Albpetroli largon 600 punëtorë, qeveria heq specialistët dhe i zëvendëson me militantë të Rilindjes. Naftëtarët pa status

696
Sigal

Petraq BARJAMI

Qeveria heq specialistët nga ALBPETROL-i dhe i zëvendëson me militantë të Rilindjes

Denoncimi i PD-së: Janë pushuar 600 specialistë, pritet të pushohen deri në 1.200 të tjerë

Partia Demokratike ka denoncuar qeverinë dhe Alpetrol për pushimin e punonjësve të kompanisë së naftës për të vendosur në vend të tyre militantë të PS-së.

U pushuan 600 specialistë

Deputeti i PD-së Luan Baçi, akuzon Albpetrolin se ka pushuar deri tani mbi 600 punonjës ndërsa ka plane për të pushuar deri në 1000-1200 punonjës. “Qeveria nuk ndalet në rrugën për shkatërrimin e jetës së shqiptarëve. Nuk ndalet në shkatërrimin e çdo gjëje, që ka të bëj me pasurimin e oligarkëve, që janë të lidhur me ta dhe mbushjen e xhepave të tyre. Këtë e tregon dhe mënyra se si po veprojnë me Albpetrolin, nuk ndalen deri në copëtimin dhe shfrytëzimin e plotë të tij. Prej kohësh ne Albpetrol pushohen profesionistë dhe rekrutohen militantë dhe fanatikë të Rilindjes. Ka filluar dhe vazhdon, fshesa përfundimtare e profesionistëve të këtij sektori, që nuk do të kurseje askënd që nuk është militant i Rilindjes. Llogarite janë bërë për pushimin e 1000 – 1200 punonjësve, që përbëjnë gjysmën e punonjësve të Albpetrolit.

Punësohen militantë në ALBPETROL

Sipas denoncimit të deputetit Baçi, deri tani janë pushuar mbi 600 punonjës dhe njëkohësisht po merren të tjerë individë pa kurrfarë lidhje me Albpetrolin, por vetëm se janë, pjesëtarë të rilindjes dhe drejtues të strukturave të tyre. Naftëtarët kanë filluar të kuptojnë se e ardhmja e Albetrolit është mbyllja e plotë e tij.

Naftëtarëve po u mohohet statusi i veçantë

Naftëtarët prej kohësh kërkojnë statusin e veçantë të tyre, por kërkesa e tyre bie në vesh të shurdhër. Nga 2200 naftëtarë vetëm 600 prej tyre kane aplikuar për marrjen e këtij statusi. Ndërsa naftëtarët pensionistë i janë dorëzuar zhgënjimit, pasi asnjë sakrificë e tyre nuk u njoh prej qeverisë së Rilindjes. Naftëtarët e kanë kuptuar se çfarë do të ndodhë: Ata që kanë punuar prej vitesh, po flaken ne rruge, për arsyen e vetme se nuk i shërbejnë Rilindjes që është ne pushtet.

Pse nuk ngrihet Instituti Shkencor Hidrokarbur?

Askush në qeveri nuk jep shpjegime pse nuk është ngritur ende Instituti Shkencor Hidrokarbur, i miratuar me ligj në vitin 2017, si autoriteti tekniko-shkencor, oponent dhe autentik këshillimor për Shtetin Shqiptar. Ai sipas ligjit duhej të ishte ngritur në muajin Shtator 2017, në fakt nuk është ngritur akoma. Arsyeja dihet: Interesa të ulëta të qeveritarëve po bëjnë presion që ky autoritet të mos ngrihet në qarkun Fier, ku janë vendburimet e naftës, por te jetë në Tiranë për t’u kontrolluar sipas interesit të qeveritarëve. Gjithkush e di që në malin e Dajtit nuk ka asnjë vendburim nafte. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ushtron përgjegjësitë e saj, por vetëm hesht dhe qëndron indiferente.

Albpetrol, përdoret politikisht si ndërmarrje shtetërore

Rilindja ka vetëm një plan për Albpetrolin: Përdorimi politik i një ndërmarrje shtetërore për të siguruar sa më shumë fitime për xhepat e veta dhe varfëri ekstreme për popullin që qeveris. Plani i Rilindjes injoron haptazi interesin publik, vlerën ekonomike të kësaj ndërmarrje shtetërore, ringritjen e saj, peshën që ajo mban tek buxheti i shtetit, – tha deputeti demokrat Baçi.