Qazim Sejdini: E vërteta e videos sime me gazetarët

422
Sigal

Duke marrë shkas nga reagimi publik për një pasazh videoje që po qarkullon në disa televizione dhe media online, më duhet të sqaroj se:
Biseda e sinqertë dhe informale është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar.
Kam shkëmbyer mendime dhe kam dëgjuar shqetësimet e gazetarëve gjatë atij takimi, dhe më vjen keq, që, pasi i dëgjova shqetësimet e tyre, ajo copëz bisedë konstatimi po shfrytëzohet politikisht dhe ka dalë nga konteksti real i deklaruar në atë takim i vitit të kaluar.
Ndjej keqardhje për keqkuptimet e krijuara në mediat qendrore, pasi besoj se gazetarët me të cilët punoj në qytetin e Elbasanit në mënyrë të përditshme, e dinë shumë mirë rrethanën e bisedave që ne po bënim edhe për zhvillimin dhe ecurinë e medias në tranzicionin shqiptar, ku, sikurse të gjithë e dimë, edhe gazetarët, siç evidentojnë vetë organizatat e tyre, kanë probleme.
Asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk kam pasur nevojë të “shantazhoj” ndonjë gazetar, apo botues e pronar mediash, për të emëruar apo shkarkuar ndonjë prej tyre, pasi në tetë vite drejtim në Bashkinë e Elbasanit, kam krijuar me ta një raport të shkëlqyer komunikimi e bashkëpunimi.
Bashkia e Elbasanit është një institucion i hapur për gazetarët; mbledhjet e Këshillit Bashkiak ku unë marr pjesë gjithmonë, janë mbledhje të hapura.
Zyra e shtypit e bashkisë së Elbasanit është një urë komunikimi mes meje si kryebashkiak dhe qytetarëve, jo vetëm në Elbasan, por edhe më gjerë.
Kam mbështetur trajnime, organizime dhe seminare për fuqizimin e medias, dhe kam inkurajuar profesionalizmin në radhët e tyre.
Ndjej keqardhje, që janë mediat tashmë, që nëpërmjet asaj copëze bisede të shkëputur nga konteksti i saj i vërtet, po përdoren për qëllime politike, duke ndërhyrë ditën e fundit në fushatën zgjedhore.
Përdorimi i këtij fakti tre ditë përpara zgjedhjeve, nga ana e opozitës dhe mediave të lidhura me të, flet qartë për përpjekjet e dëshpëruara të kandidatit rival dhe mbështetësve të tij në qytetin e Elbasanit, për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore, dhe ky, është shantazhi real.
Pas datës 22 qershor, sigurisht do të vazhdoj të kem marrëdhënie partneriteti dhe bashkëpunumi, jo vetëm me gazetarët lokalë në qytetin e Elbasanit, por edhe me shoqatat dhe organizatat e gazetarëve.
Nga ana tjetër, inkurajoj shoqatat e gazetarëve, që të shikojnë me prioritet këtë rast, që përdoret politikisht, për të thënë edhe ato fjalën e tyre, sesi mund të ndërhyhet në një proces zgjedhor.