Qeveria favorizon koncesionarët e makinave të reja, nuk shqetësohet për cilësinë e karburantit në treg

612
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Drafti i ministrit Klosi: Nxirren jashtë qarkullimit makinat e prodhuara para vitit 2000

Qeveria ka në plan të nxjerrë jashtë qarkullimit makinat e prodhuara para vitit 2000, në rast se pronarët e mjeteve nuk marrin masa për arritjen e standardit “euro 3”. Projektvendimi është përgatitur nga Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe atë të Ekonomisë, dhe përcakton si kushtet e importit të makinave, ashtu dhe vendosjen e limiteve të shkarkimit të gazeve për makinat ekzistuese që janë në qarkullim sipas standardit euro 3. Drafti është ende në diskutim. Burime nga Ministria e Mjedisit për gazetën “Telegraf” thanë se ky draft do marrë formë përfundimtare dhe do t’i dorëzohet Qeverisë pasi të konsultohet edhe me grupet e interesit.

Qëllimi: T’u shërbejë monopoleve që tregtojnë makinat

Pavarësisht, qëllimit të draftit, siç shkruhet në raportin përcjellës të ministrisë së Mjedisit, që të pengojë qarkullimin e makinave që ndotin mjedisin, ky draft ka një qëllim të fshehtë: Qeveria do të favorizojë monopolet e tregtisë të makinave që të shesin modelet e reja, kur dihet, që makinat e reja shqiptarët i blejnë në Shqipëri, por monopolet e tregtimit të makinave, thuajse kanë edhe peshën më të madhe të importimit të makinave të përdorura, sadopak. Nuk mund të jetë kriter mosha e makinës, për ta nxjerrë jashtë qarkullimit, apo për ta penguar që të importohet në Shqipëri.

Së pari, ku ligj i qeverisë, nëse miratohet, mund të bjerë në kundërshtim edhe me ligjet e BE-së, sepse do të rrezikojë interesat e bizneseve të tregtimit të makinave. Asnjë vend i BE-së nuk ka kufizime të tilla për mosqarkullimin e makinave në bazë të moshës, e ca më pak, të përcaktohet që makinat 11 vjeçare të mos lejohen të importohen.

Së dyti, mund të ketë makina që, ndonëse kanë pak vite në qarkullim, kanë plotësuar një kilometrazh shumë të madh, gjë që mund të ndikojë edhe në ndotjen e ajrit nga karburanti që do konsumojë, ndërkohë, që mund të ketë makina mbi 10 vjeçare, që kanë bërë shumë pak kilometra dhe nuk kanë ndotje të karburantit.

Së treti, në Shqipëri problemi i ndotjes së karburantit, që shitet, i cili shumë herë nuk është cilësor, duke ndotur mjedisin dhe duke prishur edhe sistemet e filtrimit e pastrimit të karburantit të automjeteve. Nëse qeveria vërtet interesohet për mbrojtjen e mjedisit nga ndotjetjet e karburanteve të automjeteve, më përpara le ta fillojë monitorimin nga cilësia e shitjes së karburanteve, sepse shpeshherë janë bërë akuza që janë shitur edhe mazut për naftë, si lëndë djegëse të automjeteve.

Ja çfarë përmban drafti: Përshtatja e makinave me standardin “euro 3”

Përgjegjësinë për plotësimin e standardit “euro 3” për mjetet ekzistuese e mban pronari i makinës, e në këtë rast kostoja do të paguhet prej tij. Vendimi prek kryesisht makinat e prodhuara në vitet ‘93 dhe ‘97 të cilat u përkasin standardeve “euro 1” për ato të ’93, dhe “euro 2” për ato të ‘97. Pronarët e automjeteve duhet të marrin masa brenda 1 korrikut të vitit të ardhshëm t’i përshtatin ato me standardin “euro 3” përmes instalimit të katalizatorëve apo filtrave. Në rast të kundërt, makina nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave gjatë kolaudimit dhe do të ndalohet të qarkullojë. Sipas draftit, qytetarëve që disponojnë një mjet të kategorisë “euro 1” dhe “euro 2” të prodhuara deri në vitin 2000, do t’u lihet kohë të përshtatin makinën e tyre sipas standardit “euro 3” që kërkohet. Në rast të kundërt, drafti përcakton që makina e tyre nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave gjatë kolaudimit dhe do të ndalohet të qarkullojë. “Ngarkohen institucionet e kontrollit teknik të mjeteve motorike të mos lejojnë përdorimin mjeteve ekzistuese në qarkullim, të cilat nuk kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në vendim”, – thuhet në relacionin e dorëzuar në Qeveri.

PD: Tjetër koncesion korruptiv, klienti i kryeministrit Rama merr 60 mln euro

PD-ja, përmes deputetes Izmira Ulqinaku tha se qeveria “Rama” jep një tjetër koncesion korruptiv, siç është ai i kontrollit të pompave të karburanteve. Deputetja e PD-së u shpreh se nga ky koncesion klienti i Ramës, Gentian Sula, merr 60 milionë euro fitime. Sipas saj, shqiptarët do ta paguajnë koncesionin ose me çmimin e rritur të karburanteve, ose me sasinë e karburantit në makinat e tyre.

Akuza

PD: Koncesionet dhe tenderët korruptivë të qeverisë së Edi Ramës po zhvatin gjithnjë e më shumë shqiptarët. Nga kasat dhe pajisjet e reja fiskale që do t’i kushtojnë secilit biznes të paktën 600 euro, shumë shpejt shqiptarët do të paguajnë akoma më shumë edhe për karburantet! Qeveria e Edi Ramës ka vendosur të japë me koncesion tek klientët e tij kontrollin e kolaudimit të pompave të karburanteve. Aktualisht, ky është një shërbim shtetëror, por korrupsioni në qeveri ka vendosur që t’ia kalojë atë privatit, i cili do të vendosë cilat pompa karburantesh i vjedhin shqiptarët dhe cilat pompa nuk i vjedhin. Fitimi për koncesionarin, klient i Edi Ramës, llogaritet të jetë rreth 60 milionë euro, të cilat do të paguhen nga shqiptarët, ose tek çmimi, ose tek sasia e karburantit me të cilën do të furnizohen nga pompat e kolauduara prej kompanisë private. Kjo është e njëjta kompani që ka marrë me koncesion shkollat e Tiranës, me pronar Gentian Sulën. Është e njëjta kompani, për të cilën qeveria shpiku një koncesion tjetër korruptiv prej 95 milionë eurosh, atë të targave me çip. Por që, për shkak të presionit së opozitës dhe pakënaqësisë së qytetarëve, qeveria u tërhoq nga ky koncesion absurd dhe korruptiv. Kontrolli i matjes së pompave të naftës, për shkak të kritereve të vendosura, që tenderi të fitohet vetëm nga kompania e Gentian Sulës, vendos monopolin në treg, duke shkatërruar garën dhe duke thelluar përqendrimin e ekonomisë në pak duar.

Reagon Ministri Ahmetaj : S’ka koncesion. Ju dhe partia juaj ia keni koncesionuar mendjen paditurisë

Pas akuzave të deputetes demokrate Jorida Tabaku në adresë të ministrit Arben Ahmetaj për sistemin e ri të monitorimit të transaksioneve të bizneseve, ministri Ahmetaj ka reaguar dhe shkruan se nuk ka koncesion për këtë sistem të aplikuar. Reagimi i ministrit Ahmetaj: “Por si duket ju dhe partia juaj ia keni koncesionuar mendjen paditurisë.” Reagimi i Ahmetaj: Dje një duet i dobët përçartjeje publike, sot një solo për të ardhur keq. Është e kotë t’iu përgjigjesh për çdo budallallëk! Nuk ka koncesion zonjë! Por si duket ju dhe partia juaj ia keni koncesionuar mendjen paditurisë. Ne mbetemi të vendosur të çojmë përpara reformat, të vazhdojmë uljen e lehtësimin e mëtejshëm të ngarkesës fiskale për biznesin e qytetarët dhe të fokusojmë TË GJITHË VËMENDJEN TEK NJERËZIT e tek puna në shërbim të tyre.