Qendra Evropiane e Drogave: Shqipëria “pushton” hartën e trafikut të hashashit në Evropë

575
Ajo që deri më sot ishte perceptim, tashmë është e vërtetuar. Shqipëria konsiderohet si një nga vendet që shërben për furnizimin e hashashit në të gjithë Evropën
Fushat me kanabis të mbjellë katër vitet e fundit në të gjithë Shqipërinë, kanë sjellë si pasojë edhe zgjerimin e hartës së trafikimit të kësaj lënde në të gjithë Evropën. Një fakt i tillë publikohet nga Qendra e Monitorimit Evropian për Drogat dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA). Ky institucion Evropian ka publikuar raportin e tij më të fundit me këtë objekt, duke sjellë në vëmendje edhe shifrat përkatëse. Në raport flitet edhe për një hartë të publikuar. Shqipëria sipas të dhënave në hartë konsiderohet nyje e trafikimit të kanabisit nga Afganistani, me destinacion Holandën dhe më pas Britaninë e Madhe. Ashtu si edhe në raportet e mëparshme EMCDDA konfirmon se tregu Evropian për hashashin është një ndër më të mëdhenjtë. Rreth 647 ton bar kanabisi dhe 641 ton hashash u konsumua në Bashkimin Evropian në vitin 2013 dhe tregu i shitjes me pakicë ka një vlerë të përgjithshme të vlerësuar në mënyrë konservative në rreth 9.3 miliardë euro në vitin 2013. Analiza e EMCDDA përshkruan se si po ndryshon furnizimi i kanabisit në Evropë, në përgjigje të konkurrencës dhe zhvillimeve të tjera të tregut. Ndërsa përdorimi i hashashit në shkallë të vogël ka ekzistuar prej kohësh në Evropë, tregu i madh për drogat filloi të zhvillohej vetëm gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, i furnizuar fillimisht nga Pakistani dhe Afganistani e më vonë nga Libani. Kur furnizimet e Evropës u ndërprenë nga konfliktet në Liban (1975-91) dhe Afganistan (1979-‘89), u shënua një rritje e prodhimit të hashashit në shkallë të gjerë në Marok. Deri në fillim të viteve 1990, kanabisi maroken me cilësi të dobët (250 g) arriti pothuajse monopol mbi produktet e kanabisit në tregun evropian perëndimor. Megjithatë, që nga fillimi i viteve 2000 një rritje dramatike e prodhimit të kanabisit në Evropë ka çuar në një ndryshim në tregun, që tradicionalisht ka qenë në duart e krimit të organizuar, me organizatat kriminale marokene që luanin rol qendror në importin me shumicë dhe shpërndarjen. Spanja, vendi që tradicionalisht ndan sasitë më të mëdha të barit të kanabisit në Evropë, është pika kryesore e hyrjes në Evropë për drogën dhe është gjithashtu pikë e shpërndarjes. Holanda dhe Belgjika janë shpërndarës tradicionalë për tregjet e BE-së, dhe për Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërsa Danimarka është shpërndarës kyç për vendet nordike. Konsumi vjetor i kanabisit në Evropë llogaritet në rreth 1200 tonë për vitin 2015. Raporti thekson se grupet kriminale marokene janë lojtarë kryesorë në ofrimin e barit të kanabisit në Evropë, nganjëherë në partneritet me organizatat kriminale evropiane, për shembull ato holandeze dhe shqiptare. Grupet kriminale shqiptare raportohen të jenë përfshirë në tregtinë e kanabisit afgan, kryesisht në Evropën Lindore dhe Qendrore dhe, nëpërmjet Holandës në Mbretërinë e Bashkuar, thekson raporti. Megjithatë, duket se Britania e Madhe gjithashtu merr hashashin afgan direkt nga Azia jug-perëndimore. Më herët në qershor, EMCDDA publikoi raportin vjetor Evropian të Drogave të vitit 2017, ku theksonte se ndryshe nga viti i kaluar, ku Shqipëria nuk përmendej, në raportin e 2017-s vendi ynë veçohet si për rritjen e kultivimit të kanabisit ashtu dhe për faktin se po bëhet një rrugë kryesore e trafikimit të narkotikëve në Evropë. “Raportet e fundit e vënë theksin në ndryshimet në rrugën e trafikut të narkotikëve, me rritje të trafikut si të barit të kanabis ashtu dhe vajit të kanabisit nga Ballkani Perëndimor, veçanërisht Shqipëria, e lidhur me rritjen e kultivimit të kanabisit në këto vende”, thuhet në raportin vjetor të EMCDDA për vitin 2017.
Sigal