Qeveria e Rilindjes po udhëheq si një bandë

454
Koço Kokëdhima mbush sallën e teatrit “Skampa” me socialistë 
Kreu i Lëvizjes “Zgjidhja” akuza të forta Ramës dhe ministrave 
Nga Maks TUFA
Ish-deputeti socialist dhe themeluesi i Lëvizjes “Zgjidhja” në PS, Koço Kokëdhima ka mbledhur dje pasdite në sallën e Teatrit “Skampa” në Elbasan qindra socialistë të zhgënjyer, dhe militantë të shtresave të ndryshme të asaj partie. Ai ka bashkëbiseduar me socialistët e Elbasanit, që ashtu si edhe ata në rrethet e tjera, kanë pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes së Rilindjes. Që në nisjen e fjalës së tij zoti Kokëdhima, ka falenderuar të pranishmit dhe e ka nisur fjalën e tij me përjashtimin nga Asambleja e PS-së, më 23 dhjetor 2016, duke e krahasuar me mënyrën e largimit me veprimet e “një bande dhe jo një forumi aq të lartë partie, por unë i drejtohem nga Elbasani anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, të më mundësojnë dokumentacionin mbi të cilin është mbështetur shkarkimi im dhe premtoj se, derisa të mos më japin dokumentacionin unë do të jem prezent në mbledhjet e Asamblesë”. Duke vazhduar fjalimin e tij zoti Kokëdhima tha, se “lidershipi i PS në mënyrën më të turpshme më shkarkoi nga Asambleja Kombëtare pa asnjë rregull, pa procedurë, pa njoftim me rend dite, pa prezencën time, pa raport, pa motivacion, pa votim të fshehtë, pa debat, pa transparencë, ata e dhanë lajmin në media, por nuk e zbardhin dot vendimin, se nuk kanë çfarë të shkruajnë. Imagjinoni sot në shekullin XXI kur një gjykatë të dënon por nuk të jep vendimin. Këtë nuk mund ta bëjë një parti politike kundër një kolegu dhe anëtari të forumeve të veta. I drejtohem sot nga ky podium të gjithë anëtarësisë së Asamblesë Kombëtare të PS-së, të nderuar kolegë, ju keni votuar për shkarkimin tim me 23 dhjetorin e fundit. Drejtuesit e Asamblesë nuk më kanë vënë në dispozicion vendimin e shkarkimit, pavarësisht interesimit tim të vazhdueshëm. Ju kërkoj të ushtroni përgjegjësinë tuaj për të zbardhur dhe publikuar vendimin e shkarkimit dhe dokumentet mbështetëse. Unë do vazhdoj të vij në Asamble, po pres mbledhjen e radhës për këtë. Si i zgjedhur rregullisht nga Kongresi, e konsideroj veten anëtar të Asamblesë me të drejta të plota për sa kohë nuk zbardhet dhe të më jepet vendimi që më keni shkarkuar. Nuk është thjesht problem i imi personal, këtu flasim për norma që rregullojnë bashkëjetesën e të gjithëve në një parti. Nuk ju mjaftojnë shembujt që kanë ndodhur të gjithë këto vite të rrënimit dhe shkatërrimit të kësaj partie”. Me tone të ashpra Kokëdhima denoncoi largimet nga puna të përkrahësve dhe simpatizantëve të Lëvizjes “Zgjidhja”, duke dënuar veprimet e Ramës dhe ministrave të tij. Kokëdhima e ilustroi këtë me “largimin nga puna të Brigels Dervishit, një juristi të diplomuar në Milano dhe që punonte te ALUIZNI në Sarandë dhe të ish-drejtorit Blerti Diamanti, që u larguan nga puna me urdhër të Gjiknurit, për t’i zëvendësuar me njerëz pa shkollë e pa zotësi, përmes goditjes ndaj meje dhe ndëshkimeve të egra dhe brutale ndaj socialistëve që u rreshtuan në mbështetje të projektit për reformimin e PS, udhëheqësit tanë shpresonin ta mbysnin dhe ta shuanin që në nisje këtë lëvizje. Ta flaknin jashtë PS. Po ne nuk do reshtim së denoncuari pushimet nga puna me urdhër të lidershipit të PS”. Ai u bëri thirrje drejtuesve të PS, që “të mos vazhdojnë më, të shkatërrojnë jetët dhe karrierat e njerëzve, pse nuk u bëjnë “share” postimeve të udhëheqësve në rrjetet sociale dhe, të mos vazhdojnë të pushojnë nga puna socialistët, për shkak të bindjeve dhe ideve të tyre politike apo për qëllime korruptive”. Kokëdhima fajësoi udhëheqjen e partisë për degradimin e strukturave të saj në bazë dhe të qeverisjes dhe rast më të mire të drejtimit të keq të partisë, mbetet takimi i Rama -Ruçit, me shtabin elektoral të PS-së në Vlorë ku u ankuan se kryetari i partisë dhe drejtuesit e tjerë, merren me intriga e thashetheme dhe nuk punojnë. Burimi nga përhapet në parti kultura e intrigave, thashethemeve, shpifjeve, përçarjes dhe thikës pas shpine, është udhëheqja e Partia Socialiste në qendër, është kupola e partisë dhe qeverisë. Lidershipi i PS-së e ndan partinë siç ndan institucionet e shtetit në çifligje ku sundon njëri a tjetri, ndërsa socialistët e thjeshtë janë vetëm për të bërë vota, as nuk dëgjohen, as nuk ndihmohen, as nuk pyeten dhe as nuk respektohen. Kokëdhima u shpreh, se qeverisja e punëve në PS nuk bazohet në institucione, kulturë funksionale, parime, standarde, manuale, procedura, në sisteme moderne menaxhimi, në raporte e dokumente, se ajo qeveriset si një bashkësi bandash”. Kokëdhima ka denoncuar edhe zgjedhjet e organeve vendore të Partisë Socialiste, ku theksoi se “PS-ja e Tiranës është më e shpartalluara në krahasim me gjendjen politike dhe organizative të partisë në të gjitha bashkitë e tjera të vendit. Saimir Tahiri është kryetar qysh në vitin 2011, ka mandatin 2 vjet, që atëherë ai nuk është zgjedhur më, por po shkatërron partinë”.
Sigal