Qeveria: Ja kufizimet e administratës në fushatë

89
Miratohet vendimi. Si do të veprohet për çdo sektor lidhur me burimet njerëzore, financiare e logjistike. Kontrolle të imëta punonjësve
Për herë të parë edhe me pjesëmarrjen e ministrave teknikë, qeveria miratoi një vendim të posaçëm për marrjen e masave dhe monitorimin e administratës gjatë fushatës elektorale. Në vendim përcaktohet mënyra e monitorimit të sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare e logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e 25 qershorit. Vendimi synon “nxitjen e paanshmërisë dhe trajtimit të barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe për mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake”.

Vendimi përcakton që punonjësit të administratës shtetërore, gjatë periudhës së procesit zgjedhor, i krijohen kushtet e nevojshme dhe i garantohet moscenimi i të drejtave dhe lirive themelore, kushtetuese, për të shprehur fjalën e lirë dhe për të marrë pjesë në veprimtari politike, brenda kufizimeve dhe ndalimeve, të përcaktuara me dispozita të veçanta të legjislacionit në fuqi, që rregullojnë dhe janë të vlefshme gjatë këtij procesi zgjedhor. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Gjithashtu, punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil. “Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje”, thuhet në vendim. Punonjësit të administratës shtetërore i ndalohet të përdorë të mirat publike, funksionin ose veprimtarinë shtetërore ose burimet financiare a njerëzore, me qëllim favorizimin e një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Ndërsa titullarët e ministrive ose drejtuesit e institucioneve të varësisë, ose personat e ngarkuar prej tyre detyrohen të organizojnë menjëherë punën dhe të marrin masat e nevojshme për garantimin e zbatimit të detyrimeve ligjore, për ndalimin e vënies në përdorim për subjektet zgjedhore të veprimtarisë së tyre institucionale, mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme, pronë e administratës shtetërore, si dhe të burimeve njerëzore të institucioneve të administratës shtetërore, të çdo niveli, për zgjedhjet e Kuvendit, të datës 25 qershor 2017. Sipas vendimit, titullarët e institucioneve detyrohen të kontrollojnë në mënyrë periodike veprimtarinë e nëpunësve nën varësinë e tyre, me qëllim shmangien dhe parandalimin e nxitjes apo kërkesës për përfshirjen e punonjësve të administratës shtetërore në veprimtari politike apo në mbështetje të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

Vendimi i qeverisë vjen pas debateve publike mbi sjelljen e administratës shtetërore në fushatën elektorale, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet e shkarkimeve. Opozita e ka ngritur disa herë shqetësimin e saj për pjesëmarrje të administratës në fushatë dhe për forma presioni mbi të punësuarit për të mbështetur parti të caktuara politike. 
Sipas vendimit
– Administratë shtetërore është administrata nën përgjegjësinë e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 1, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ku përfshihen institucionet e përmendura në pikën 2, të nenit 4, të këtij ligji, ndaj të cilëve ky vendim do të zbatohet;
– Punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve zbatohet ky vendim, sipas statusit të tyre janë nëpunës civilë dhe punonjës administrativë, në përputhje me përkufizimet e dhëna në nenin 4, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe punonjës të tjerë civilë, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen me Kodin e Punës;
– Funksionarë kabineti janë nëpunës të administratës, sipas përkufizimit të nenit 4, të ligjit nr.152/2013, ndaj të cilëve nuk zbatohet ky vendim; 
– Punonjës policie, punonjës të shërbimit të jashtëm, të përmendur në nenin 3, të ligjit nr. 152/2013, si dhe punonjës të tjerë, statusi i të cilëve ose elementë të tjerë rregullohen me ligje të posaçme, janë punonjës të administratës shtetërore, ndaj të cilëve, përveç dispozitave të përgjithshme të këtij vendimi, do të zbatohen edhe dispozitat e veçanta për secilën prej kategorive të përmendura, për çdo rast, në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë vendim.
Nëpunësit civil i ndalohet:
a) të bëjë fushatë për një subjekt zgjedhor;
b) të manifestojë me pankarta, parulla apo çdo mjet tjetër të shkruar dhe të ekspozuar publikisht;
c) të jetë protagonist në aktivitetet/veprimtaritë politike.
Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet:
– të jetë anëtar i një partie ose organizate politike;
– të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet:
– të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës;
– anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike.
Punonjësit të Shërbimit Informativ të Shtetit i ndalohet:
– të manifestojë sjellje dhe të mbajë qëndrime, që cenojnë natyrën e depolitizuar të institucionit;
– anëtarësimi dhe pjesëmarrja në veprimtaritë e partive apo të shoqatave politike;
– të bëjë propagandë në favor ose kundër partive, shoqatave politike ose kundër kandidatëve në zgjedhje.
Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura i ndalohet:
– të jetë anëtar i partive politike, i organizatave ose shoqatave me karakter politik;
– të marrë pjesë në veprimtaritë politike që organizohen prej tyre.
Për koordinimin e procesit të monitorimit, krijohet Task – Forca që drejtohet nga zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje:
– Ministrin e Punëve të Brendshme;
– Ministrin e Mbrojtjes;
– Ministrin e Financave;
– Ministrin e Arsimit dhe Sportit;
– Ministrin e Drejtësisë;
– Ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin;
– Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore;
– Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave;
– Drejtorin e Departamentit të Administratës Publike;
– Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
– Drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.