Qeveria “hap thesin” u jep mediave të saj 4 milionë euro

635
Sigal

A është VKM-ja sinjali i fillimit të fushatës zgjedhore, ndërkohë që gazetarët dhunohen e kërcënohen

Qeveria ‘hap thesin’ u jep mediave të mëdha 4 milionë euro si kompensim

Petraq Barjami

Qeveria ka miratuar vendimin e kompensimit të mediave kombëtare historike dhe operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike. Në vendim ka dhënë 4 milionë euro në total si kompensim. Vendimi i qeverisë është marrë në mbledhjen e 4 Prillit, ndërsa është publikuar dje në fletoren zyrtare.

Kërcënimi dhe dhunimi shtetëror ndaj gazetarëve

Dje “Reporterët pa kufij” publikuan raportin për 2018-n, ku për Shqipërinë theksojnë se gazetarët dhunohen dhe kërcënohen edhe nga qeveria. Në protestën e 13 prillit policia e Shtetit kërcënoi dhe dhunoi gazetarë dhe fotoreporterë. Ndërkohë, po dje, kryeministri Rama nga salla e Kuvendit, sulmoi edhe një herë, gazetarët dhe mediat me cilësimet “kazanë”, kur pak ditë më parë, kishte sulmuar edhe Elez Biberaj, drejtorin e VOA-s.

Shpërblimi pranë mediave të qeverisë

Mirëpo, kryeministri Rama, kur e shikon se e ka të pamundur të “kafshojë” një dorë, përpiqet që ta puthë atë. Pavarësisht se kryeministri Rama i shan, i fyen gazetarët dhe mediat, duke i cilësuar “kadril”, “Kazanë”, sa herë që i duhet, kryeministri Rama edhe i përdor “kazanët” dhe “kadrijtë” në shërbim të interesave të propagandës së vet. Kujtojmë, shpërblimin që u bëri “kadrijve” me AIR ALBANIA në udhëtimin ekzotik në Stamboll. Ndërsa dje, u zbardh një VKM, e cila ishte mbajtur e fshehtë, nga data e marrjes së vendimit, ku qeveria shpërblen mediat kryesore, që janë pranë saj, me 4 milionë euro. A është ky shpërblim një sinjal i afrimit të fushatës elektorale? Problemet e keqqeverisjes janë shumë të mëdha, prandaj edhe kryeministri, më shumë se kurrë, sot ka nevojë për mediat.

Ja si u ndahet televizioneve “torta” 4 milionë euro

“Ndarjen e kompensimit financiar për kategoritë operatorë privatë historikë kombëtarë dhe operatorë me eksperiencë në transmetimet numerike, si më poshtë vijon:

  1. Operatorët me eksperiencë në transmetimet numerike të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve që dalin jashtë funksionit si rezultat i ndryshimeve teknologjike.
  2. Operatorët privatë historikë kombëtarë të kompensohen në masën 2 000 000 (dy milionë) euro, për mbulimin e pjesshëm të investimeve të kryera për ndryshimin e infrastrukturës së transmetimit, nga analoge në numerike.. Vlera e kompensimit për operatorët historikë kombëtarë do të ndahet në mënyrë të barabartë”, thuhet në vendimin e publikuar dje në Fletoren Zyrtare. Por ajo që bie në sy është se ky kompensim u jepet operatorëve me eksperiencë në transmetimet numerike që janë “Digjitalb” dhe “Tring”, por në këtë rast përjashton operatorët e tjerë. Nga ana tjetër u jep 2 milionë operatorëve privatë historikë kombëtarë, si: Tv Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, duke lënë jashtë të gjithë televizionet e tjera të prekura nga këto ndryshime, por që nuk kanë licencë kombëtare.

 

Rama në Kuvend: PD Rrugore dhe LSI-ja festuan vendimin e Parlamentit holandez

Kryeministri Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit akuzoi partitë holandeze se po përdorin shqiptare si koka turku për politikën e tyre të brendshme dhe fushatat e tyre elektorale. Rama tha rezoluta për rikthimin e vizave miratuar në Parlamentin holandez nuk ka të bëjë me shqiptarët, por me vetë politikën e brendshme të saj dhe se nuk mund të pranonte festën e opozitës, të cilën e etiketoi si “PD rrugore dhe Lëvizja Socialiste për Fall”. “PD rrugore dhe shoqja e saj e rrugës Lëvizja Socialiste për Fall festuan në mënyrë cinike dhe përbuzëse për shqiptarët një vendim kundër shqiptarëve dhe shpjegova, pse vendimi i marrë nga parlamenti holandez është politik elektoral.”

 

Rama në parlament: Jemi gati të dialogojmë me PD Rrugore “në pitstop”

 

” Jemi gati të pranojmë komunikojmë edhe me ata që janë të dhënë pas kapsollave. Jemi gati në Komisionin e Reformës Zgjedhore, kanë vendin e tyre si vëzhgues me status special. Nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi një PD parlamentare dhe një Parti Demokratike Rrugore. S’kemi ca bëjmë. Jemi gati të gjejmë mënyrën të diskutojmë në një “pitstop” në parlament.” Duke iu rikthyer opozitës dhe protestave të saj duke deklaruar se nuk ndryshohet qeveria apo maxhoranca duke kërcënuar, shantazhuar, hedhur kapsolla. Edi Rama: “Ka dhe një ofertë tjetër që për një moment mund të ketë çelur sytë atyre mbështetësve të verbër se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria do bjerë parlamenti dhe do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe tani na qenkan dhe shumicë. Dhe kjo shumicë që sipas tyre është 170 mijë vetë në bulevard do çliroka Shqipërinë dhe merrka pushtetin. Duhet të jesh totalisht i gatshëm të lësh mendjen të shkojë për pushim. Sidoqoftë ne jemi në këtë hall që duhet të përballemi me sojin më të degraduar politik. PD ka një histori të gjatë eksesesh, por kjo, refuzimi me firmë i mandatit për të përfaqësuar atë që të ka besuar ty të shkojë në parlament është diçka e re edhe për PD. Nuk ka shans. Që parlamentarit të dalin nga parlamenti për të veshur jelekun e verdhë është diçka e re”. Ligji për mediat online se shpejti ne Kuvend. Rama shtoi se ishte gati të dialogojë edhe me PD e re në parlament duke e ftuar në miratimin e reformës zgjedhore dhe ligjit kundër shpifjes.