Qeveria, e detyruar nga reagimi i fuqishëm tërheq projektligjin e censurës së kritikës

534
Premtimet elektorale të Rilindjes në 2013, e ardhur nga një opozitë 8-vjeçare, për ndërtimin e një shteti më njerëzor, më social e një shteti më të drejtë, ku në qendër do të ketë qytetarët, këto dy vjetët e qeverisjes, në fakt nuk janë gjë tjetër, veçse penalizmi i çdo kundravajtjeje administrative dhe penale, deri ën ekstrem, aq sa jo vetëm në ligjet që miratohen, në emër të reformave transferuese, të ndërtimit të një shteti nga kuota 0, por edhe në fjalorin politik të Kryeministrit Rama, mbizotëron fjala “Burg” për këdo: Për atë që nuk paguan energjinë elektrike, qoftë ky edhe një i varfër, që nuk ka asnjë të ardhur, qoftë edhe nga ndihma sociale dhe ekonomike e shtetit. Pasoja: Mijëra të varfër u burgosën, dhe qindra u vetëvranë. Burg për qytetarët, që nuk marrin kupon. Burg për bizneset që nuk japin kupon. Burg edhe për shitësit e gështenjave, që nuk kanë kasë fiskale. Por, çuditërisht, asnjë zyrtar i lartë, i kallëzuar për abuzime fondesh publike dhe posti, edhe kur kallëzimi penal është bërë nga KLSH për ministra konkretë, nuk ka shkuar as te dera e prokurorisë. Madje, qeveria vetë ka cilësuar shpifje kallëzimet penale të KLSH të bazuara në auditive shtetërore, për të mbrojtur shkeljet penale të ministrave. Dhe, sikur të mos mjaftonin këto zullume, qeveria fut nga dritarja e Kuvendit një projektligj, në nenin 238 të Kodit Penal, i cili do të penalizojë çdo shpifje kundër funksionarëve të lartë zyrtarë dhe të të zgjedhurve. Me fjalë të thjeshta, ky projektligj i qeverisë së Rilindjes, rikthen në Kod Penal, madje, edhe më të ashpër, penalizmin e shpifjes, deri në 3 vjet burg, pikërisht, atë ligj që u shfuqizua në 2012, me konsensusin e mazhorancës dhe të opozitës së asaj kohe, të detyruar nga presioni i BE. 
Dje, zyrtarisht, qeveria u tërhoq nga projektligji i saj i penalizmit të shpifjes, por, përkohësisht, me pretendimin rishikimit. 
Flasin për gazetën “Telegraf”
Prof. Dr. Shefqet Muçi, ish-ministër i Drejtësisë: Kriminalizimi i shpifjes, i mbyll gojën medias dhe njerëzve
Ne problemin duhet ta shikojmë historikisht. Shpifja, gjithmonë nënkupton që ka të bëjë me thënie që nuk i përgjigjen të vërtetës. Janë thënie të rreme dhe që bëhen me qëllim për të cenuar nderin dhe dinjitetin e një personi. Në Kodin Penal ekzistues shpifja ka qenë parashikuar në nenin 120 dhe kishte 2 paragrafë. Paragrafi i parë shpifja dënohej me gjobë, ose me burgim deri në një vit, dhe paragrafi i dytë, kur shpifja bëhej botërisht, sepse në ndryshimet që do të bëjë qeveria, bëhet fjalë për shpifje të bëra botërisht, kur kryhet në dëm të disa personave dhe më shumë se një herë, edhe kjo përbën kundravajtje penale, por dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Kjo ka qenë shpifja e zakonshme. Pra, shpifja për qytetarët e zakonshëm, themi ne kështu, gjithmonë në Kodin Penal ka qenë kundravajtje penale. Po të shikojmë edhe shpifjen për shkak të detyrës, edhe ajo është dënuar, kur ka qenë e thjeshtë me gjobë ose me burgim deri në 1 vit, dhe kur ka qenë e kryer botërisht, ose në dëm të disa personave dhe e përsëritur disa herë, me gjobë ose burgim deri në 2 vjet. Po thuajse shpifja është e njëjta, Kodi i ka ndarë 2 të veçanta. Për të qenë, shpifja ka qenë kundravajtje penale, jo krim. Ndërsa shpifja ndaj Presidentit të Republikës, ka qenë e veçantë dhe parashikohet në nenin 241 të Kodit Penal dhe përbën krim dhe shpifja ndaj presidentit të Republikës dënohet me gjobë, ose me burgim deri në 3 vjet. Pra, shpifjet, kur janë kundravajtje penale dënohen deri ën 2 vjet, ndërsa kur shpifja dënohet deri në 3 vjet, nuk është më kundravajtje, por është krim. Ndaj shpifja ndaj Presidentit të Republikës konsiderohej krim. 
-Tani çfarë ndodh?
– Edhe nën ndikimin e BE dhe të ndërkombëtarëve është shënuar, që shpifja, sikundër edhe fyerja, të dekriminaliyoheshim, domethënë, të mos dënoheshin fare ose të dënohen vetëm me gjobë. Dhe për këtë, me ligjin numër 23 të datës 1.3.2012 është bërë ndryshimi i nenit që parashikon shpifjen e zakonshme. Dhe në paragrafin e dytë të tij, thuhet që , kur kryhet botërisht kundër disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundravajtja penale dënohet me gjobë, me shumë lekësh. Pra, është hequr dënimi me burg dhe është cilësuar një kundravajtje penale dhe dënohet vetëm me gjobë. Këtu, nuk bëhet dallimi nëse bëhet për qytetarët e zakonshëm, për funksionarë shtetërorë, apo të zgjedhur dhe as për Presidentin e Republikës. Po në këtë ligj, shpifja për shkak të detyrës, është shfuqizuar fare, po ashtu edhe shpifja ndaj Presidentit të Republikës. Pra, shpifja është dekriminalizuar. Tani na dalka problemi që u dashka rikthyer, por për funksionarët e lartë shtetërorë, që nuk mjaftohen dënimi me gjobë, për shpifje, si gjithë qytetarët e tjerë, Me këtë nenin që kërkojnë të futin tani, po e shndërrojnë, jo vetëm që siç ishte, kundravajtje penale, por e kthejnë në krim, sepse e dënojnë 3 vjet maksimumi, siç ishte për Presidentin e Republikës dhe po e futin edhe për gjithë funksionarët e tjerë të lartë. 
– Kush janë funksionarët e lartë?
– Për këtë duhet të dalë një ligj tjetër, që të përcaktojë kush janë funksionarët e lartë shtetërorë ose duhet të specifikuar. 
– Sipas jush, përse duhet kriminalizuar sërish shpifja? Përse, nuk mjafton dënimi me gjobë?
– Mua më duket se është një çështje e pastudiuar. Ndoshta, politikanët po i atribuojnë njëri-tjetrit probleme që nuk qëndrojnë, që në fakt nuk bëjnë mirë që bëjnë veprime të kësaj natyre dhe kërkojnë që ta ndalojnë këtë me masa drastike dhe me dënime të rënda. 
– Po, a e kërcënon median ky ndryshim i kërkuar i ligjit?
– Tani, ky ndryshim i kërkuar i ligjit, i përfshin të gjithë, nuk ka përjashtime për askënd. Unë, si specialist e shikoj kështu. Vendoset një nen në Kodin Penal që është për të gjithë shtetasit shqiptarë, që bëjnë shpifje ndaj funksionarëve të lartë apo të zgjedhurve. Unë nuk jam kundër dënimit të atyre që shpifin, por problemi është se ka qenë në kundravajtje penale dhe me këtë ligj funksionarët e lartë do gëzojnë një mbrojtje të veçantë me ligj, më të veçantë nga ajo që ka qenë më përpara. Këta tani po bëjnë një kriminalizim më të rënduar sesa ka qenë para 2012. Ndaj kjo më duket e papranueshme, sepse ndryshimet në Kodin Penal, këta i bëjnë sipas orekseve dhe jo sipas studimeve. Si atëherë, kur ndryshimet u bënë me fora, pa u studiuar, edhe tani, njësoj veprohet, pa marrë mendimin e specialistëve të Kodit Penal, të medias, si grupim i interesuar. Kodi Penal është bërë një paçavure, nga ndryshimet që bëhen të njëpasnjëshme, në çdo muaj. Ndërkohë që në shtetet e tjera, ndryshimet në Kodin Penal, bëhen shumë rrallë. Nuk luftohet kriminaliteti, duke shtuar vite burg në Kodin Penal, me dënime drastike, të kësaj natyre, Kriminaliteti luftohet me marrjen e masave parandaluese, ku, në fund të fundit, dënimi me burg, është një nga masat parandaluese, por e fundit, që duhet ndërmarrë. 
– A mund të identifikohet dhe pastaj të dënohet për shpifje një akuzë publike e bërë ndaj një funksionari të lartë të shtetit, kur, ende kjo akuzë nuk është dëshmuar në gjyq?
– Kjo e ka rrezikun e vet. Në rrjedhën e përditshme është vështirë të dallosh atë shpifje nga e vërteta. Meqë unë si qytetar ngre një problem, që mund të jetë e vërtetë, por nuk e provoj dot, atëherë ligji më vë përpara përgjegjësisë për shpifje dhe atëherë, ligji u mbyll gojën qytetarëve, i mbyll gojën medias, u mbyll gojën të gjithë atyre njerëzve që ngrënë edhe probleme të vërteta, por nuk kanë fuqinë t’i provojnë. Këtu është problemi. Prandaj, u bë dekriminalizimi i shpifjes, që t’u japë kurajë njerëzve që të ngrenë zërin ndaj funksionarëve të lartë të shtetit. Ndërsa denoncimi nuk duhet konsideruar shpifje. Problemi është sesi trajtohen këto në praktikë. Këta me ligjin e ri mbrojtjen ndaj shpifjes e kufizojnë (si privilegj) vetëm ndaj funksionarëve të lartë të shtetit dhe të të zgjedhurve, domethënë bëjnë diskriminim, bëjnë një dallim nga qytetarët e zakonshëm, sikur qytetarët e zakonshëm e kanë personalitetin më të ulët, i kanë vlerat më të ulëta. Unë kam mendimin që media duhet të mbrohet veçanërisht, por jo të përjashtohet totalisht. 
Fehmi Abdiu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese: Shqipëria nuk duhet ta ndërmarrë penalizmin e shpifjes 
Problemi i penalizimit të veprës penale të shpifjes ka një historik, sepse për këtë Komisioni Europian dhe Asambleja Parlamentare i KE, që nga 2006-2007 kanë insistuar fort edhe për Shqipërinë që vepra penale e shpifjes, që ishte parashikuar në Kodin Penal të shfuqizohej si nen, të depenalizohej, sepse konsiderohej me të drejtë, si një pengesë që ndrydhte mendimin kritik, mendimin ndryshe, mendimin alternativ, në vendet demokratike. Pas shumë hezitimesh, edhe Shqipëria e pranoi këtë fakt, duke dhënë konsensusin në 2012 edhe mazhoranca, edhe opozita, një qëndrim që u imponua nga faktori ndërkombëtar. Tashmë, rikthimi i çështjes të penalizmit të shpifjes, mua më duket anakronike dhe mendoj se është një hap mbrapa. Nuk gjej argumente, për të mbështetur një projektligj të tillë të qeverisë, se jam i bindur që dekriminalizimi i shpifjes është i pranishëm në të gjitha vendet e tjera. Problemi ndaj shpifjes është sa politik, aq edhe juridik, por më shumë politik, sepse është i lidhur me domethëniet e demokracisë, është i lidhur me mendimin alternativ, me thelbin e pluralizmit. Unë mendoj, që ky projektligj nuk do kalojë në Parlament. Mendoj se të tilla projektligje si ky, nuk do t’i shërbejë parandalimit të veprave të dënueshme si shpifja. Shqipëria nuk duhet ta ndërmarrë penalizmin e shpifjes. 
Astrit Çerma: Ligji i…shpifjes për…shpifjen..ja shpifi aq shumë..shpifjes
Ligji i…shpifjes për…shpifjen… ja shpifi aq shumë… shpifjes. sa…shpifarakët, unanimisht,…shpifën aq shumë të vërteta shpifëse, sa vetë..shpifja e detyrua ta quajë shpifjen si ..të pa…shpifur… E si mund të ndodhte ndryshe?! Më kujtohet një ngjarje e dhimbshme në ish-kombinatin metalurgjik të Elbasanit, kur në një pusetë të mbushur plot me gaz karbonik, “Shpëtuesit” ( kështu quhesh një repart me punonjës të specializuar për të shpëtuar punonjësit) u futën brenda të pajisur me maska…”kundragazi” dhe në vend që të shpëtojnë të helmuarit, u helmuan dhe vetë…Një parlament, një qeveri dhe anti qeveri, një pozitë dhe opozitë, një shoqëri dhe një anti-shoqëri, të tërë të zhytur në …shpifje, kërkojnë të shpëtojnë nga shpifja, duke dënuar shpifjen, me të cilën ushqehen në të gjitha qelizat e shkuara të tashme dhe, fatkeqësisht, të ardhme… Në këtë “nivel” të dhimbshëm, ku jetojmë, a ka “mendje”, logjikë, argument, ligj, arsim, kulturë, medie e masmedie, a ka qenie njerëzore të ndajë të Vërtetën nga…Shpifja?…
Marko Bello, ish- deputet: Në vend të vërë vetulla, mund të nxjerrë sytë
Në panik nga reagimi kombëtar e ndërkombëtar kundër propozimit të kryeministrit për ta konsideruar sërish shpifjen një vepër penale, dje qeveria saktësoi se nuk bëhet fjalë për gazetarët, por politikanët. “Ne do të kërkojmë kriminalizimin një orë e më parë me ligj të shpifjes për shkak të detyrës për çdo rast kur akuzat e bëra nga një përfaqësues i zgjedhur i popullit, ose i një partie politike parlamentare janë akuza penalisht shqetësuese për opinionin publik. ” Nuk ka formulim më qesharak se ky i mësipërmi, qe pretendon se akuzat politike mund të jenë shqetësuese për opinionin publik… Ha ha ha! Po si mendojnë këta t’i dënojnë politikanët? Nga fjalët e deklaratat politike? Këto janë broçkulla për të trembur galat. Zotërinj ! Shkoni tek pasuria marramendëse e tyre e aty do të gjeni përgjigje për shumë dilema. Aty janë provat e gjalla të pasurive të dyshimta, të vëna nga abuzimi me funksionin publik, shkelja e ligjit dhe korrupsioni galopant. Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, por zbatimi i tyre. Kur prokurorët dhe gjyqtarët do të zbatojnë ligjin në frymë e gërmë, vetëm atëherë do të kemi shtet ligjor. Sigurisht, jo këta që kemi, por ata që do të vijnë së shpejti…
Mesila Doda, deputete: Projektligji sjell arrogancën dhe nervozizmin zyrtar
Projektligji i fundit sjell arrogancën dhe nervozizmin në formën e një propozimi zyrtar. Ky vend ka vuajtur shumë nga autoritarizmi dhe diktatura, ndaj masat shtrënguese që çojnë në represionin e lirisë nuk janë dhe nuk duhet të mbështeten as nga parlamenti e as nga qytetarët.
Lajla Pernaska, ish deputete: Agresiviteti dhe represioni japin shpesh feed-back negativ.
Agresiviteti dhe represioni japin shpesh feed-back negativ. Ne i qëndrojmë ndryshimit ligjor që ne kemi bërë!
Reagimi i politikanëve
Ilir Meta: Ka keqkuptim. Do të ketë reflektim
Jam në dijeni të këtij debati të iniciativës, besoj se ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim. Besoj që LSI mbështet çdo iniciativë për dekriminalizim apo jo? Jua thashë që kam përshtypjen që është keqkuptuar qëllimi me formulimin. Kështu që do ketë reflektim besoj.
Oerd Bylykbashi, deputet: Edi Rama, do të ketë në dorë mandatin e çdo deputeti!
Nëse Rama do të kalojë në parlament këtë ligj dhe ligjin për dekriminalizimin, mjafton që një deputet i opozitës të gjobitet vetëm se ka sharë kryelartësinë, ai deputet humbet mandatin menjëherë. Kjo nuk është në interesin e askujt dhe ju mediat duhet të reagoni. Ka një qëllim të qartë dhe nuk është keqkuptim. Të mbyllë çdo zë opozitarizmi. Në mënyrë specifike të godasë median dhe opozitën.
Ermonela Felaj, ministre: Ky nen nuk penalizon median, por politikanët. Do ta riformulojmë
Shpifja dhe fyerja janë vepra që parashikohen në Kodin Penal sot që po flasim. Është parashikuar vetëm dënimi me gjobë, dënimi me gjobë nuk është dënim civil, por dënim penal, që në rast se gjoba nuk paguhet ai konvertohet në burgim. Ky nen nuk ka për qëllim të penalizojë njerëzit e aq më pak mediat, por që funksionarët e lartë të kenë një standard në komunikim, duke mos shpifur ndaj njëri-tjetrit. Projektligjin, do ta riformulojmë, do ta saktësojmë”. 
OSBE, kundër Ramës: Shqipëria ta hedhë poshtë pr/ligjin për kriminalizimin e shpifjes
Menjëherë, sapo qeveria tërhoqi projektligjin për kriminalizmin e shpifjes reagoi sërish përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatović, e cila tha se ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. “Pr/ligji nuk do kriminalizojë fjalën e lirë, Bushati më siguroi për pr/ligjin”. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë- shkroi ajo në Twitter. Më herët Dunja Mijatović, shprehu shqetësimin për projektndryshimet në Kodin Penal të Shqipërisë, dhe u bëri thirrje anëtarëve të parlamentit të hedhin poshtë projektligjin që parashikon dënim me burg për shpifjen ndaj figurave publike. “Institucionet dhe zyrtarët publikë nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë ndaj deklaratave kritike, përkundrazi ata duhet të tolerojnë një shkallë më të lartë kritike se qytetarët e zakonshëm”, tha Mijatović, duke shtuar se, “Dënimet penale për shpifjen janë të tepruara dhe jopërpjestimore. Ato duhet të zëvendësohen me rregullime të përshtatshme në ligjin civil apo administrativ”. Nëse miratohet, propozimi i Këshillit të Ministrave do të sanksionojë dënimin me burg deri në tre vjet për “shpifje ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur”. “U bëj thirrje anëtarëve të parlamentit të hedhin poshtë propozimin dhe, në vend të kësaj, të marrin në konsideratë heqjen e plotë të shpifjes nga Kodi Penal”, tha Mijatović. Më 2012, autoritetet në Shqipëri vendosën të heqin dënimin me burg për veprën e shpifjes, një vendim që u mirëprit nga Përfaqësuesja. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias vëzhgon zhvillimet në fushën e medias, në të gjitha 57 Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së. Ajo bën paralajmërim të hershëm për shkeljet e të drejtës së shprehjes dhe lirisë së medias dhe promovon respektimin e plotë të angazhimeve të OSBE-së për lirinë e medias.
Kryeministri Edi Rama: Ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me shtypin
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” se ku konsiston propozimi i tij. Sipas Ramës, projekt-ligji për kriminalizimin e shpifjes nuk ka asnjë lidhje me shtypin, por thotë se “shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan”.“Asnjë lidhje me shtypin kriminalizimi i shpifjes! Jo, shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit!”, shkruan kryeministri Rama.
Lulzim Basha: Burracaku Rama, kërcënon mediat me burg
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Rama se po kërcënon me burg, mediat dhe gazetarët, që sipas shefit të opozitës, kanë kurajën të nxjerrin në dritë skandalet korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin.“Burracaku Rama kërcënon me burg mediat dhe gazetarët që nuk arrin t’i shantazhojë apo blejë e që kanë kurajën të nxjerrin në dritë skandalet, korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin. E di dhe vetë ky kokosh poturembushur se nuk ka asnjë shans të trembë askënd. Era e hajdutërisë se tij dhe bandës së tij po qelb Shqipërinë. Nuk shpëton dot me marifete të tilla. Nuk do të arrijë kurrë ti mbyllë gojën as opozitës, as medias së lirë as qytetarëve. Ai dhe banda e tij do të japin llogari.”- shkruan Basha në “Facebook”.
Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij, në foltoren e Kuvendit u mbështet tek një shprehje popullore sa i takon projektligjit më të ri, atë për Shpifjen. Sipas Berishës, “qenit kur i vjen ngordhja shkon e bën shu..ën në derë të xhamisë edhe politikanit, kur i vjen mortja shkon e vë ligjin për shpifjen”
Nasip Naço në 17 shtator 2015: Projektligji është antikushtetues, shkel Konventën ndërkombëtare
Në një letër që mban datën 17 shtator, ish-Ministri i drejtësisë Nasip Naço e vlerëson iniciativën antikushtetuese dhe në shkelje të konventave ndërkombëtare. “Në zbatim të dispozitave të Kushtetutës dhe ligjit nr.9000/2003, vlerësojmë se iniciativa e propozuar nga ana juaj duhet të vijohet nga autoriteti që njeh Kushtetuta dhe ligji, pasi propozimi i iniciuar, nuk është brenda fushës së veprimtarisë së parashikuar në VKM nr.843/2013. Nevojiten argumentet bindës nëse mbrojtja që ofrohet përmes kësaj dispozite është e justifikuar dhe nuk cenon parimin për mbrojtje të barabartë për të gjithë”. Gjithashtu Naço, në letrën që i drejtohet Ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj, thotë se qeveria nuk e justifikon qëllimin e ndryshimeve në Kod Penal. “Sugjerojmë që propozimi juaj të rivlerësohet, duke argumentuar me kujdes arsyet që çojnë në nevojën për parashikimin e një vepre të re penale”. Ish-Ministri i Drejtësisë Nasip Naço i kërkonte gjithashtu parlamentit se para hartimit të ndryshimeve në Kodin Penal të konsultohej gjerësisht duke pasur në konsideratë ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2012, kur shpifja u dekriminalizua me konsensus mes socialistëve dhe demokratëve. 
Sigal