Sigal

Forum: Kolapsi na çon në regjum autoritarist. Përderisa Parlamenti miraton çdo ligj që i sjell maxhoranca e saj, në kushtet e mungesës së Kushtetueses si gardiane e lirisë dhe sovranitetit të kombit duhet qeveri teknike. Flasin Bello, Gjonaj, Duka, Cakaj, Ndoka, Bardhi dhe Galdini

Jakup B. GJOÇA

Ka më shumë se 7 muaj që Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, për shkak se vettingu ka shkarkuar shumicën e anëtarëve të saj. Mirëpo, procesi i vettingut është i njëkohshëm, vetëm përjashtues, por nuk funksionon edhe pranimi, domethënë, hartuesit e reformës në drejtësi, ligjbërësit dhe ligjvotuesit të kishin parashikuar edhe procesin e pranimit njëkohësisht, domethënë, të zëvendësimit të menjëhershëm të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese (por edhe të çdo institucioni që kalon në Vetting). 7 muaj, që Shqipëria është pa rend kushtetues, 7 muaj, që kryeministri ushtron praktikisht të gjitha pushtetet. Parlamenti ka 7 muaj që miraton çdo ligj që i sjell qeveria, me shumicën e thjeshtë, ndërkohë, që Gjykata Kushtetuese, e cila është kontrollouesja, garantuesja kushtetuese e rendit kushtetues në Shqipëri nuk funksionon. Një vend, pa rend kushtetues, pa Gjykatë Kushtetuese i leverdis vetëm kryeministrit, i cili tashmë ka të përqendruar pushtetet, duke cenuar rëndë Kushtetutën.

Duhet qeveri teknike

Mosfunksionimi i një ndërkohe kaq të gjatë i Gjykatës Kushtetuese është dëshmia e dështimit të reformës në Drejtësi. Kjo maxhorancë dështoi që ta kryejë reformën ën drejtësi, për më tepër, kjo maxhorancë nuk ka as vullnetin politik që ta zbatojë reformën në drejtësi mbi bazën e konsensusit të madh të 22 korrikut 2016, sepse deri tani, ka miratuar 6 ligje të kësaj reforme pa konsensusin e opozitës, shkatërron Gjyqësorin dhe ende nuk ngre dot as institucionet e reja të drejtësisë. Kryeministri Rama deklaroi para disa ditësh, që maxhoranca nuk pranon që të rikthehet tek konsensusi i 2016-s, por do ta kryejë edhe pa opozitën reformën në drejtësi, e do të ndërtojë pa konsensusin e opozitës edhe gjithë institucionet e drejtësisë. Kjo mendësi politike, ky vullnet i munguar për bashkëpunim e gjetje të kompromisit të madh politik, dëshmon se maxhoranca kërkon që ta kontrollojë ajo tërësisht gjithë sistemin e drejtësisë. Akti I parë ishte tentative e maxhorancës për të miratuar projektligjin e Magjistraturës, e cili kërkon 84 vota, që tani kjo maxhorancë nuk i ka. Pa 84 vota, tashmë asnjë institucion i Drejtësisë nuk mund të ndërtohet. Kjo do të thotë më qartë, që Shqipëria mund të jetë akoma edhe për 2 – 3 vite të tjera pa Gjykatë Kushtetuese, me kryeprokurore të Përkohshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, pa konsensusin e opozitës, pa 84 vota, por edhe që vazhdon në detyrë për një ndërkohë shumë të gjatë, kur ligji që e e emëroi atë, nuk ia ka dhënën kohën të pakufizuar. Edhe kohëzgjatja në detyrë e Kryeprokurores së Përkohshme, është një shkelje flagrante e Kushtetutës nga maxhoranca dhe një vullnet I munguar për të bashkëpunuar me opozitën. Kur vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, nuk duhet të qeverisë qeveria, edhe pse ka votbesimin e elektoratit, as parlamenti nuk duhet të miratojë ligje, as të ratifikojë marrëveshje shumë të rëndësishme ndërshtetërore, sepse qeveria edhe mund të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore, të cilat mund të cenojnë interesat kombëtare, siç ndodhi në 2009 me marrëveshjen e Detit me Greqinë. Që ditën e parë që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese, duhej domosdoshmërish, që të ngrihej një qeveri teknike, e cila do të përkujdesohej, që të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, ku paskëtaj, elektorati t’i japë mirëbesim asaj partie politike, atij kualicioni politik, për të ndërtuar institucionet e reja të drejtësisë.

Shembulli i Maqedonisë: Qeveri Teknike për referendumin

Para disa ditësh, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas një takimi disa orësh me udhëheqësit politike në vend, u shpreh se pranoi propozimin e opozitës VMRO-DPMNE-së, që të formohet qeveri teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme u kushtëzuan për shkak të referendumit, që do të mbahet, për të vendosur populli për emrin e shtetit.

Forumi i gazetës “Telegraf”

 Gazeta “Telegraf” u drejtoi deputetëve, kryetarëve të partive pyetjen:

– Sa kohë që nuk kemi Gjykata Kushtetuese a duhet të kemi më mirë qeveri teknike, dhe parlamenti te mos votojë ligje?

 Ylli Manjani, ishministër i Drejtësisë: Qeveria nuk zëvendëson Gjjykatën Kushtetuese

Asnjë lloj qeverie nuk zëvendëson Gjykatën Kushtetuese dhe Drejtësinë.

 Agron Duka, kryetar i PAA: Pa Gjykatë Kushtetuese, qeveria nuk ka frena

Gjykata Kushtetuese tashmë ka hyrë në krizën më të paprecedentë që prej krijimit të saj pas vitit 1990. Nëse do të më lejohej një metaforë, dhe ta konsideroja shtetin si një makinë, dhe timonin si pjesa e qeverisjes, në këtë makinë Gjykata Kushtetues do të ishte sistemi i frenat. Në këtë moment ne jemi pa Gjykatë Kushtetuese, pra jemi pa frena. Kur koj ndodhë në jetën e përditshme, ne ndalojmë makinën, pasi pa kontroll nuk mund të ecet. Kësodore mendoj se edhe aktiviteti i parlamentar, në shtator, duhet të merret me administrimin normal derisa të kemi një zgjidhje, pasi nuk ka asnjë garanci kushtetuese që vendimet e saj të përputhen me rendin tonë ligjor. Një shembull i mirë është ligji për Teatrin Kombëtarë, i cili është qartazi në shkelje të shumë parimeve themelore, por nuk mund të ankimohet për shkak të krizës së Gjykatës. Mendoj se nuk ekzistojnë kushtet për qeveri teknike, mazhoranca i ka votat për të qeverisur edhe në mënyrën e gabuar, sidomos duke pasur parasysh se nuk kanë shfaqur në asnjë moment probleme morale mbi rrezikun që paraqet kjo situatë, apo mbi faktin që një vend nuk mund të quhet demokratik nëse nuk ka balanca midis pushteteve. Sipas meje, për t’i dhënë fund krizës do të duhet minimalisht një pakt politik midis palëve. Sigurisht situata do të agravohet në muajt në vijim, do të shkojmë në zgrip të marrëdhënieve politike, por gjykojë se edhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtarë, palët do të gjejnë rrugën e zgjidhjes. Sigurisht ky moment ngarkon me shumë përgjegjësi Opozitën, e cila është barriera e fundit ndaj shndërrimit të Shqipërisë në një autokraci, ku nuk ka ndarje të pushteteve. Duhet të jemi në lartësinë e këtij momenti të vështirë.

Marko Bello, ish-deputet i PS-së: Pa Gjykatë Kushtetuese, kemi regjim autoritarist

Reforma në sistemin e drejtësisë është pritur me shumë interes nga mbarë opinioni publik për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, paaftësisë dhe mungesës së kontrollit efektiv mbi organet që japin drejtësi. Fatkeqësisht, procesi është tejet i ngadalte, aq më tepër që në sitën e vettingut do të duhet të kalojnë gati 800 prokurorë e gjyqtarë.

Së dyti, nga 3 elementët e procesit (pasuria, profesionalizmi dhe integriteti moral) komisionet e vettingut po merren vetëm me kontrollin e pasurisë, duke dubluar ILDKPI;

Së treti, këto komisione përdorin standarde të ndryshme për subjekte të ndryshme, çka të krijon përshtypjen se ato nuk janë të pavarura.

Së fundi, vendi është praktikisht pa Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe pritet të paralizohet edhe ajo e Apelit. Për herë të parë, pas 26 vitesh demokraci, sistemi ka humbur njërin nga 3 pushtetet-Gjyqësorin, i cili mban ekuilibrin dhe ruan praktikisht shtetasit nga abuzimi i dy pushteteve të tjera legjislativit dhe ekzekutivit). Situata bëhet edhe më e rëndë pas deklaratave të fundit të shefit të ekzekutivit, i cili hapur dëshmon konceptin e tij në favor të një regjimi autoritarist, ku një njeri i vetëm po kërkon të kontrollojë krejt shtetin dhe shoqërinë. Nuk është e rastësishme që tani po miratohen ligje që shkelin Kushtetutën, që prona publike dhe pasuria e përbashkët po grabitet hapur, ndërsa taksat e qytetarëve po shkojnë direkt në xhepat e klientelës qeveritare. Situata është shumë e rëndë dhe e ardhmja e demokracisë në rrezik të madh. Nëse reagimi i shqiptarëve do të mungojë, dëmi që do t’i bëhet vendit do të jetë i pallogaritshëm.

Arian Galdini Kryetar i LDE – Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë: Qeveria Teknike është një zgjidhje politike që duhet e mund të vijë për arsye politike

E vërteta është se këto tre gjëra nuk kanë fare lidhje me njëra – tjetrën. Neve sot na mungon 1/3 e pushteteve nëpërmjet mosfunksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, ama neve na ka munguar edhe Kuvendi, edhe Qeverisja prej 27 – 28 vitesh, kur Gjykata Kushtetuese ka qenë plotësisht në detyrë. Natyra e demokracisë sonë ka qenë hibride dhe autokratike. Asnjëherë nuk e kemi arritur dot balancën e plotë të 3 pushteteve. Kush ka fituar Shumicën Parlamentare në Shqipëri, ka qenë kaherë Sundimtari fuqiplotë mbi Kuvendin dhe Qeverinë, sepse ne realisht asnjëherë nuk kemi pasur ndarje Pushtetesh. Partia fituese e ka Kuvendin në xhep si ratifikues formal të gjithçkaje, që vendos ajo dhe Qeveria. Bazuar në këtë logjikë, nuk besoj se bën kaq shumë alarm, mungesa e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Është mungesë serioze dhe tejet shqetësuese, por debati mbi të nuk duhet bërë kaq fundor. Shqipëria është në një fazë të re ndryshimesh epokale. Elitat e korruptuara në drejtësi, institucione dhe politikë do të bien. Rezistenca e tyre antireformë ka vetëm një synim, të vonojnë kohën. P.sh, qytetarët shqiptarë bazuar në nenin 13 të KEDNJ – Konventës së të Drejtave të Njeriut e kanë të drejtën t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut, pikërisht pse Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese në vendin tonë nuk janë funksionale. Por koha është varrmihësja më e madhe për të drejtat dhe çështjet e shqiptarëve. Kjo situatë anormale sjell më shumë vonesa e zvarritje në kohë. Ja që humbja ose vjedhja e kohës është një nga dëmet më kapitale, që na e kanë shkaktuar gjithmonë elitat tona sundimtare dhe të korruptuara. Andaj, nëse ka një alarm buçitës këtu, ky është alarmi për Kohën. Të mos humbasim më kohë. Ta çojmë deri në fund sa më parë Reformën në Drejtësi, të bëjmë sa më parë një Reformë tê thellë dhe çliruese Zgjedhore, e të ndahemi si shoqëri një orë e më parë nga Elitat e Korruptuara. Qeveria Teknike është një zgjidhje politike që duhet e mund të vijë për arsye politike. Por jo si pazar e për pazar. Si zgjidhje e mençur dhe atdhedashëse. A i kemi ne Elitat tona politike të maturuara për të lëshuar pushtet në emër të dashurisë për atdheun, demokracinë, lirinë, parimet dhe Perëndimin? Dyshoj fort… Gjithçka që debatohet, apo dakordohet nga Elitat e Korruptuara ka vetëm arsye dhe rezultate te korruptuara. Unë jam për një ndryshim epokal elitash, që më në fund njerëz dlirësisht dhe vendosmërisht patriotike dhe properëndimorë të vijnë në krye të punëve në këtë vendin tonë. Kush vendos interesat e kombit mbi interesat e partisë, kush vendos interesat e publikut dhe qytetarëve mbi interesat vetjake, duhet të vijë nê krye të punëve në Shqipëri.

Nard Ndoka, deputet: Më mirë djepin bosh, se djallin kryeministër

Pa Gjykate Kushtetuese nuk mund të ketë Qeveri, as Kuvend, nuk mund të ketë institucione funksionale. Qeveria nuk mund të marrë vendime, Kuvendi nuk mund të miratojë ligje; ligjshmëria e tyre kontrollohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Jemi në kushtet e antishtetit, kërkohet urgjentisht zgjidhje politike për të kaluar këtë humnerë, që politika e papërgjegjshme ja bëri vetës. Opozita duhet ta ndërtojë aksionin opozitar tek sistemi i drejtësisë dhe Kushtetuta. Pa Gjykatë Kushtetuese nuk ka shtet, shteti ka rënë, atë e rrëzoi Rilindja me paaftësinë që e karakterizon, ose më keq akoma në mënyrë të qëllimshme. Sot ka rënë Kushtetuta, Kuvendi, Drejtësia dhe çdo institucion. Sot drejton KM dhunshëm dhe siç di vetëm ai. Kjo qeveri nuk ka të drejtë të marrë vendime, ky Kuvend nuk ka të drejtë kushtetuese të miratojë ligje, përderisa nuk ka një Gjykatë Kushtetuese që kontrollon ligjshmërinë e tyre dhe përputhjen me Kushtetutën. Më mirë djepin bosh, se djallin kryeministër. Duhet konsensus politik për të dalë nga kjo humnerë kushtetuese, që politika e papërgjegjshme ja krijoi vendit.

Deputetja e LSI Silva Cakaj replikon me ministre Gjonaj: E kalon dot Vettingun?

Pas akuzave të ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj se opozita nuk e do vettingun, deputetja e LSI-së Silva Caka i është kundërpërgjigjur Gjonajt, ndërsa shtoi se kjo e fundit thjesht lexoi diktimin e radhës. I kujtoj Etildës, që në kohën kur opozita e sotme votonte ndryshimet kushtetuese dhe paketën e ligjeve të Reformës në Drejtësi, ajo kandidonte për komisionere pranë Avokatit të Popullit dhe mbase nuk e mban mend që ndryshimet kushtetuese dhe ligjet e Reformës në Drejtësi, parashikonin që Prokurori i Përgjithshëm, propozohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe votohet nga Kuvendi me shumicë të cilësuar votash, sipas rekomandimeve te Komisionit të Venecias. Në fakt nuk ndodhi kështu Etilda! Prokurori i Përgjithshëm, me urdhër të Kryeministrit tënd dhe me zbatim nga Ulsiu & Co, u propozua nga Rilindja dhe u votua nga Rilindja me 69 vota! As Vettingut nuk i ishte nënshtruar në kohën e zgjedhjes, por pak problem përbënte, pasi biografinë, moralin dhe profesionalizmin ia njihte mirë Rilindja. Ja ku erdhi shkelja e parë e atyre që ne votuam më 22 korrik 2016; ja ku u kap një institucion i drejtësisë nga Kryeministri dhe Qeveria!

Së dyti, Etilda: kandidatët për anëtarë jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe anëtarë jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas Kushtetutës që edhe ne votuam, duhet të merrnin miratimin e ONM-së dhe nëse kjo nuk ndodhte, atëherë ata përjashtoheshin nga kandidimi. Në fakt nuk ndodhi kështu Etilda: Kandidatët për anëtarë jo prokurorë dhe jo gjyqtarë të KLP dhe atij Gjyqësor që u skualifikuan nga ONM, u zgjodhën të gjithë në këto dy organe, pasi Kryeministri yt dha urdhër që të mos merrej në konsideratë opinioni i ONM-së (që ai vetë e kërkoi me aq ngulm si garant të zbatimit të Reformës në Drejtësi), të shkelej Kushtetuta që të gjithë bashkë e votuam dhe këta kandidatë të skualifikuar nga ONM-ja, të zgjidheshin anëtarë të këtyre 2 institucioneve shumë të rëndësishme të Sistemit të Drejtësisë. Ja ku u kapën edhe 2 institucione të tjera Etilda!

Së treti, Etilda, ne si opozitë votuam që organet e reja të Sistemit të Drejtësisë, të ngriheshin maksimumi brenda 8 muajve nga miratimi në Kuvend i Reformës në Drejtësi, por Kryeministri yt dhe Qeveria po bëjnë të pamundurën edhe sot që kanë kaluar 2 vite, që KLGJ, KLP, ILD, SPAK, GJPAK dhe BKH, të mos ngrihen dhe siç ta thashë edhe ne Komisionin e Ligjeve, këto institucione as nuk keni ndërmend t’i ngrini, deri sa aty të vendosni shokët dhe vartësit e Kryeministrit tënd. Ja pra Etilda, ku u kapën edhe shumë institucione të tjera të drejtësisë!

Së katërti, Etilda, ne votuam që sot të kishim një Gjykatë të Lartë dhe një Gjykatë Kushtetuese të reformuar, në funksion të plotë, për të dhënë drejtësi për qytetarët… As kjo nuk ndodhi, moj Etildë!

Së pesti, Etilda, ne votuam që magjistratët e rinj, të emëroheshin nga KLGj dhe KLP, por Kryeministri yt i dha urdhër Ulsiut dhe shokëve, që ta arnojnë ligjin dhe që gjyqtarët dhe prokurorët e ardhshëm, t’i emërojë KLD dhe Arta Marku! Etilda, mbase ti nuk e kupton, por kjo është kapje e pastër jo vetëm e drejtësisë aktuale, por edhe asaj të ardhme. Madje heqja e afatit të vitit akademik që keni sjellë në projektligj, e tregon qartë dhe pastër që këtë punë do ta bëjë gjithmonë KLD dhe Arta, pasi KLGj-në dhe KLP-në nuk keni ndërmend t’i ngrini kurrë!

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj: Opozita nuk e do Vettingun, nuk ka kthim mbrapa

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i është përgjigjur akuzave të PD duke thënë se vettingu po funksionon, sepse po pastrohet drejtësia dhe se opozita nuk e do vettingun, por procesi nuk ka kthim mbrapa. Ministrja i bëri thirrje opozitës për të bashkëpunuar.

“Procesi i Vettingut, po qëllohet përditë me gurët e revanshit të dëshpëruar të një opozite që pasi ka humbur pushtetin absolut mbi gjyqësorin e korruptuar deri në palcë, ka humbur edhe rrugën e arsyes. Vettingu po funksionon dhe pastrimi i shumëpritur prej dekadash i Pallatit të Drejtësisë po ndodh! Jo vetëm po ndodh, por po ndodh në sytë e publikut, në transparencë të plotë dhe monitorim të rreptë ndërkombëtar. Vettingu po rikthen shpresën e qytetarëve se edhe në Shqipëri mund të ketë drejtësi dhe sa më shumë shtohen shembujt që ushqejnë shpresën, aq më shumë shtohen edhe fletërrufetë e dëshpëruara të opozitës kundër Vettingut. Sot jemi të gjithë dëshmitarë për progresin tepër të rëndësishëm të kryer nga procesi i Vettingut. Në fakt, Shqipëria nuk ka mbetur pa Gjykatë Kushtetuese e Gjykatë të Lartë, po ka shpëtuar njëherë e mirë nga pasojat e kalbëzimit korruptiv të këtyre gjykatave mbi drejtësinë e mbi liritë e të drejtat e njerëzve të zakonshëm. Boshllëku i sotëm është i përkohshëm, i kuptueshëm njësoj si hapësirat e çliruara nga operacioni në trupin e drejtësisë, ku kishin gjetur strehë e rriteshin tumoret e një kanceri degradues për krejt organizmin.

PD: Ligji i Magjistraturës përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten dhe ministrat nga hetimi

PD-ja ka denoncuar përpjekjen e kryeministrit Rama për zhbërjen e plotë të drejtësisë nëpërmjet tentativës së tij për ligjin e Magjistraturës. Sipas këshilltarit Bardhi, arsyeja për këtë është bllokimi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojë qeveritarët e korruptuar dhe krimin e organizuar. Ministrja e Drejtësisë u përpoq të mbrojë me propagandë dhe sulme kundër opozitës përpjekjen e Edi Ramës për të bllokuar reformën në drejtësi me qëllimin e vetëm bllokimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të hetojë qeveritarët e korruptuar dhe krimin e organizuar. Ligji për Shkollën e Magjistraturës është provë e qartë sesi Edi Rama po zhbën reformën në drejtësi, sepse ky ligj është kthim mbrapa tek institucionet e kalbura të sistemit të vjetër të drejtësisë. Nuk bëhet fjalë për disa studentë, por nëpërmjet këtij ligji, Edi Rama kërkon t’i japë fuqi për emërimin e gjyqtarëve Këshillit të Lartë të Drejtësisë, një institucion që reforma në drejtësi e shkriu si ngrehinën më të korruptuar në vend. Rikthimi i Edi Ramës tek institucionet e kalbura të drejtësisë pengon ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, nga të cilët varet ngritja e Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion. Edi Rama po bllokon zbatimin e reformës në drejtësi që ai vetë të mos hetohet për korrupsion, për pastrim parash, për lidhje me krimin e organizuar. Përdorimi politik i vettingut po rrënon besimin e shqiptarëve tek reforma në drejtësi. Kushtetuta, funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, KLGJ, KLP, Prokuror të Përgjithshëm, SPAK dhe BKH sipas reformës. Kjo është rruga e daljes nga kolapsi dhe kapja politike e drejtësisë nga qeveria e korruptuar dhe e lidhur me krimin.​