Qeveria: Ja sa i rritëm pagat. PS: Dyfishuat çmimet dhe ndryshuat taksat

508
Sigal

Kryeministri Berisha firmos vendimin e Qeverisë të datës 16 gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës

Dje Kryeministri Berisha firmosi vendimin e Qeverisë të Mbledhjes së datës 16 Gusht për rritjen e rrogave të punonjësve të administratës. Sipas zëdhënëses së qeverisë, Erla Mëhilli, në sajë të të ardhurave të mira fiskale dhe performancës së mirë së administratës shtetërore u arrit çdo vit rritja e rrogave dhe pensioneve dhe nuk u pa e arsyeshme marrja e borxhit për të përballuar këto shpenzime. Mëhilli theksoi se, krahasuar me vitin 2005, pagat ne sektorin publik janë mbi dyfishuar. “Në të gjitha këto raste raporti është pothuajse përgjysmuar. Rritja e rrogave mbi bazën e këtij vendimi, është rezultat direkt i performancës ekonomike të vendit dhe është bërë tërësisht bazuar në të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tatimet”. Mëhilli theksoi, se “si rrjedhojë e kësaj performance ekonomike, që nga viti 2006 deri më sot qeveria nuk ka marrë asnjë qindarkë borxh për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Me këtë rritje Shqipëria bëhet vendi me rritjen më të shpejtë të rrogave dhe pensioneve në Evropë”.

PS: “Kush fiton më pak, duhet të paguajë më pak”

Partia Socialiste ka reaguar përmes sekretari për programin, Ilir Beqaj, duke akuzuar qeverinë se firmosi rritjen e pagave më vonë, duke vënë në dukje se pagat nuk mjaftojnë për të përballuar çmimet 2 herë më të larta se në vitin 2005. “Nga sot duhet të pranojmë të dëgjojmë edhe lajme se kur firmos Saliu vendimet e qeverisë. A thua se nuk paguhet për këtë gjë kryeministri. Pagat që Saliu mburret se ka firmosur sot, në fakt duhet të ishin paguar që para tre javësh. Qeveria u përpoq të mburret sot duke na treguar se sa janë rritur pagat në letër. Por familjet shqiptare nuk jetojnë me paratë e rrogës në letër. Jetojnë me paratë që marrin në dorë dhe më konkretisht me çfarë blejnë me paratë që marrin në dorë. A ka rëndësi sa janë rritur pagat në letër, kur sot edhe arsimtarët, edhe mjekët, edhe infermierët, edhe punonjësit e policisë blejnë më pak se sa kanë blerë në 2005. Që konsumi i familjeve shqiptare ka rënë, këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Saliu duhet të japë përgjigje se si i bëhet që”,- deklaroi Beqja. Beqja, nga selia rozë theksoi se, qeveria duhet t’u japë llogari arsimtarëve dhe bluzave të bardha për kushtet ku punojnë si dhe për ndryshmin e taksimit, ndërkohë nënvizoi se programi i socialistëve do heqë taksën e sheshtë. ‘Programi i Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare do e heqë taksën e sheshtë dhe do e zëvendësoj me taksimin e ndershëm, që do të vendos drejtësinë sociale dhe do të fuqizojë shtresën e mesme. Falë taksimit të ndershëm, ata që kanë të ardhura më të ulëta do të paguajnë më pak. 90% e shqiptarëve do të përfitojë nga ulja e taksave’,- theksoi Beqja.

Rritja sipas qeverisë

Mbi bazën e kësaj rritje, paga mesatare e arsimtarit në arsimin e mesëm, që në vitin 2005 ka qenë 26831 lekë (njëzet e gjashtë mijë e tetëqind e tridhjetë e një lekë), në vitin 2012 bëhet 59235 lekë, pra ka një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e arsimtarit në arsimin 9 vjeçar, që në vitin 2005 ka qenë 22771 lekë, në vitin 2012 bëhet 50563 lekë, me një rritje mbi 2.2 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e mjekut, që në vitin 2005 ka qenë 22683 lekë, në vitin 2012 bëhet 58098 lekë, me një rritje prej rreth 2.6 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e infermierit, që në vitin 2005 ka qenë 15044 lekë, në vitin 2012 bëhet 35618 lekë, një rritje prej rreth 2.4 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjësve të policisë, që në vitin 2005 ka qenë 30655 lekë, në vitin 2012 bëhet 55944 lekë, pra ka një rritje prej rreth 1.8 herë krahasuar me vitin 2005. Paga mesatare e punonjëseve mbështetës në institucionet buxhetore, që në vitin 2005 ka qenë 22554 lekë, në vitin 2012 bëhet 35122 lekë, me një rritje prej rreth 1.6 herë krahasuar me vitin 2005.

Raporti i pagave

Ndërsa raporti i pagës së arsimtarit të arsimit 9 vjeçar me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 8.6, në vitin 2012 është vetëm 1 me 4.5. Raporti i pagës së infermierit me pagën e kryeministrit, që në vitin 2005 ka qenë 1 me 13, në vitin 2012 është 1 me 6.4. Dhe raporti i pagës mesatare me pagën e kryeministrit që në vitin 2005 ka qenë 1 me 7.1 në vitin 2012 është 1 me 4.6.

______________________________________________________

Kinë, Panariti: “Shqipëria, mundësi për investitorët”

 Në kuadrin e vizitës së tij në Republikën Popullore të Kinës, dje Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës të Shqipërisë, Edmond Panariti, u prit nga Zëvendëskryeministri kinez, z. Li Keqiang. Në fillim të takimit, zoti Panariti vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet të dy vendeve. Gjatë bisedës Ministri Panariti u ndal në mundësitë e mëdha që ofron Shqipëria për bashkëpunim në fushën ekonomike, por dhe në fusha të tjera, si në kulturë, arsim, etj. “Integrimi i vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në BE, stabiliteti i tyre politik dhe ekonomik, krijon tashmë një klimë tepër inkurajuese edhe në drejtim të integrimit të mëtejshëm të tregjeve tona, si tregje aktivë për të gjitha investimet e huaja, konkretisht dhe për ato kineze”,- deklaroi Panariti. Duke u ndalur në platformën e qeverisë kineze për forcimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, të shprehura në takimin e nivelit të lartë në Varshavë, që u mbajt në prill të këtij viti, Ministri Panariti theksoi se qeveria shqiptare është duke u përgatitur seriozisht për t’i paraqitur palës kineze propozime dhe projekte konkrete, realizimi i të cilave do të ketë interes madhor për zhvillimin e vendit. Në këtë kuadër, ai e vuri theksin në ato fusha me interes për investimet kineze, si në energjetikë, miniera, turizëm, infrastrukturë etj., dhe se qeveria shqiptare ka krijuar për këtë të gjitha lehtësitë e nevojshme. Zëvendëskryeministri kinez duke vlerësuar progresin që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve dhe nënvizoi se Kina e Shqipëria duhet të zhvillojnë me përparësi marrëdhëniet në të gjitha fushat dhe në mënyrë të veçantë ato në fushën ekonomike, duke shtuar se Qeveria kineze do të tregojë kujdes, duke krijuar më shumë lehtësi për kompanitë dhe produktet shqiptare. Ai u shpreh gjithashtu se, Qeveria Kineze në të njëjtën kohë do të përkrahë kompanitë kineze të njohura, që të shfrytëzojnë të gjitha potencialet që ofron aktualisht ekonomia shqiptare.

 ______________________________________________________

Greqi, arratiset një i burgosur shqiptar në Nafplios

 Si një skenë filmash të Hollivvood-it ngjan ngjarja e djeshme në Nafplios të Greqisë, ku një i dënuar shqiptar i ka shpëtuar burgut. Arratisja e të burgosurit ka ndodhur në mëngjes, me ndihmën e dy personave të tjerë, ndërkohë që ai dërgohej në spitalin e Nafplios. 40-vjeçari shqiptar i burgosur, po transportohej në spital për të ndërruar disa plagë. Me sa duket kjo lëvizje e tij ishte e njohur dhe pikërisht në orën 11:00, dy persona me armë sulmuan katër rojet dhe shoqëruesit gjyqësorë të të burgosurit. Ata qëlluan në ajër për t’i frikësuar dhe duke përfituar nga kaosi dhe paniku që u krijua, arritën të rrëmbejnë të burgosurin duke e futur në një makinë, tip AUDI me të cilën u larguan. Nuk dihet nëse personat që morën të dënuarin ishin bashkëpunëtorë, apo armiq të tij dhe as nëse kemi të bëjmë me një plan të kujdesshëm arratisjeje, apo një rrëmbim të të dënuarit. Identiteti i të arratisurit nuk bëhet i ditur nga policia, por mësohet se ai vuante dënimin me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe grabitje me armë. Policia ka nisur ndjekjen edhe në qarqet fqinje.