Qeveria emëron drejtorë dhe anulon koncensione

603
Sigal

  Shkarkohen drejtorët e KESH, Albpetrol e OST. Ende në pikëpyetje Dollapi i CEZ-it

 Fillojnë shkarkimet dhe emërimet e drejtorëve në pikat më strategjike të ekonomisë, sikurse janë KESH, OST, AKBN, ku çdo vit, në secilën nga këto drejtori qarkullojnë si xhiro vjetore mbi 500-700 milionë dollarë.  etj. Ajo që bën përshtypje në emërimet e drejtorëve të rinj në këto drejtori të rëndësishme, është se ata janë emra që janë afër familjeve të kryetarëve të partive. Reagimi i parë  nga opozita, nga ish-Kryeministri Berisha, nga Sokol Olldashi, nga PD-ja, erdhi për emërimin e Endri Pukës, si drejtor i “Albpetrol”, i cili deri tani ka qenë drejtues i bizneseve të Koço Kokëdhimës.

Pikëpyetje përse nuk u shkarkua Dollapi i CEZ-it

Në shkarkimet dhe emërimet e drejtorëve të drejtorive të Energjetikës, vetëm emri i Sahit Dollapit, administratori i CEZ-it, nuk u përfshi në shkarkimet e djeshme. PS-ja, edhe kur ishte në opozitë, e ka kritikuar shumë administratorin e CEZ-it, Sahit Dollapin, si përgjegjës për keqadministrimin e CEZ-it, për humbjet e mëdha dhe për mostrajtimin e ankesave të popullit. Dollapi, u emërua në krye të CEZ-it, si administrator shtetëror, pasi ERE i hoqi licencën CEZ-it çek. Në këto 8 muaj, Dollapi e ka përkeqësuar më shumë gjendjen e CEZ-it, ndaj shkarkimi i tij është çështje orësh dhe ditësh.

ERE, pa kryetar

Një nga vendimet e orëve të fundit të qeverisë që iku, ishte edhe miratimi që i bëri kërkesës së Sokol Ramadanit, që të punojë në një kompani energjetike, pasi kishte bërë kërkesën për dorëheqje nga kryetari i ERE-s. Kështu që ERE, realisht është pa kryetar. Ndaj Kuvendi, i cili ka kompetencën që të dekretojë ERE-n, së shpejti do të bëjë edhe riformatimin e ERE-s.

Shkarkimet dhe emërimet e drejtorëve të drejtorive me xhiro vjetore mbi 500 milionë dollarë

Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, që drejtohet nga Damian Gjiknuri kreu dje disa shkarkime drejtorësh dhe emërime të reja në disa prej shoqërive aksionere të Energjisë dhe Industrisë. Rikthehen në poste drejtues ish-kreu i KESH dhe ish-ministri i Energjetikës, Viktor Doda. I menjëhershëm reagimi nga Partia Demokratike. Në një deklaratë për media, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi vlerësoi se vetëm në shembullin e Albpetrol, drejtori i ri i këtij aseti, sipas PD, njihet si personi më i afërt dhe i besuar i Koço Kokëdhimës, që ka drejtuar për vite me radhë firmat e tij private.

 Vendimet sipas Ministrisë së Energjetikës

Pas mbledhjes së Këshillave Mbikëqyrës përkatës, janë kryer ndryshime në drejtimin e shoqërive aksionere si KESH, Albpetrol, OST. Kështu pas mbledhjes u vendos që të shkarkohet drejtori aktual i KESH, Halit Velaj dhe emërohet në vend të tij, Agron Hetoja. Ndryshime dhe në drejtimin e Albpetrol, ku shkarkohet drejtori aktual Ferdinand Murati duke emëruar në vend të tij, Endri Pukën.

Po kështu është shkarkuar nga drejtori i OST, Arben Ibro duke emëruar në këtë pozicion Engjëll Zeqon.

Kështu siç njoftoi ky dikaster;

1. Këshilli Mbikëqyrës i Koorporatës Elektroenergjetike (KESH) ka shkarkuar drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë z.Agron Hetoja.

2. Këshilli Mbikëqyrës i Kompanisë Albpetrol sh.a. ka shkarkuar nga detyra drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë z. Endri Puka.

3. Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ka shkarkuar nga detyra drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë Z. Engjell Zeqo, ish-kreu i KESH.

 Sakaq, ministri i Energjisë dhe Industrisë, z.Damian Gjiknuri ka firmosur emërimet e drejtuesve të institucioneve të varësisë sa më poshtë:

 Z. Adrian Çela emërohet kryeinspektor në Inspektoratin Qendror Teknik (IQT).

Z. Viktor Doda, ish -ministër i Energjetikes emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH).

Z. Rrapush Tola emërohet drejtues i Repartit Inspektim Shpëtim-Miniera (RISHM).

Z. Dael Dervishi emërohet Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN).

  Koorporata Elektroenergjetike (KESH)

 Është një koorporatë shtetërore që prodhon energji elektrike, bazuar në shfrytëzimin e hidrocentraleve, por edhe në blerjen e energjisë elektrike që prodhohen nga privatët. Në 2012-n, ERE vendosi që KESH-i të ulë çmimin e energjisë elektrike nga 2,8 lekë/kvv, në 2,2 lekë/lvv. Nga kjo ulje e çmimit të shitjes të energjisë elektrike, KESH-i pëson mbi 50 milionë euro dëm buxhetor. Gjithashtu, CEZ-i i ka një borxh KESH-it, mbi 300 milionë euro, për mospagesë të energjisë elektrike, që i është shitur, por edhe nga energjia elektrike, që KESH ka importuar, për pamundësinë e blerjes nga CEZ-i, sipas  kushteve të kontratës. Xhiroja vjetore e KESH-it, CEZ-it është mbi 700 milionë euro në vit. Drejtori i ri i KESH-it u emërua Agron Heto.

  Operatori i Sistemit të Transmetimit OST

Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST-ja është sistemi që përcjell energjinë elektrike nga prodhuesi, KESH deri te shpërndarësi, CEZ. Ajo që ia vlen të përmendet, është se askush deri më sot nuk mund të dijë me siguri sa kilovatorë regjistrohen në matësit që OST-ja merr nga KESH-i dhe sa kilovatorë jep OST-ja te CEZ-i. Deri më sot, askush nuk ka kontrolluar. Kjo është një nga mundësitë abuzuese, ku shteti humbet me miliona dollarë, nga “humbjet” e moskontrolli. Xhiroja vjetore llogaritet mbi 500 milionë dollarë në vit. Drejtor i OST-së emërohet Engjëll Zeqo, i cili deri para disa muajsh, ka qenë drejtori i KESH-it.

 Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN)

 Gjatë një kontrolli të KLSH-së, te Agjencia Kombëtare e  Burimeve Natyrore (AKBN) u gjet një vrimë e zezë në buxhetin e saj, që arrin deri në 50 milionë dollarë. Mirëpo deri më sot, askush nga drejtuesit e saj nuk është vënë para përgjegjësisë. Drejtor i AKBN-së, emërohet Dael Dervishi.

Albpetrol

Kompania “Albpetrol” është një nga ndërmarrjet që sjell përfitimin më të madh në buxhetin e shtetit, ku xhiroja e saj vjetore llogaritet në 500 milionë euro. Ndërkohë, gjatë tetë viteve të fundit, kjo ndërmarrje është katandisur me rreth 1% të aksioneve të saj, pasi të gjitha puset e naftës e të gazit u janë dhënë me koncesion kompanive private. Ndërkohë, janë shitur e privatizuar edhe një pjesë e mirë e pronave që ka pasur në zotërim kjo kompani. Në “Albpetrol” janë të punësuar rreth 3500 punonjës. Drejtor i Albpetrol emërohet Endri Puka.