Qazim Sejdini: Ndjehem si në mandatin e parë, përkushtim për votuesit e mi

431
Qazim Sejdini, kryebashkiaku i ri i bashkisë së Elbasanit, i cili merr për herë të tretë këtë mandate, flet për gazetën “Telegraf” vetëm 24 orë pas daljes së rezultatit përfundimtar të votimeve të 21 qershorit. Zoit Sejdini shpreh gatishmërinë e tij për të punuar sikur të ishte mandati i tij i parë, duke synuar zbatimin në praktikë të premtimeve me të njëjtin përkushtim ndaj votuesve të tij. Zoti Sejdini shprehet për gazetën “Telegraf” se “Projekti im madhor dhe që merr përparësi është punësimi, por edhe mjedisi. Objektivi im për 10 mijë vende pune është minimal po të kemi parasysh niveli i lartë i papunësisë në trevën e Elbasanit”.
Zoti Sejdini, si ndjeheni vetëm një ditë pas fitores tuaj të tretë si kryebashkiak i Elbasanit?
Ndjehem më i ri, më i freskët, më energjik, më motivues, më obligues, më i përkushtuar dhe më i angazhuar maksimalisht për të patur arritje dhe për të nisur nga sot dhe në vazhdim rrugën 4 vjeçare të zbatimit të projekteve, të kthimit në realitet të premtimeve të fushatës. Ndjehem më i respektuar nga qytetaria e Elbasanit, nga votuesit e mij në fshatrat e bashkisë re, ndjehem dhjetëfish më energjik pasi na presin sfida dhe fitore të reja, na presin angazhime të reja dhe të një rëndësie tjetër, e cila lidhet me të ardhmen e Elbasanit, zhvillimit të tij, të punësimit, rritjes së vëmëndjes ndaj biznesit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve. Fitorja e thellë me mbi 15 mijë vota ndaj kundërshtarit tim politik, pra dyfishin e atyre që mora 4 vite më parë në fitoren e mandatit të dytë, më obligon të përqëndrohem maksimalisht në detyrimet e mia ndaj atyre që më besuan, më votuan, më respektuan, ndaj dhe unë nuk do t’i zhgënjej kurrë ashtu siç deri sot. 
Kush janë për ju angazhimet e veçanta të 100 ditëve të para të mandatit të ri ?
Për mua edhe gjatë fushatës nuk kishte ditë pushimi, kishte vetëm ditë pune, për stafin tim kishte ditë të zakonshme pune. Ndaj edhe për mandatin e ri, e përmenda ndjehem sikur të isha në mandatin e parë, unë nuk njoh 100 ditë, apo edhe 300 ditë, unë njoh çdo ditë madje deri orët e vona të saj, punën, angazhimet e mia si kryetar Bashkie për zbatimin e projekteve, zgjidhjen e problemeve të departamenteve të Bashkisë, zgjidhjen e halleve dhe problemeve që shqetësojnë qytetarin dhe qytetin dhe shtrirja e madhe që ka sot Bashkia e Elbasanit, nga pikëpamja gjeografike dhe numerike e popullatës. Unë nuk e quaj këtë mandat tjetër, por për shkak të ndarjes së re administrative, e quajmë mandat të ri në Bashkinë e re. Gjatë tetë vjetëve në Bashkinë e Elbasanit tradicional, ne kemi provuar dy gjëra. E para që dimë të mbajmë fjalën e dhënë ndaj qytetarëve dhe e dyta, që të dimë të lobojmë në të mirë të qytetit për të thithur investime dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi që ofrohet për përmirësimin e cilësisë së jetës. Besimin që më dhanë qytetarët, mbështetja që na jep qeveria, mbështetja që u provua këto 18 muajt e fundit, na jep më tepër besimin për të vazhduar rrugën e nisur. Ndarja e re administrative në Elbasanin Rajonal në 12 komuna përveç Elbasanit klasik, është një sfidë për mua. Përballimi i reformës administrative dhe ecja përpara e saj me sukses, kërkon përvojë specifike si dhe kërkon mbështetjen e garantuar me projekte të qeverisë Rama. Projekti im madhor dhe që merr përparësi është punësimi, por edhe mjedisi. Deklarata se unë do të siguroj 10 mijë vende pune, duket e pabesueshme për një kryetar Bashkie, por unë besoj se po të mbështetet dhe po të krijohet mjedisi që zhvillon biznesin e vogël që krijon kushte lehtësuese për të, po të zhvillohet infrastruktura, po të lobohet për afrimin e bizneseve sidomos për zonën ekonomike të ish-Kombinatit Metalurgjik, po të arrihet siç kemi në plan hapja e tregjeve rajonale për shitblerjen e produkteve bujqësore, atëherë ky objektiv është mjaft i arritshëm. Objektivi im për 10 mijë vende pune është minimal po të kemi parasysh niveli i lartë i papunësisë në trevën e Elbasanit. Por projektet për katër vitet e ardhshme janë të shumta, dhe më tepër se sa për projekte, ne flasim për drejtime zhvillimi. Ne do të krijojmë në trevën e Elbasanit kushtet për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Një tjetër prioritet i yni në drejtimin e punës sonë, është krijimi i mjediseve për fëmijët dhe për shtetasit e moshës së tretë. Me decentralizimin e pushtetit lokal, ne do të fillojmë shtimin e numrit të çerdheve dhe të kopshteve. Jemi të vendosur që brenda mandatit të parë t’i bëjmë shkollat e fshatrave dhe komunave të aksesueshme, me rrugë dhe infrastrukturë në të tëra stinët e vitit, të pajisim me lehtësira siç janë abonetë për shërbimin urban, të gjithë fëmijët e komunave që shkollat i kanë larg vendeve të banimit. Sa i përket moshës së tretë, në projekte tona prioritare është krijimi i mjediseve të argëtimit dhe çlodhjes në kohën e lirë në, sipas modelit të atyre mjediseve që kemi bërë në qendër të Elbasanit. Ne nuk e kemi konceptuar qytetin dhe trevën të ndarë me projekte veç për qytetin dhe veç për fshatin. Ne kemi shpallur si emergjente, që shërbimet bazë siç janë urgjencat shëndetësore t’u shkojnë më parë banorëve në çdo cep të Bashkisë re. 
Pas një fushate të lodhshme, do të pushoni disa ditë ?
Nuk e besoj, e para që nuk e ndjej shumë lodhjen, pasi jam mësuar vetëm me punë, dhe e dyta unë edhe kur kam vajtur ndonjë ditë me pushime me familjen, sërish dita ime niste me Bashkinë, pasi duhej t’i jepja zgjidhje problemeve të natyrës së punës, apo edhe ndonjë shqetësimi qytetar. Shlodhja ime është normaliteti i gjithçkaje në Bashki, në qytetin tim, apo tek qytetarët e mj. I tillë jam unë, ndoshta kjo është edhe pika e përbashkët që më ka afruar me qytetarët e mij, dhe që më afroi edhe me banorët e rinj të Bashkisë re, dhe këtë ata e dëshmuan me votën e tyre në 21 qershor. 
Faleminderit dhe suksese zoti Sejdini
Faleminderit juve dhe gazetës simpatike dhe shumë të dashur për mua “Telegraf”. 
Sigal