Qeveria konfuzion me pagën minimale

362
Sigal


Muajt e fundit ka pasur disa deklarata kontradiktore për rritjen e pagës
minimale për efekt të pagimit të kontributeve, duke bërë çështjen rreth këtij
vendimi shumë konfuze. Në aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2016
që tashmë është në Kuvend, thuhet se “paga minimale, për efekt të pagesës së
kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përcaktohet nga Këshilli
i Ministrave dhe ndryshon sa herë që rriten pagat dhe pensionet”. Vitin e
ardhshëm është përcaktuar tashmë që do të rriten si pagat ashtu dhe pensionet
dhe në këtë linjë duhet të ndryshojë dhe paga minimale për efekt kontributesh.
Më herët në muajin tetor, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se
paga minimale për efekt kontributesh në sektorin privat nuk do të rritet. Nga
ana tjetër, pak javë më parë, Këshilli Kombëtar i Punës ka lajmëruar rritje
13.6%, nga 22,000 lekë që është sot në 25,000 lekë. Këshilli Kombëtar i Punës,
në mbledhjen e radhës, pritet ta diskutojë dhe do ta miratojë atë. Ndërsa
burime nga shoqatat e biznesit pohojnë se ata kanë rënë parimisht dakord me
ministrin e Financave për një rritje të lehtë të pagës minimale në 23 mijë
lekë. E ndërsa edhe brenda qeverisë nuk kanë munguar zërat e ndryshëm, vijnë
edhe opinionet pro e kundër nga sipërmarrja e punëmarrësit. Biznesi, ekspertët
e sindikalistët ndajnë mendime të ndryshme. Sipërmarrjet janë kundër. Me
rritjen e pagës minimale, në kushtet kur ajo nuk është e lidhur me
produktivitetin, bizneset pohojnë do të përballen me kosto më të larta, e që
mund ta reflektojnë këtë te çmimet. Apo, më keq, siç thonë edhe vetë
sipërmarrësit, mund të nxisë, me dëshirë, informalitetin. Florjan Zekja,
drejtues i një biznesi fason, thotë se “rritja e pagës minimale për sektorin
tonë do të ishte shkatërruese. Kostot e punës do të rriteshin ndjeshëm. Kjo do
të bënte që porositësit të largoheshin në vende të tjera, si në Maqedoni apo në
Tunizi”. Edhe Gjergj Liqejza, një tjetër drejtues kompanie fasoni në Shkodër,
thotë se në sektorin e fasonit, fondi i pagave zë rreth 60% të kostove dhe se
rritja do të cenonte rëndë marzhin e fitimit të kompanive që operojnë. “Nga
njëra anë, tatimfitimi 15%, po kaq edhe tatimi mbi dividentin, 9% nga rritja e
pagës minimale, të gjitha këto nuk bëjnë gjë tjetër veçse rrisin koston e punës
dhe na bëjnë jokonkurrues”, thotë z. Liqejza. Në anën tjetër, sindikatat kanë
kërkuar rritje të pagës minimale. Kol Nikollaj, president i Konfederatës së
Sindikatave të Shqipërisë thotë se ata kanë miratuar një rezolutë, e cila iu
drejtua strukturave qeverisëse dhe vendimmarrjes politike, duke kërkuar një
rritje të pagës minimale në masën 30%. Në vitin 2013, paga minimale për efekt
të kontributeve shoqërore, u bë 22,000 lekë nga rreth 19,000 lekë që ishte. Në
këtë kohë u përcaktua edhe që paga minimale për efekt të sigurimeve shoqërore
do të ishte e barabartë me pagën minimale për efekt punësimi të përcaktuar nga
Këshilli i Ministrave. Kjo u bë edhe për efekt llogaritjesh për ndryshimet që
pësoi sistemi i pensioneve.(Monitor)