Qëndrueshmëria në 40 vite e Deklaratës së Limës

964
Sigal

Dr. Bujar
Leskaj

Kryetari
i KLSH

Deklarata e
Limës konsiderohet nga të gjithë si Akti që ndryshoi botën e auditimit më të
lartë shtetëror. Ajo është quajtur me të drejtë edhe si Magna Carta, Kushtetuta
e institucioneve të auditimit publik. Konsiderohet po ashtu si ISSAI 1,
standardi i parë dhe themelor i profesionit te audituesit suprem publik. Që nga
koha kur u miratua në Kongresin INCOSAI IX në tetor 1977 në Lima, Peru,
Deklarata u konceptua mbi bazën e një bashkëpunimi ndërkombëtar real mes  institucioneve supreme të auditimit publik
(SAI-ve), që në atë kohë ishte zgjeruar ndjeshëm. Organizata nderkombetare e
SAI-ve, INTOSAI kishte 24 vite që funksiononte dhe anëtarësimi në të i
tejkalonte 100 SAI-t anëtare.  Parimet e
Deklaratës së  Limës mbi funksionimin e auditimit
më të lartë publik dëshmuan përvojën e fituar nga SAI-t në këtë proces. Nga ana
tjetër, ato ofruan mundësinë që kjo përvojë të bëhej pronë e të gjitha SAI-ve.
Deklarata i inkurajoi të gjitha SAI-t 
për të zhvilluar auditimet e tyre, duke përdorur parime uniforme bazuar
në eksperiencën e përbashkë, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë
të gjithë
)”. Ideja e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërkombëtar mes SAI-ve ishte
e rrënjosur në mendjet e autorëve të Deklaratës 40 vite më parë. Me një nga
etërit e Deklaratës, firmosës dhe hartues kryesor i saj, Dr. Hubert Weber, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të
Përgjithshëm të INTOSAI-t pranë Gjykatës Austriake të Auditimit dhe ish-President
i Gjykatës Europiane të Audituesve, pata fatin të zhvilloj një bisedë pak ditë
më parë në Takimin Jubilar të mbajtur në Lima, Peru me rastin e 40 Vjetorit të
Deklaratës. Dr. Weber ngre pyetjen:”Sa
herë që paraqitet një reformë e auditimit qeveritar, e cila e meriton këtë
përcaktim, sa herë që adresohen problemet kryesore të auditimit të qeverisë,
referenca bëhet zakonisht në Deklaratën Limës “Udhëzimet mbi Parimet e
Auditimit”. Po pse Deklarata e Limës, një arritje e Kongresit INCOSAI IX të
Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit -INTOSAI në
vitin 1977, ka dhënë orientim lidhur me çështjet themelore të auditimit publik
për katër dekada rrjesht dhe, me të gjitha gjasat do të vazhdojë ta bëjë edhe
në të ardhmen?[1]
”.
Dhe po vetë përgjigjet: “Synimi i
deklaruar i shumicës dërrmuese të SAI-ve ishte të jepnin një kontribut për të
trajtuar zhvillimet kritike me përpjekje të zgjeruara që synonin drejt efiçiencës
së auditimit. SAI-t, të cilat kishin në përgjithësi pak burime në dorë, u
përqëndruan në këtë qëllim, megjithëse ballafaqoheshin me kufizime të
konsiderueshme në lidhje me burimet financiare dhe njerëzore. Në Kongresin IX
në Peru, SAI-t arritën që të zhvendosnin fokusin nga kryesisht identifikimi i
mangësive, duke siguruar në mënyrë konstruktive shtysën drejt një administrimi dhe
menaxhimi me ekonomicitet dhe të përmirësuar të burimeve të tyre, duke u
mbështetur më tej nga një theksim gradualisht përherë e më i fortë i auditimeve
të performancës[2]
”.
Dr. Weber pranoi me kënaqësi të vizitojë KLSH-në gjatë viti të ardhshëm dhe t’u
drejtohet audituesve shqiptarë.




Në përshëndetjen e tij,
Kontrollori
i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro, cilësoi se “Deklarata e Limës “Udhëzime mbi Parimet e Auditimit” bën thirrje për
auditim të pavarur të qeverisë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse parashtron
rëndësinë e pavarësisë së SAI-t. Ajo thekson se institucionet e larta të
auditimit mund t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë objektive dhe efektive
vetëm nëse ato janë të pavarur nga subjekti i audituar dhe mbrohen nga
influenca e jashtme. Pavarësia mbështet punën që bëjmë si auditues të qeverisë,
duke na lejuar t’i ndihmojmë qeveritë tona për të siguruar integritetin dhe
llogaridhënien e burimeve dhe programeve publike
[3]”.   




Deklarata e
Limës i rezistoi testit të kohës. Kjo ndodhi për shkak se udhëzimet e saj përqëndrohen
në sigurimin e pavarësisë së institucionit suprem të auditimit shtetëror, SAI-t.
Vlerat e parimeve të saj u projektuan në sfond të betejave të shumta të dhjetëra
SAI-ve kudo në botë për të fituar apo ruajtur pavarësinë e tyre funksionale dhe
financiare, duke iu qëndruar rrebesheve të joshjeve apo presioneve nga qeveri
ose segmente të caktuara qeveritare, për të ndikuar apo edhe manipuluar SAI-n. Deklarata
përkufizoi përmbajtjen e pavarësisë, duke përcaktuar marrëdhëniet e SAI-ve me
institucionet e tjera shtetërore, duke mos lënë asnjë shteg për influenca të
papërshtatshme qeveritare. Kaq e qartë dhe pa ekuivoke është përmbajtja e Deklaratës,
sa në këto katër dekada, vetëm përmendja e emrit të saj nervozonte jo pak
drejtues apo përfaqësues qeverish me synime të spikatura akaparimi pushtetesh. Kur
tre vjet më parë debatonim si KLSH në Komisionet e Kuvendit përmbajtjen e
ligjit të ri integral për institucionin tonë, të miratuar në nëntor 2014, ajo që
na vinte në ndihmë, na jepte kurajo dhe qartësi në rrugën tonë për të siguruar
një pavarësi të plotë funksionale dhe financiare të institucionit, ishte pikërisht
Deklarata e Limës.  Ajo vendosi kufijtë
mbi aktivitetet e institucionit suprem të  auditimit dhe përcaktoi fuqinë e vendimeve të tij,
duke ofruar udhëzime të detajuara metodologjike për përmbajtjen dhe fushat e
veprimtarisë së SAI-t, si dhe duke dhënë parimet e sigurimit të cilësisë në
auditim, një koncept që në vitin 1977 ishte mjaft përpara kohës së tij. Deklarata
e Limës i qëndroi kohes, edhe per faktin se ajo paratha rritjen e rolit, përgjegjësisë
dhe ndërveprimit të SAI-ve dhe Organizatës së tyre INTOSAI në bashkëpunimin ndërkombëtar.
Ajo i pozicionoi saktë aktivitetet e SAI-t në nivel ndërkombëtar, në lidhje me
shkëmbimin e përvojës audituese dhe në marrëdhëniet me organizatat
ndërkombëtare. Ky pozicionim është sot edhe më i dukshëm, nëpërmjet dy
Rezolutave të njëpasnjëshme të OKB-së më 22 dhjetor 2011, Rezoluta A/66/209
Nxitja e efiçiences,
përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike,
duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit
” dhe më 19 dhjetor 2014, Rezoluta A /
69/228:  “Promovimi dhe fuqizimi i efiçiences, përgjegjshmërisë, efektivitetit
dhe transparencës së administratës publike, me anë të forcimit të
institucioneve të larta të auditimit
“. OKB ka zgjedhur SAI-t dhe
INTOSAI-n partnerë në punën për zbatimin e objektivave të Axhendës 2030 të
Kombeve të Bashkuara. SAI-t dhe INTOSAI në Kongresin e tyre të fundit  INCOSAI i XXII-ë në Abu d’Habi te Emirateve të
Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, u bashkuan në ambicie dhe vendosmëri për të
qenë sa më profesionalë në vlerën e shtuar të shërbimit ndaj qytetarit.    



Deklarata e
Limës 40 vjet më parë u nënshkrua nga 80 SAI pjesëmarrëse në Kongresin INCOSAI
IX. Sot janë 194 SAI nga po kaq vende të botes, të bashkuar në ambicie dhe
vendosmëri, që potenciojnë zbatimin e Deklaratës, të ndërgjegjësuar më shumë se
kurrë për vlerat e udhëzimeve dhe parimeve të saj.

INTOSAI,
organizata e SAI-ve, është një njësi e veçantë në qeverisjen botërore. Duke mos
qenë strukturë qeveritare e shteteve kombëtare, por një organizatë e pavarur me
përfshirje të veçantë në strukturën e autoritetit shtetëror, INTOSAI ka një
mision të qartë për të kryer. Kjo organizatë ushtron një ndikim të dukshëm tek
organizatat e specializuara të Kombeve të Bashkuara, të cilat përpunojnë
rregulla dhe rekomandime për shtetet kombëtare. Ja përse OKB kërkon sot nga
INTOSAI dhe SAI-t e saj anëtarë partneritet dhe mbikqyrje në zbatimin me
efektivitet të objektivave të Axhendës 2030. Për shkak të rolit që luan
nëpërmjet SAI-ve kombëtare, INTOSAI qëndron larg burokracisë së globalizimit
dhe mund të ndikojë dukshëm në mirëfunksionimin e organizatave të tjera ndërkombëtare.
Ky rol fuqizohet akoma dhe më tepër sot, kur tendencat anti-globaliste janë në
një spirale rritëse dhe risqet për dobësimin deri madje edhe shpërbërjen e
bashkimeve politike dhe federatave, apo 
institucioneve ndëkombëtare janë reale dhe të forcuara.Në këtë aspekt,
rëndësia e Deklaratës së Limës reflektohet edhe nëpërmjet kontributit të INTOSAI-t
në mirëfunksionimin e sistemit të organizatavë ndërkombëtare. Bashkëpunimi mes
OKB-së dhe INTOSAI-t për performancën e objektivave të Axhendës 2030 jep
garanci për ta parë të ardhmen e një bote më mirë të integruar, ku parimet e mirëqeverisjes
globale dhe e sistemeve financiare kombëtare transparente e të përgjegjshme,
janë mbizotëruese. Ja përse edhe me 40 vite mbi supe, Deklarata e Limës është
sot po aq e kohës sa kur dhe u krijua, në mos më tepër. Betejat për shëndoshjen
e financave publike dhe menaxhimin e duhur të borxheve publike të stërmëdha, i
ftojnë si INTOSAI-n dhe ne SAI-t anëtare në një kontribut dhe rol të pamenduar
më parë, por të cilin Deklarata me parimet e saj e ka parathënë 4 dekada të
kaluara. Dhe saktësisht faktin që Institucionet Supreme të Auditimit janë të
kualifikuara për të nxitur sigurinë e mirëfunksionimit të financave shtetërore.
Ato janë dhënëset e sigurisë, çertifikueset e shëndetit të këtyre financave me
rëndësi jetike për shërbimet ndaj qytetarit. Duke kontribuar në këtë siguri, ne
si SAI mundemi sot të bëjmë ndryshimin e pritur në jetën e qytetarëve të
vendeve tona.




[1] Botimi në anglisht “40 Vjet Deklaratë e Limës e INTOSAI-t”, faqe 6,
dhjetor 2017, Lima, Peru.

[2] Po aty, faqe 6-7.

[3] Gene L. Dodaro, nga Video-Përshëndetja në Jubileun e 40-të të
Deklaratës së Limës, Lima, Peru, dhjetor 2017