Qeveria jep me koncesion edhe oborrin e Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë

175

Qeveria e Rilindjes nuk ka të ndalur në dhënien e koncesioneve të pa kërkuara. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, u dha me koncesion edhe oborri i spitalit “Nënë Tereza” e vetmja që deri tani kishte mbetur pa dhënë me koncesion. Sipas VKM,  i jepet me koncesion “Kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale te Fondi Shqiptar i Zhvillimit, të një pjese të oborrit të brendshëm të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, me sipërfaqe 10 457 m2, zona kadastrale nr.8130, në njësinë administrative nr.3, Bashkia Tiranë, sipas planvendosjes bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim shfrytëzimin për parkim, përmirësimin e infrastrukturës së jashtme urbane dhe pritëse, si dhe menaxhimin cilësor të shërbimeve publike, që do të zhvillohen në këtë sipërfaqe”.  Në këtë VKM përcaktohet edhe ndarja e “Tepsisë” të koncesionit: Nga aktiviteti që do të zhvillojë Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për përmirësimin e infrastrukturës së jashtme urbane dhe pritëse, si dhe menaxhimi cilësor i shërbimeve publike, që do të zhvillohen në këtë sipërfaqe, do të përfitojë 55% të të ardhurave, ndërsa Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, do të përfitojë 45% të të ardhurave. Vlera prej 45% e të ardhurave, si pjesë takuese e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, do të ndahet sipas modalitetit të mëposhtëm:

  1. a) 3% do të kalojë në llogarinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, me destinacion edukimin në vazhdim të burimeve njerëzore të kësaj qendre;
  2. b) 42% do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me kërkesë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, dhe pas miratimit paraprak të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në infrastrukturë, për përmirësimin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, në përmbushje të objektivave dhe të misionit të saj.