Qeveria do të kapë edhe AMA, i vetmi institucion i pavarur nga qeveria

513
Sigal

Nënkryetari i AMA-s, Sami Neza e ka quajtur shkarkimin nga detyra të anëtarit të këtij institucioni Zylyftar Bregut si një përpjekje për të ndryshuar raportet në bordin e këtij institucioni, i vetmi institucion në Shqipëri që sipas tij nuk drejtohej ekskluzivisht nga mazhoranca. Sami Neza: Parlamenti liroi nga detyra anëtarin e AMA-s Zylyftar Bregu në përpjekje për të ndryshuar raportet në bordin e këtij institucioni, i vetmi institucion në Shqipëri që nuk drejtohej ekskluzivisht nga mazhoranca. Procedura e ndjekur për shkarkimin e Bregut është e paligjshme. Ajo mbështetet në akuzën për konflikt interesi për shkak të një kontrate qeraje, realizuar shumë vite me parë, pa asnjë lidhje me aktivitetin audioviziv. Deklarata e pasurisë dhe interesave të Bregut është kontrolluar dhe vlerësuar më herët përmes një kontrolli të thellë nga ILDKPI, ku subjekt i kontrollit ka qenë edhe kontrata e qerasë, përpara se Parlamenti ta rizgjidhte z. Bregu në vitin 2016 në detyrën e anëtarit të AMA. Anëtarët e AMA-s në shumicë kanë kundërshtuar dhe refuzuar si të paligjshme nisjen e kësaj procedure që në fund të vitit 2018, duke e konsideruar atë si një presion të hapur të mazhorancës parlamentare ndaj një institucioni të pavarur, refuzim për të cilin ishte në dijeni edhe Parlamenti edhe opinioni publik. Vetë Parlamenti e ndërpreu procedurën e shkarkimit duke anuluar një votim në fillim të vitit 2019. Procedura e ndërprerë në atë periudhë rifilloi nga Kuvendi në mënyrë të papritur në fund të muajit qershor, kjo e lidhur tërësisht me draftimin e ligjit për mediat online nga ana e qeverisë, projekt që ngarkon AMA të nxijë faqen me censurimin e mediave të shkruara në internet, gjë që nuk e ka bërë dhe as mund të bëjë për mediat audiovizive, rregullator i të cilave është. Në mazhorancë bordi i AMA-s ishte kundër këtij projekti çfarë e bënte nul edhe implementimin e ndryshimeve ligjore që synojnë kontrollin e mediave online. Shkarkimi i Bregut është një sinjal se sa të pasigurta janë institucionet e pavarura në vend për të ushtruar zbatimin e ligjit, se sa e kërcënuar është liria e medias dhe sa e vështirë është të jesh përballë qeverisë e cila nuk kursen edhe votat e mazhorancës në parlament për të marrë kontrollin e medias.