Qeveria i trajton ish të përndjekurit me mentalitet komunist, si “Armiq të politikës”

464
Kohët e fundit qeveria ka nxjerrë një vendim, që do t’u mbajë ish të përndjekurve politikë, të cilët kanë borxhe dhe janë debitorë te OSHEE, shumën e lekëve nga këstet e dëmshpërblimeve. Ndaj këtij vendimi të qeverisë reagojnë në forumin e gazetës “Telegraf” Besim Ndregjoni, kryetar i Unionit Mbarëkombëtar i të Internuarve dhe të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka, kryetar i “Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë dhe Reshat Kripa, kryetar i Degës së Tiranës së “Shoqatës Antikomuniste të ish të Përndjekurve Politikë”, të cilët e cilësojnë jo vetëm absurd, por qeveria i trajton ende ish të përndjekurit me mentalitet kominist si “Armiq të Politikës”, duke argumentuar se ky vendim është antiligjor, antikushtetues, por edhe antimoral, sepse dëmshpërblimi nuk është lëmoshë qe e jep qeveria, por është gjaku, vuajtja, puna, sakrifica, rezistenca, gjaku dhe jeta e çdo të përndjekuri politik nga diktatura. 
Besim Ndregjoni: Qeveria nuk e ka mentalitetin që t’i shërbejë qytetarit, por ka mentalitetin komunist që të zhvatë qytetarin 
-Gjatë këtyre 25 viteve të ndërrimit të sistemit të gjitha qeveritë neve na kanë trajtuar njëlloj, me termin “armik i politikës”, shut siç na trajtonte diktatura. Pra, unë nuk pres në këto vendime që marrin këto qeveritë postdikatoriale që ato të marrin ndonjë vendim që t’ju shërbejnë interesave të të përndjekurve politikë. Me asnjë të drejtë ligjore, kushtetuese qeveria nuk ka të drejtë të më mbajë asnjë lek nga dëmshpërblimi si i përndjekur politikë, sepse dëmshpërblimi nuk është një lëmoshë, apo një ndihmë që jep qeveria. Asnjë detyrim kushtetues ligjor për të cilën qeveria është e detyruar të paguajë dëmshpërblimin më, në të gjithë linjën e dëmshpërblimit shteti nuk mund të më paguajë rininë jetën që më ka marrë diktatura dhe nuk ka asnjë lloj sensi ai vendim qeveritar, që nga dëmshpërblimi të më mbajë detyrimin që mund të kemi ndaj OSHEE. Por, problemi është se këta qeveritarë duan, që me njërën dorë të japin dëmshpërblimin dhe me dorën tjetër ta marrrin prapë. Dhe ky është mentalitet komunist që kanë qeveritë shqiptare. Ndaj ky vendim i qeverisë është një lloj cmire ndaj dëmshpërblimeve që na takojnë, dhe ata gjejnë mënyra, qoftë edhe antiligjore, sesi ta ndalin këtë dëmshpërblim. Unë dua nga qeveria të më japë punën e papaguar që kam bërë unë dhe të burgosurit politikë, që kemi ndërtuar gjithë fabrikat. Qeveria nuk e ka mentalitetin që t’i shërbejë qytetarit, por ka mentalitetin komunist që të zhvatë qytetarin dhe sidomos ata qytetarë që përballuan me vuajtjet e rezistencën e tyre diktaturën komuniste. Neqoftëse ne do të kemi një shtet funksional dhe demokratik, qeveria duhet të dalë para gjyqit dhe të penalizohet për vonesat e dëmshpërblimeve, domethënë për moszbatimin e ligjit. Në çdovend të botës, çdo qeveri që ka shkelur ligjin është përgjigjur para ligjit për shkeljen e ligjit. Kurse në Shqipëri ndodh e kundërta. Jo se na i kanë vonuar dëmshpërblimin, por problemi është se as kamatëvonesën nuk e kanë në programin e punës, por të gjejnë mënyrat sesi ta përgjysmojnë këtë dëmshpërblim dhe ta mbajnë të përndjekurin politik në një trysni të pushtetit, për interesat e pushtetit. 
Simon Miraka: Vendimi i qeverisë, që të na mbajë nga dëmshpërblimi, lekët për OSHEE është e pamoralshme, dhe e paligjshme
Absolutisht unë nuk e vlerësoj të drejtë këtë vendim të qeverisë, që të mbajë nga dëmshpërblimi që u jep ish të përndjekurve detyrimet që ndikush ka për OSHEE, sepse këta njerëz i kanë dhënë shumë këtij vendi, i kanë dhënë edhe demokracisë. Sigurisht unë jam që njerëzit të paguajnë detyrimet ndaj OSHEE, por duke marrë parasysh edhe gjendjen konkrete ekonomike të tanishme të familjeve të ish të përndjekurve, ish të dënuarve politikë, shteti duhet t’i subvencionojë, sidomos famijet që nuk janë në gjendje të paguajnë energjinë elektrike. Le ta mbajë kamatën e dritave qeveria, por mua më kanë thirrë për 3 lekë të vjetra, që kisha detyrim për dritat. Kamatat që shteti mban ndaj nesh, për shkak se na i ka vonuar dëmshpërblimet, nuk i paguan, jo vetëm aq, por një numër shumë i vogël i të ish të përndjekurve janë në punë. I kanë përzënë, e tani thotë, që do t’u mbajë dëmshpërblimin. Po ku do t’i gjejnë lekët, or zotëri qeveritar, ish i përndjekuri që të paguajë OSHEE? Ti nga puna e ke përzënë, dëmshpërblimin ia mban?! Është një detyrim i shtetit ndaj ish të përndjekurve t’i subvencionojë. Absolutisht nuk ka asnjë ligj në Shqipëri, që qeveria të marrë vendim që të mbajë, nga dëmshpërblimi që u jep ish të përndjekurve, paratë për detyrimet e një kompanie biznesi, siç është OSHEE. Për mua, ky vendim i qeverisë, që të mbajë nga dëmshpërblimi që u jep ish të përndjekurve, lekët për dritat, është e pamoralshme dhe e paligjshme. 
Reshat Kripa: Dëmshpërblimi nuk është lëmosha e shtetit, por gjaku dhe burgu ynë, ndaj qeveria nuk duhet të na i mbajë për dritat
Është gjëja më absurde që mund të mendosh, nëse qeveria nxjerr vendime të tilla, që të mbajë nga dëmshpërblimet e ish të përndjekurve, detyrimet për dritat. Është abstrakte dhe absurde që qeveria të mbajë dëmshpërblimin e ish të përndjekurve për detyrime ndaj OSHEE, sepse ky dëmshpërblim është nga gjaku dhe burgu i çdo të ish të përndjekurve, dhe kjo është shkelja më e rëndë që u bëhen tani në demokraci ish të burgosurve. Kamatat e vonesave të dëmshpërblimeve tona, as qeveria e parë nuk i dha, dhe as kjo qeveri nuk ka për t’i dhënë. Nuk ka asnjë lidhje detyrimet ndaj dritave me dëmshpërblimet që duhet të na japë shteti. Dëmshpërblimi është vlerësim i gjakut, i vuajtjeve dhe i rezistencës tonë ndaj diktaturës. Si mundet qeveria të nxjerrë një vendim që të na mbajë këtë dëmshpërblim për çdo borxh ndaj dritave? Nëqoftëse ndonjë nuk ka paguar dritat, qeveria le të marrë masa të tjera ligjore. Ndaj unë besoj se vendime të tilla penalizuese të qeverisë ndaj ish të përndjekurve, nuk mbështeten në asnjë ligj në Shqipëri, as në Kushtetutë. Unë kam mendimin që po bëhet një lojë me ish të përndjekurit. Përshembull, qeveria do japë disa këste për ish të burgosurit, por vetëm për disa, për ata që jetojnë. Sipas disa listave jemi 2.500 ish të burgosur. Po të tjerët, që nuk jetojnë më, familjarët përse nuk duhet të marrin dëmshpërblimin? Janë mbi 20.000 dosje që nuk kanë marrë asnjë përgjigje, si do vejë puna? Ndaj, qeveria bën lojë, duke shfrytëzuar neve që jemi ende gjallë. 
Sigal