Qeveria konfirmon Hervin Çulin në krye të Teatrit

13
Në kulmin e debatit për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar, qeveria ka rikonfirmuar për një mandat tjetër drejtorin aktual, Hervin Çuli. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi të emërojë Hervin Çulin si drejtor të Teatrit Kombëtar, pas propozimit të ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Çuli ka drejtuar teatrin në katër vitet e shkuar, ndërsa së fundmi ai është kritikuar edhe nga aktorët gjatë debatit për godinën e teatrit. Gjithashtu, Çuli ka debatuar me aktorët për idenë e zhvendosjes së përkohshme të teatrit te skena “Turbina” në periferi të Tiranës. Së fundmi, qeveria prezantoi një projekt-ide të një studioje holandeze për shembjen e Teatrit dhe ndërtimin e një kompleksi të ri, në periferi të të cilit do të ishin edhe 4 kulla shumëkatëshe. Nga ana e tyre, artistët prezantuan një projekt paralel, që parashikon ndërtimin e një holli në mes të dy godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental. Sipas artistëve, ky projekt do të kushtojë vetëm 10 milionë euro dhe parashikon rikonstruksionin e godinave ekzistuese, pa i shembur ato. Megjithatë, ende nuk ka një vendim final për godinën, ndërsa aktorët mblidhen për të diskutuar, duke akuzuar edhe ministren e Kulturës për mungesë transparence.