“Pushtetpolitika minimizoi figurat madhore të Pavarësisë së Shqipërisë”

448
Sigal

INTERVISTA/ Fatmir Toçi, deputet i PS-së: “Nacionalizmi i Berishës është lojë paraelektorale”

 Deputeti socialist i qarkut të Vlorës, zoti Fatmir Toçi, në intervistën për “Telegraf”, duke analizuar gjithë periudhën përgatitore dhe ditën e festimit të 28 Nëntorit, thotë se u vu në lëvizje një sistem i tërë qeveritar për të minimizuar figurat madhore të Pavarësisë. Ndërsa për vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës, zoti Toçi thotë që askush nuk mund të mohojë LANÇ-in dhe arritjet e shqiptarëve pa luftë. Zoti Toçi, thotë se, nacionalizmi i ditëve të fundit i Berishës është një lojë paraelektorale, pa dobi për interesat kombëtare të shqiptarëve.

1.  Zoti Toçi, çfarë ndjesie u përcoll në Vlorë nga dhunimi i tortës për Pavarësinë në Tiranë?

– Ajo që ndodhi në Tiranë me tortën e qeverisë (dhe jo të Pavarësisë) ishte e turpshme dhe fyerje e rëndë për shqiptarët, një provokim djallëzor për psikikën e lodhur të njerëzve nga varfëria dhe mungesat jetësore më të domosdoshme. Berisha ia arriti qëllimit që “të largonte vëmendjen” nga organizimet me dinjitet të festimeve në Vlorë dhe ta bënte lajm botëror festimin me përlyerje torte të njerëzve të uritur e të varfër. Ju më pyesni se me çfarë ndjesie u përcoll në Vlorë dhunimi i tortës së Pavarësisë në Tiranë? Do të thoja me neveri dhe në mënyrë groteske njëkohësisht, për organizatorët e vërtetë të këtij turpi kombëtar: komisionit shtetëror të festës me drejtues dhe inspirues kryeministrin e vendit apo si thuhet rëndom “nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit” .

 Sjellja e politikës për 100-vjetorin e Pavarësisë, duke patur parasysh edhe se sa dhe si u vlerësuan personalitetet që kontribuuan në Historinë e Shqipërisë,  a mund të shërbejë si pikë referimi në ecurinë e Shqipërisë për të përmbushur aspiratën e integrimit në Familjen Europiane?

–  Jo sjellja e politikës, por e pushtetpolitikës, e asaj pjese të politikës që sot përbën maxhorancën. Kanë ndodhur gjëra monstruoze gjatë përgatitjeve për organizimin e festimeve të 100–vjetorit  të Pavarësisë. U vu në lëvizje një sistem i tërë për minimizimin e figurave madhore të historisë që shpallën Pavarësinë, në mënyrë të veçantë atë të Ismail Qemalit dhe për të ringritur dhe rivlerësuar figura e personalitete që në të shumtën e tyre janë përpjekur e kanë luftuar kundër interesave të vendit; u kthye në platformë lëvizja e kreut të qeverisë për të ulur periudhën e Pavarësisë dhe të ngritur e lartësuar periudhën e Monarkisë dhe atë të mbretit të vetëshpallur Zog; u bë ç’është e mundur të shmangej Vlora si qytet i pavarësisë dhe i flamurit dhe të spostoheshin festimet në Tiranë; pushtetit vendor iu bllokuan të gjitha fondet me qëllim dështimin e organizimin e festimeve në qytetin e Qeverisë së Parë Shqiptare që nga koha e Skënderbeut. Të gjitha këto tregojnë për një klimë të tensionuar politike, për shkak të sjelljeve të pamenduara dhe aspak qytetare të maxhorancës, e cila asnjëherë gjatë këtyre viteve provë të vendit tonë karshi BE-së, nuk arriri të plotësojë kushtet për fitimin e statusit kandidat dhe as të bëhet faktor për të kontribuar në integrimin e vendit. Duke parë refleksionet e këtyre dy ditëve të pasfestës së 100 – vjetorit të Pavarësisë, nga brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht diplomacitë e vendeve fqinje, kam drojë se sjelljet e politikës qeverisëse, me rastin e kësaj feste të madhe për të gjithë shqiptarët, veçse ia kanë zbehur akoma më shumë shanset Shqipërisë për t’u integruar në Bashkimin Europian.

 Dhuna që ushtruan gardistët, ndaj veteranëve, pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve dhe popullit, duke u mbyllur portat e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit, ju e vlerësoni si një incident rastësor?

– Në fakt ishte një shfaqje tjetër e turpshme, edhe pse unë dua të besoj se ishte një zell i tepruar i drejtuesve të forcave të Gardës së Republikës në përpjekje për të siguruar “sa më mirë” drejtuesit e shtetit. Një drejtim politik shtetëror që ka frikë popullin e vet flet shumë. Ai pushtet nuk i përket popullit dhe nuk punon më për të. Tregon se ka një antagonizëm thelbësor midis tyre. Por është e frikshme psikologjia me të cilën ushqehen këto forca, duke e ndarë popullin nga udhëheqja, duke e parë me sy armiqësor popullin, aq më shumë veteranët, familjet e dëshmorëve dhe të afërmit e tyre që kanë në ato varreza njerëzit e tyre më të shtrenjtë. Pushtetarë që jo vetëm kanë kapur të gjitha institucionet e pavarura të këtij vendi, por që uzurpojnë edhe Varrezat e Dëshmorëve! Imagjinoni se ç’mund të ndodhë tjetër në këtë vend! Nuk kemi parë e dëgjuar as edhe një shenjë ndjese nga ana e kreut të shtetit për incidentin e pashembullt që ndodhi në Varrezat e Dëshmorëve për ta quajtur një keqkuptim, nxitim apo incident rastësor, siç e quani ju.

Për dhunimin e Monumentit të Heronjve të Vigut, duke e prerë për skrap, akoma nuk dëgjuam asnjë reagim politik nga asnjë forcë politike. Mos vallë forcat politike në Shqipëri e cilësojnë si një ndodhi ordinere?

– Në fakt Monumenti i Heronjve të Vigut është dënuar e denigruar kohë më parë, kur e hoqën nga qendra e qytetit të Shkodrës dhe e degdisën në periferi, atje ku praktikisht është fusha e grumbullimit të mbeturinave të qytetit. Fyerje më të madhe nuk mund të ketë për ata që bënë Luftën, për ata që dhanë jetën për liri e për Çlirimin e vendit. Dëmtimi i monumentit për t’u përdorur për skrap, si ndodhi ordinere apo e organizuar nuk vjen e papritur për asnjë prej shqiptarëve, duke ditur qëndrimet dhe përpjekjet e partisë në pushtet për të errësuar, madje mohuar kontributet dhe rëndësinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe të dëshmorëve të saj.

 A duhet përmendur Enver Hoxha si personazhi i Historisë të Shqipërisë?

– Enver Hoxha ka qenë në krye të shtetit shqiptar për gati gjysmën e viteve të shekullit të kaluar, që nga shpallja e Pavarësisë së vendit. Historia nuk mund të shihet vetëm bardhë apo vetëm zi. Aq më tepër, që të mohohet tërësisht, sikur të mos ketë ekzistuar, siç ndodhi në këndvështrimin e qeverisë në vlerësimet e këtij 100-vjetori të Pavarësisë. Mund të shtoj se, përpos asaj për të cilën bien dakord pjesa më e madhe e shqiptarëve për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar diktatura vendit dhe popullit shqiptar, nuk mund të mohohen arritjet në sektorë e fusha të tilla si arsimi, shërbimi shëndetësor, bujqësia, gjuhësia, energjetika etj. Nga ana tjetër glorifikimi i figurës së Ahmet Zogut dhe e periudhës së Monarkisë dhe injorimi total i gjysmë shekulli të këtyre  100 vjetëve tregon absurditetin e vlerësimit të këtij shekulli shtet për shqiptarët. Ndërsa harrohet se brenda 41 vjetëve të dominimit të Hoxhës në skenën politike shqiptare është edhe periudha e ndritur e Luftës Nacionalçlirimtare, rreshtimi në anën e fituesve të kësaj lufte kundër fashizmit e nazizmit, si dhe përpjekjet për konsolidimin e shtetit të ri të pasluftës.

Përse PS-ja trembet që t’i referohet rolit historik, duke përmendur anët pozitive dhe negative të Enver Hoxhës?

– Ndërhyrja e politikës në bërjen e historisë është shembulli më i keq në historinë 100-vjeçare të historisë së Pavarësisë. Nuk është detyrë dhe as atribut i forcave politike që të shkruajnë historinë, edhe pse PS-ja është e shprehur qartë për qëndrimin e saj ndaj periudhës së komunizmit, kur shteti ishte monist, diktaturë dhe i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Por ky ka qenë vetëm një qëndrim i një subjekti politik dhe jo presion për të ndryshuar historinë.

Derisa PS-ja e kontestoi largimin e Kryeprokurores si veprim antikushtetues, përse nuk e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese?

– Kryeprokurorja është akoma në detyrë. PS-ja e ka shprehur qartë qëndrimin e saj dhe po ndjek me vëmendje dhe shqetësim lëvizjet e telekomanduara të kryetarit të shtetit për uzurpimin edhe të këtij institucioni nga Berisha.

Si i komentoni deklaratat nacionaliste të kryeministrit Berisha dhe reagimet e diplomacive të vendeve fqinje.

– Nuk është hera e parë që kryeministri i vendit nxitohet dhe shfaqet emocional e i papërgjegjshëm në sjelljet, prononcimet e deklaratat e tij të pamenduara më parë para kamerave e mediave të shkruara. E tillë ishte edhe ajo që duke dashur të luajë më kontekstin historik krijoi një sërë keqkuptimesh e komentesh brenda dhe jashtë vendit. Më pas iu desh të bëjë me dhjetëra shpjegime e interpretime për ç’kishte thënë, por pa shpëtuar që të zhytet edhe më thellë në pellgun e nacionalizmit. Në fakt nuk e shoh si qëllim në vetvete kthimin e z. Berisha nga nacionalizmi. Më tepër duhet parë si një lëvizje paraelektorale e tij në një terren kur po ndihet i rrezikuar roli i opozitës për ndërgjegjësimin e shqiptarëve për domosdoshmërinë e programit të saj të Rilindjes, por edhe nga dalja në skenë e forcave të reja politike me tendenca të dukshme djathtiste-qytetare dhe nacionaliste.

 – Faleminderit!