Qeveria: 670 milionë lekë për 1 samit/ Ndërkohë që spitalet janë pa ilaçe, studentët ngrijnë në konvikte, njerëzit në nevojë vdesin rrugëve nga të ftohtit, shteti i akordon Shërbimeve Qeveritare miliona për dreka, darka dhe hotele

469
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qveria bën rrush e kumbulla paratë e taksapaguesve, shpërdoron 670 milionë lekë për 1 samit

Spitalet nuk kanë ilaçe, studentët ngrijnë në konvikte, njerëzit e pandihmë vdesin nga të ftohtit rrugëve…

Qeveria do të organizojë në Tiranë e Krujë një Samit të Diasporës dhe do të shpenzojë 670 milionë lekë. Ne nuk jemi kundër këtyre samiteve të Diasporës, të cilat bashkojnë shqiptarët, por momenti i vështirë ekonomik, kur qeveria nuk ka fonde as t’u sigurojë studentëve ngrohje në këto ditë janar, do të ishte më mirë, që samitet të organizoheshin në vendet ku është Diaspora dhe shpenzimet për shtetin do të ishin më të vogla, ose shpenzimet e samiteve të Diasporës të përballoheshin nga donatorë dhe jo nga taksapaguesit shqiptarë. Mirëpo, qeveria është dorëlëshuar për Shërbimet qeveritare…

VKM: 670 milionë lekë për supëra dhe sallata…

Qeveria ka nxjerrë një VKM ku akordon afërsisht 670 milionë lekë në zërin “Shërbime Qeveritare” nga fondi rezervë për Samitin e Dytë të Diasporës. VKM-ja e qeverisë e 16 janarit 2019: Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e vitit 2019, në zërin “Shërbime qeveritare”, i shtohet fondi prej 66 972 800 (gjashtëdhjetë e gjashtë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e tetëqind) lekësh, brenda datës 31 janar 2019, për organizimin e Samitit të Dytë të Diasporës, që do të zhvillohet në datat 28 shkurt – 2 mars 2019 në Tiranë dhe Lezhë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

Shpërdorimi i taksave të shqiptarëve

Sa kushton një Samit 3 ditor i Diasporës? 670 milionë lekë? Sikur qeveria të planifikojë  për dietë 50 dollarë për fjetje, 50 dollarë ushqime, i bie që të ftojë 6.700 veta për 1 ditë, ose  2.200 vetë, për 3 ditë. Sa do ftojnë? Me 200 përfaqësues nga Diaspora (që dyshojmë se kaq do të jenë ftesat), i bie, që për çdo përfaqësues të shpenzohet afërsisht 4 milionë lekë në 3 ditë, ose 1,2 milionë lekë në ditë. Ku mund t’i shpenzojë përfaqësuesi i Diasporës 4 milionë lekë në Samitin e Diasporës? Për hotelin? Për supat, kafetë dhe bërxollat e birra do harxhohen?

Të pandihmët vdesin nga të ftohtit në rrugë

Këto ditë në Shqipëri, për herë të parë gjatë 28 viteve kanë vdekur disa endacakë nga të ftohtit, sepse as bashkitë (socialiste), as qeveria nuk kanë dhënë asnjë ndihmë për endacakët, për njerëzit e pandihmë. Studentët po ngrijnë në konvikte, sepse mungon sistemi ngrohës, edhe pse paguajnë tarifa shumë të larta në konvikte. Spitalet nuk kanë ilaçe, ndërkohë që qeveria paska 670 milionë lekë të shpërdorojë për një Samit 3 ditor të Diasporës.

Kush e ka marrë me koncesion Shërbimin Qeveritar?

Kush e ka marrë me koncesion Shërbimin Qeveritar, të cilit i akordohen edhe 670 milionë lekët e Samitit 3 ditor të Diasporës? Është një pyetje që prokuroria duhet ta hetojë, për të gjetur shpjegimet, se përse do të shpërdorohen 670 milionë lekë nga fondi rezervë i Buxhetit të shtetit 2019. A qëndrojnë pas këtyre koncesioneve njerëz të afërt apo me lidhje me qeveritarët? Nuk e dimë, por të sëmurët pa ilaçe, studentët që ngrijnë nga të ftohtit, familjet e varëra pa ndihmë sociale duan një përgjigje nga prokuroria.