Qeveria dhe opozita pajtohen në sytë e Europës

608
Pavarësisht debateve për çështjen “Tahiri” dhe reformën zgjedhore, miratohet me consensus rezoluta finale e Komitetit për Stabilizim-Asociimin
Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociimin Shqipëri-BE vijoi punimet e sesionit të dymbëdhjetë dhe mundësoi që mazhoranca e opozita të shprehen në një mendje për rezolutën finale. Pavarësisht interpretimeve të ndryshme, kryesisht për rastin “Tahiri”, deputetët shqiptarë miratuan dokumentin final. Në ditën e dytë të punimeve u diskutua nga anëtarët e KPSA-së për zgjedhjet, reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE-së. Krahas tyre, një tjetër pikë e diskutimeve ishte edhe lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Megjithatë në sytë e eurodeputetëve, mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakortësinë dhe dolën me rekomandime të përbashkëta në përfundim të mbledhjes dyditore të Komitetit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Ajo që po diskutohej prej dy ditësh, për mundësinë e një konsensusi, u konfirmua nga socialisti Taulant Balla. “Kemi një dakordësi të plotë mazhorancë-opozitë, ku rekomandohet hapja e negociatave dhe caktimi i një date. Lajmi i mirë është që më në fund kemi një dokument të përbashkët edhe me opozitën. Jemi të gjithë bashkë për të punuar për Shqipërinë evropiane”, deklaroi Balla. Kjo ishte mbledhja e 12 e këtij komiteti. Në dy mbledhjet paraardhëse, pra në atë të 11-të dhe 10-të nuk ka pasur konsensus dhe punimet e këtij Komiteti nuk kanë dalë me një deklaratë të përbashkët. Gjatë punimeve të së hënës, eurodeputetja rumune, Monika Makovei, që drejton delegacionin e parlamentarëve evropianë, u kërkoi politikanë në Tiranë që të lënë mënjanë sherret dhe të dialogojnë. Pas kësaj thirrjeje, Taulant Balla që drejton delegacionin shqiptar përsëriti edhe njëherë ftesën drejtuar opozitës për një pakt kombëtar për Evropën. Rezultatet e reformës në drejtësi mbeten thelbësore, shpjegoi ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, ndërsa shtoi se efektet e para po ndjehen. “Ne kemi filluar të shikojmë produktet e para të ndryshimit të sistemit. Ne i shohim rezultatet e para të procesit të vetingut edhe përpara seancave dëgjimore publike, me dorëheqjet e ditëve të fundit dhe ne do të vijojmë të kërkojmë rezultate”, u shpreh Vlahutin. Në fjalën e saj, deputetja e PD, Jorida Tabaku, kërkoi edhe njëherë shpjegim se përse opozita nuk është përfshirë në takimin e fundit të Këshillit të Stabilizim Associimit. Por shqetësimi i saj dhe i deputetes tjetër të PD, Albana Vokshi ka qenë edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka qenë pjesë e delegacionit që duhet të merrte pjesë në këtë takim. Ndërkohë, dje fokusi ishte tek reforma zgjedhore dhe korrupsioni. Macovei kërkoi më shumë përpjekje në luftën ndaj këtij fenomeni, ndërsa Oerd Bylykbashi foli për rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe kërkesën e opozitës për votim elektronik. Dy bashkëkryetarët e KPSA-së, Makovei dhe Balla, në përfundim të takimit, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, duke theksuar se “për herë të parë pas një kohe goxha të gjatë ia kemi dalë që të miratojmë me unanimitet të plotë rekomandimet për autoritetet në Shqipëri dhe për institucionet e tjera të BE-së”. “Kjo është diçka shumë e mirë, është një lajm shumë i mirë. Më duhet të them që takimi ishte shumë konstruktiv dhe më vjen shumë mirë që kemi këtë deklaratë të përbashkët të miratuar me unanimitet të plotë. Jam shumë e lumtur që shikoj zhvillime, sepse kjo tregon se opozita dhe partia në mazhorancë punojnë së bashku dhe kjo është dëshmi e faktit që interesat politike janë lënë mënjanë”, vlerësoi eurodeputetja.
Negociatat, dilema qëndron te Këshilli
Hapja e negociatave për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ndonëse mund të marrë një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian, do ta ketë më të vështirë të kalojë në filtrin e vendeve anëtare. Eurodeputetja Monika Makovei u shpreh se Komisioni Evropian do të rekomandojë dhënien e një date për çeljen e negociatave ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë dhe do të presim dhe shpresojmë dhe do të lobojmë gjithashtu edhe në Këshill me të gjitha shtetet anëtare në BE për të votuar në favor të çeljes së negociatave për Shqipërinë. “Çelja e negociatave për Shqipërinë do të thotë progres për vendin sepse do të hapni të gjitha kapitujt për tregtinë, për drejtësinë apo çdo element tjetër, për shembull për tenderët, për konkurrencën, për lirinë e shprehjesh, për të drejtat e njeriut dhe më pas vendi dhe autoritetet, parlamentet janë të detyruar që të miratojnë legjislacion të ri, të ndryshojnë legjislacionin, gjë e cila çon në ndryshimin e jetës për shqiptarët”, tha Makovei.
Sigal