miliardë lekë për rritjen e shpenzimeve korente ose shpenzime qeveritare që nuk rrisin ekonominë, ku vetëm shtesa për interesat e borxheve është 7 miliardë lekë, të cilat arrijnë në vitin 2013 në 50,9  miliardë lekë, po të shtojmë dhe shtesën 3 miliardë për ripagesat e principalit të borxhit, kostoja e borxhit shtohet me 10 miliardë lekë ose më shumë se shtesa në investime që është 8 miliardë lekë. Ndërsa investimet arrijnë 71 miliardë lekë, kostoja e borxhit shkon rreth 64 miliardë lekë. Kjo panoramë tregon se në vend që të rrisim ekonominë me investime, po paguajmë për borxhet e marra, barrën e interesave të shtrenjta që rriten çdo vit.

Si përfundim, mund të themi se, ndërsa shpenzimet në këtë variant buxhetor rriten 7,2 %, ato karakterizohen nga rritja më e shpejtë e shpenzimeve për pagesën e interesave dhe principalit të borxhit, përkatësisht 16 % dhe 29 %, rritje këto më të larta se rritja e shpenzimeve për investime prej 12 %, kurse të ardhurat rriten më ngadalë 5,8 %. Pasojë e këtij skenari buxhetor është rritja me shpejtësi e borxhit publik me  8,8 % që arrin në 62,7 % të PPB. Kjo tregon se kujdesi për ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë nëpërmjet disiplinës dhe kontrollit të borxhit, nuk përbën prioritet, duke rrezikuar kaos fiskal me pasoja të mëdha për ekonominë.

– Qeveria Shqiptare nëpërmjet Ministrisë së Financave është shprehur se prioritet i buxhetit do të jetë përfundimi i projekteve të nisura. A duhet të vazhdojë infrastruktura rrugore të marrë vëmendjen më të madhe të buxhetit, apo ekonomia shqiptare ka domosdoshmëri të tjera si ulja e borxhit, tkurrja e deficitit tregtar apo pagesat e prapambetura në formë rimbursimi të TVSH-së?

– Përfundimi i investimeve të nisura mendoj se, është i drejtë. Mjafton të lëvizësh nëpër Shqipëri dhe shikon p.sh., se projektet më të hershme rrugore si Levan-Tepelenë, Fier-Vlorë etj., nga mungesa e realizimit të bypass-eve hyrëse në qytete nuk janë akoma funksionale sipas standardeve. Dhe po kështu me shembuj të tjerë. Por, nga ana tjetër, pyetja nënkupton se nevojat për  projekte në infrastrukturë duhen mbështetur me burime, prandaj me të drejtë ngrihet pyetja apo shqetësimi: nëse kjo politikë fiskale që prezanton buxheti, i konsolidon financat tona publike apo i dobëson ato duke   rrezikuar ekuilibrat makroekonomikë?

Nëse ju referohemi shifrave, ato flasin për përkeqësim të treguesve fiskalë të Shqipërisë. Konkretisht në vitin 2008, borxhi publik i vendit ishte 54.7 % e Prodhimit Kombëtar dhe megjithatë atë vit, Qeveria i premtoi  Fondit Monetar Ndërkombëtar se brenda 5 vitesh do ulte borxhin publik në 50 % të Prodhimit Kombëtar. Të dhënat vërtetojnë se në këto 5 vjet, borxhi jo vetëm nuk u ul, por është rritur. Për pasojë, vitin e ardhshëm borxhi kombëtar shkon sipas vetë qeverisë në 62.6 % të PPB. Ky fotografim i shifrave është i nevojshëm për të kuptuar riskun e madh të borxhit publik për qëndrueshmërinë ekonomike të financave tona dhe nevojën për KONSOLIDIMIN financiar. Një adresim i fortë e i zëshëm në Raportin e fundit të BE, por edhe në rekomandime të institucioneve të rëndësishme financiare, është borxhi ynë i lartë publik dhe nevojshmëria e reduktimit të tij në vite. Në të kundërt të këtij paralajmërimi, me projektbuxhetin e vitit 2013, qeveria  shënoi një precedent te ri në rritjen e borxhit duke hequr tavanin prej 60% të PPB për të. Nëse kjo tendencë nuk ndryshon së shpejti, barra e borxhit do rëndojë më shumë mbi ekonominë, për shkak të kostos së lartë të shërbimit të tij përtej aftësisë paguese duke rrezikuar ekuilibrat makroekonomikë.

Mendoj se  skenari i parë i buxhetit të paraqitur nga Ministria e Financave reflektonte  këtë rrezik, nisur dhe nga vetë programi i qeverisë që thekson: “Politikat aktive të rritjes ekonomike dhe sociale kërkojnë si kusht ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik. Parametra bazë optimale që qeveria mendon se profilizojnë këtë stabilitet janë: inflacion në nivelin e 3% në vit, borxh publik në nivelin e 50 % të PBB, defiçit buxhetor në nivelin e 3% të PBB”. (http://km.gov.al/?fq=preprog/programi))

– Edhe  të ardhurat në buxhetin e shtetit, megjithëse me mosrealizime në këto vite, janë parashikuar me rritje nga dikasteri i Financave. Cilat janë pasojat e parashikimit të gabuar të deficitit për dy vite rresht?

– Sigurisht saktësia e parashikimeve është shenjë e përgjegjësisë dhe mirëqeverisjes. Por në rastin shqiptar saktësia e parashikimit buxhetor ka lënë për të dëshiruar, aq sa ka sjellë nevojën për rishikim të buxhetit edhe 3-4 herë në vit.

Edhe në projekt-buxhetin e 2013-s, megjithëse të ardhurat janë në nivelin më të ulët në raport me PPB në 25,1 % të PPB, ose sa qenë në vitin 2005, ato parashikohen në madhësi absolute me një rritje jorealiste krahasuar me ecurinë e tyre në vitet e fundit. Konkretisht, të ardhurat për 2013-n rriten me 5,8 %, kur në vitin 2011 ato u rritën 1,8 % dhe për 10 mujorin e vitit 2012 rriten me 2 %. Pra, për 2013 parashikimi i të ardhurave mendohet në mënyrë jorealiste të jetë 360 miliardë ose 20 miliardë më shumë, ashtu si në vitin 2012 u parashikuan po kështu me eufori një shtesë të ardhurash prej 25 miliardë lekësh, ndërsa në fakt pritet të realizohet një shtesë vetëm 10 miliardë lekë.

Me të drejtë lind pyetja: si do të realizohet shtesa e të ardhurave prej 20 miliardë lekësh, kur rritja e tyre si 10 -mujor në 2012-n është shumë më poshtë? Duke parë në cilat të ardhura do kemi rritje, konkretisht parashikohet rritje me 5 %  në tatim fitimin, ndërsa si 10 mujor ky zë reflekton një rënie prej 16 %, duke treguar se biznesi po përjeton vështirësi. Çfarë do të ndryshojë në politikat ndaj biznesit në vitin 2013, që  të rriten të ardhurat e tij kaq shumë, po kështu mendoj se është jo realiste edhe rritja e parashikuar në të ardhurat nga TVSH-ja prej 5 %, kur si 10-mujor rriten vetëm 1,7 %, apo të ardhurat nga akciza që, megjithëse janë si tremujor me minus parashikohen të rriten 7 %, po njësoj për të ardhurat personale etj. Rreziku i këtyre parashikimeve jorealiste është mosrealizimi me pasojë thellimin e borxhit dhe deficitit. Prandaj këto çështje kërkojnë debat profesional dhe serioz, sepse bëhet fjalë për çështje me interes për ekonominë kombëtare, duke marrë shembull nga eksperienca e debateve në vendet e zhvilluara. Debati në parlamentin europian për buxhetin 2014-2020 po zhvillohet me negociata të vështira midis palëve për të gjetur kompromisin në këto kohë të vështira të krizës ekonomike, pa u ngutur për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Po njësoj debati vazhdon në Kongresin amerikan për të ashtuquajturin (“Fiscal cliff”) “shkëmb apo greminë fiskale”. Tek ne vërehet po i njëjti debat formal për buxhetin, sikur asgjë të mos ketë ndodhur, pa përpjekje për konsulenca me ekspertë jashtë qeverisë apo kompromis mbipartizan për çështje me interes kombëtar siç është konsolidimi fiskal dhe skenarët e zhvillimit. Debati më i rëndësishëm për ekonominë dhe zhvillimin e saj, ai për buxhetin, trajtohet si rëndom ka ndodhur vetëm në një seancë plenare të Kuvendit. Në një kohë që të gjitha vendet janë angazhuar në reforma shtrënguese, ne dukemi si  kundrarrymë me politikat e shpenzimeve mbi mundësitë, sikur asgjë nuk kemi kuptuar nga sa ndodh rreth nesh.

– Prof. Meksi, Projekt-buxheti 2013 parashikon mbështetje të investimeve në borxh publik për të stimuluar ekonominë. Cilat do të ishin pasojat, sipas jush?

– Tashmë pranohet gati nga të gjithë se ekonomia shqiptare e ka humbur ritmin e lartë të  rritjes. Nëse deri në vitin 2010, nuk pranoheshin nga maxhoranca në pushtet as efektet negative të krizës globale ekonomike financiare, tashmë pranohet se presioni i saj ka dhënë impakt të padiskutueshëm mbi ekonominë shqiptare. Për të shmangur debatin mbi nivelin e rritjes për të cilin kam rezerva si eksperte e fushës (rezerva që i vërtetoj shkencërisht në një studim të posaçëm për të),do theksoja se  rritja e pretenduar ekonomike nuk sjell rritje të punësimit dhe nuk sjell rritje të të ardhurave buxhetore. Ja disa fakte:

1. Në vitin 2011, të ardhurat buxhetore nominale kundrejt 2010 u rritën me 1.8 %, ndërsa në periudhën Janar – Tetor 2012, ato janë rritur me 2.0 %, përkatësisht inflacioni mesatar është rritur mesatarisht 3.5 %.dhe 1.95 %. Kjo panoramë e  rritjes së të ardhurave buxhetore tregon se ato në terma reale kanë pësuar rënie, duke qenë për këto dy vjet nën 2 %.

2. Borxhi publik nga 715.5 miliardë lekë në vitin 2010, në 2012 pritet të arrijë  822,8 miliardë lekë, duke u rritur 15 %, ndërsa borxhi pritet të rritet me 18 %.

3. Produkti kombëtar, PPB në 2010-2012 rritet nominalisht nga 1224 miliardë lekë në 1360 miliardë lekë ose 11 % .

Kjo panoramë tregon se  rritja nominale e borxhit publik prej 15 % është më i lartë se rritja ekonomike prej 11 % dhe akoma më shumë se rritja e të ardhurave me rreth 1,9 %. Në këto rrethana, a mund të vazhdohet gjatë me këtë skenar të ashtuquajtur rritje që ushqehet pa eficencë vetëm nga borxhi, kur ritmi i rritjes të borxhit publik, është dukshëm më i lartë se sa ritmi i rritjes të të ardhurave buxhetore në terma nominale dhe me një stanjacion e rënie të tyre në terma reale? Kjo përbën karakteristikën e rritjes ekonomike shqiptare që rezulton fiktive apo iluzore.

Prandaj, mendoj se në kushtet e stanjacionit dhe rënies reale të të ardhurave buxhetore, rritja dhe zhvillimi nuk mund të mbështeten duke rritur me ritme të larta borxhin, sepse aftësia paguese e kostos së tij është në rrezik. Në mungesë të rritjes së të ardhurave reale, përfundimi është se çdo rritje e pagave, pensioneve është bërë me borxh mbi mundësitë e ekonomisë, në një kohë që mësimet e krizës së vendeve rreth nesh bëjnë apel dhe sensibilizojnë për maturi.

(Vijon në numrin e ardhshëm)