Qëndrim i përbashkët i këshilltarëve bashkiakë të PS dhe LSI

400
Sigal

 

Rrokaj & Ferhati: Territori që i jepet “Eco Tirana” nuk do përdoret për riciklim

 

Këshilltarët e majtë në bashkinë e Tiranës kanë deklaruar se territori në zonën e Don Boskos do t’i jepet shoqërisë “Eco Tirana” jo për riciklim, por për zyra logjistike dhe për magazinë.

Këshilltari i LSI-së Shezai Rrokaj ftoi PD-në që të shohë zbardhjen e vendimit. “Ai territor do të përdoret për një përdorim të përbashkët mes kompanisë së huaj dhe bashkisë së Tiranës 51-49 % dhe do të përdoret për logjistikë, për magazina për trajnim, edukim qytetar mbi mbetjet dhe për probleme që mund të kenë makinat për problemet e riparimeve. Ky është vendimi dhe ne e ftojmë opozitën, kryetarin e saj, të vij në zbardhjen e vendimit bashkë me ju dhe ta shikojë që ky projekt nuk parashikon dhe ne nuk mund të parashikonim riciklim të mbetjeve në mes të Tiranës. Aty do të qëndrojnë vetëm ato makina pastrimi që do të merren me zonën e Don Boskos”, tha ai.

Edhe Klodilda Ferhati, këshilltarja e PS-së u shpreh se “objekti i vendimmarrjes nga ne ka qenë nëse do ta jepnim në përdorim në shoqërinë ‘Eco Tirana’ një ambient në pronësi të bashkisë që do të përdorej për zyra logjistike, për oficinë, për parkim të mjeteve të pastrimit dhe për ato makina që përdoren për zonën”. “Nuk kemi transferuar në pronësi të shoqërisë asnjë pasuri të Bashkisë së Tiranës. E kemi dhënë në përdorim që ‘Eco Tirana’ të ushtrojë veprimtarinë e saj në një aset që bashkia deri dje nuk e përdorte”, shtoi ajo.

Më herët, këshilltarët e PD-së në Bashkinë e Tiranës reaguan lidhur me këtë vendim, që sipas tyre i jep një truall prej 22 mijë metrash katrorë, industrisë kriminale të mbetjeve. Kreu i Këshilltarëve të PD-së, Leonard Olli u shpreh se “në atë vend që ndodhet në zemër të njësisë administrative nr.9, mund të ishte bërë një qendër multifunskionale për fëmijët, për parashkollorët dhe për shkollat e mesme”.